“E shoh që vazhdimisht keni përparim, gjithçka që do të bëjmë do të jetë e bukur, por edhe e gëzueshme”. Me këto fjalë i priti Kryepiskopi Anastas të rinjtë orthodhoksë të kryeqytetit të cilët kishin ardhur në Kryepiskopatë për ta uruar Bariun e tyre me rastin e Krishtlindjeve. Ata e përshëndetën me këngë të gëzueshme, me kolendrat tradicionale të festës, duke dhuruar një gëzim të veçantë dhe mbresëlënës.

    “Mendova që t’ju dhuroja një botim të ri të Dhiatës së Re me një gjuhë më bashkëkohore dhe një kalendar të vitit 2006, në mënyrë që çdo ditë të lexoni vargjet nga Apostulli dhe Ungjilli. Është e rëndësishme që ashtu si çdo ditë marrim ushqim në aktivitetin njerëzor, ashtu edhe shpirtërisht çdo ditë duhet të përparojmë me këtë ushqim shpirtëror. Është një sekret që na duhet edhe për jetën e vështirë që po kalojmë. Vitet që kaloni janë të vështira, por edhe të bukura. Keni nevojë për drejtim, frymëzim, për fuqi. Librin duhet ta keni në tryezën tuaj të studimit dhe përpara se të filloni ditën përpiquni të lexoni diçka nga Dhiata e Re. Do ta ndieni vetë atmosferën tjetër nga leximi i Ungjillit që flet për dashurinë e Perëndisë.

    Nga zemra uroj që jeta juaj të jetë e mbushur me dritën e Krishtit duke e ditur që Ai është Dielli i Drejtësisë. Ta kemi këtë dritë brenda vetes sonë” – nënvizoi Kryepiskopi. 

 

* * *

    Më pas fëmijët orthodhoksë të kryeqytetit ngjitën shkallët e Kryepiskopatës me këngën e kolendrave tradicionale, ndërsa Kryepiskopi po i priste me buzëqeshje dhe gëzim atëror.

    Ai i bekoi fëmijët dhe u interesua për takimet shpirtërore dhe mësimet e katekizmit që zhvillojnë në fundjavë në Kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses Mari”.

    – Si është takimi që bëni të shtunën? – i pyeti Krypiskopi fëmijët.

    – Bëjmë katekizëm, mësojmë për Krishtin, këndojmë këngë të krishtera, luajmë… – u përgjigjën njëri pas tjetrit fëmijët.

    “Keni për të mësuar shumë gjëra dhe është e nevojshme të mësoni sistematikisht fjalën e Perëndisë”. Bashkë me gëzimin e Kryepiskopit ata morën edhe një dhuratë, librin “Bibla për fëmijë”, të cilin ua këshilloi ta lexojnë gjithmonë për të mësuar më shumë për Krishtin dhe besimin tonë.

 

* * *

Por vizitat për kolendrat nuk mbaruan me fëmijët.

    “Në emër të grave ju falënderojmë dhe ju sjellim urimet më të përzemërta të shumë njerëzve në nevojë, të cilët përlëvdojnë emrin e Perëndisë për ndihmën që jep Kisha jonë”. Këto ishin urimet e para që mori Kryepiskopi Anastas nga grupi i grave orthodhokse të Tiranës, të cilat u pritën në vazhdim të vizitave për kolendrat nga grupmoshat e ndryshme që marrin pjesë aktive në jetën e Kishës.

    Gratë e informuan Kryepiskopin se në këto ditë festive, kanë kryer shumë shërbime dashurie, duke shkuar në spitale, në azile dhe në burgje, për të shpërndarë ndihma për njerëzit në nevojë, duke përcjellë tek ata dashurinë e Perëndisë.

    Kryepiskopi u shpreh i kënaqur për shërbimin ndaj të varfërve, duke ofruar akoma edhe më ndihmë financiare. “Ne kemi vështirësi, por do t’i kalojmë me shpresë. Le të vazhdojmë këtë punë sepse gjërat e mira janë për ata që bashkëpunojnë për Perëndinë”.

I. Koti