Viti shkollor 2010-2011 rezultoi me përparime të ndjeshme formuese dhe edukuese në institucionet arsimore të Kishës sonë. Gëzimi nuk fshihet nga askush, as nga nxënësit dhe as nga stafi pedagogjik. Përparimi ka qenë i dukshëm, sidomos për nxënësit e klasës së parë të fillores dhe të vitit të fundit të gjimnazit, të cilët kanë dalë me nota dhe rezultate të kënaqshme. Megjithatë drejtuesit janë të kujdesshëm. Gjatë bisedave që zhvilluam, ata pretendojnë se ka ende shumë punë përpara.
Shkollat 9-vjeçare dhe të mesme së bashku me Universitetin e ri dhe shkollat profesionale të Kishës shërbejnë si laboratorë të ringjalljes shpirtërore dhe morale të shoqërisë sonë dhe përgatitjes cilësore në profesionet e jetës. Organizimi shumë i mirë për mbylljen me sukses të vitit të ri shkollor, me bekimin dhe mundësitë e krijuara nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, tregon vlerësimin e madh që i jepet formimit të një brezi të ri me dije e kulturë për të ardhmen e Kishës dhe vendit.
* * *
Nxënësit e Liceut Kishtar “Kryqi i Nderuar” në Gjirokastër, me përvojë disa vjeçare mbyllën ciklin e studimeve me arritje të spikatura për të përgatitur kuadrot e rinj të Kishës dhe të shoqërisë. Nxënësit e vitit të fundit i kaluan me sukses “ethet” e provimeve të Maturës Shtetërore dhe tani presin tetorin për të ndjekur studimet në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, në Shën Vlash të Durrësit, ose studimet në universitetet brenda dhe jashtë vendit. Vitin e kaluar, të gjithë maturantët vazhduan ciklin e lartë të studimeve dhe me shumë gjasa edhe këtë vit maturantët e porsadiplomuar do të ndjekin këtë rrugë.
Gjithashtu mbylli vitin mësimor edhe shkolla profesionale në Mesopotam të Sarandës, duke përgatitur në mënyrë dinjitoze nxënës në degët: Teknologji informimi dhe komunikimi, Elektronikë, Termohidraulikë, Shërbime sociale dhe shëndetësore, duke shërbyer si një fidanishte e të ardhmes së Kishës dhe të shoqërisë shqiptare. Mësuesit shqiptarë dhe të huaj dhanë eksperiencën e tyre në dijet shkencore, duke i njohur nxënësit edhe me elementët më bashkëkohorë të degëve përkatëse.
Shkolla 9 – vjeçare shqiptaro-amerikane “Protagonistët”, vijoi edhe këtë vit suksesin e paraqitjes së shkëlqyer me metodat më bashkëkohore të mësimarrjes. Edhe në përgatitjen e aktiviteteve brenda dhe jashtë shkollës, nxënësit ishin protagonistët e vërtetë. Në dy veprimtaritë e fundit, festën e Abetares dhe mbylljen e vitit shkollor, ata mahnitën prindërit dhe mësuesit e tyre me nivelin e formimit dhe krijueshmërisë.
Edhe shkolla 9-vjeçare shqiptaro-greke “Frymë Dashurie”, në Durrës, përfundoi vitin shkollor me përparime në fushën e dijes për nxënësit e gjashtë klasave të para të saj. Sipas drejtorit të shkollës, z. Kristaq Mile, pati një nivel të lartë në rezultate nga ana e nxënësve, duke u dalluar si një ndër shkollat më të mira në Durrës, bashkë edhe me ambientet komode dhe bazën materiale e didaktike moderne.
Universiteti “Logos” me qendër në Tiranë si dhe Instituti Profesional “Frymë Dashurie”, në Gjirokastër, përfunduan vitin akademik me standarde të larta kualifikuese, duke përvetësuar me sukses programin mësimor. Përveç lëndëve teorike, studentët ndoqën edhe praktikat mësimore, për të qenë të aftë dhe konkurrues në tregun e punës.
Isidor Koti