|
Luftojnë çdo ditë për të drejtat e tyre, për t’u arsimuar e punësuar dhe për të pasur mundësi të barabarta. Lufta e tyre nuk është një kohë e shkuar dëm, përkundrazi. Nëse kthehemi në histori, në vitin 1992, në një nga rezolutat e Kombeve të Bashkuara, u përcaktua se data 3 dhjetor do të jetë Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe do të kujtohet në mbarë botën. Kjo ditë shërben për të fokusuar vëmendjen ndaj eliminimit të barrierave e pengesave të shumta që shpesh bëhen pengesë në pjesëmarrjen e plotë të këtyre personave në jetën shoqërore.
|
![]() |
![]() |
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka treguar një vëmendje të veçantë ndaj personave me aftësi të kufizuara mendore por edhe atyre fizike, duke treguar dashurinë dhe kujdesin e saj. Përmes aktiviteteve në vite është shprehur gatishmëria për të qëndruar pranë në lutje dhe ndihma shpirtërore e materiale ndaj kësaj pjese të shoqërisë, që më shumë se çdo gjë tjetër ka nevojë për dashuri. Prej 6 vjetësh, Zyra e Rinisë e Kishës sonë organizon veprimtarinë “Fundjava e miqësisë”, si për të treguar një miqësi që ka nisur dhe vazhdon me entuziazëm, duke u bërë edhe më e bukur nga njëri vit në tjetrin.
|
|
Rreth 40 persona me aftësi të kufizuara nga Tirana, Kukësi, Tropoja, Laçi, Fieri, Berati etj. morën pjesë në datat 23-25 maj 2008 në veprimtarinë “Fundjava e miqësisë” në qytetin e Durrësit. Tema e këtij viti “Miqësia, një gur i çmuar në mozaikun e jetës” ishte në sinkron me atmosferën brilante që u krijua aty. Përvoja e fituar nga vitet e kaluara tregoi se miqësia mes të rinjve orthodhoksë dhe personave me aftësi të kufizuara fizike është rritur dhe forcuar nga viti në vit. Tre ditët e aktivitetit morën përmasat e një feste të veçantë me lojëra e argëtime, me biseda në grupe, konkurse dijesh dhe vallëzimi.
|
![]() |
![]() |
Nuk është e çuditshme të shikosh se sa bukur dinë të kërcejnë edhe këta individë, të cilët edhe pse ndodhen në karrige me rrota ose në paterica janë të aftë të përshtaten edhe në këtë drejtim. Madje aftësitë e tyre krijuese i kapërcejnë hamendjet. Në një nga ditët e këtij aktiviteti, teologu z. Jorgo Papadhopuli foli pikërisht për temën “Miqësia”, duke i lënë hapësirë vetë pjesëmarrësve të shprehnin përmes historive të ndryshme disa nga karakteristikat dhe të vërtetat e miqësisë. Aktivizimi i tyre ishte i shkëlqyer, duke mësuar shumë nga njëri-tjetri dhe duke përcjellë interesimin dhe miqësinë mes tyre.
|
|
Në fytyrat e tyre lexohej gëzimi dhe energjia e jetës. Shoqëria duhet të sensibilizohet me pengesat që përballin dhe përjetojnë këta njerëz çdo ditë të jetës së tyre. Duhet thyer e flakur tej tabloja e zymtë që e përshkruan këtë kategori njerëzish si barrë e rëndë e shoqërisë. Një mendim i gabuar, sepse ata janë në gjendje të kontribuojnë në jetën ekonomike e kulturore të komunitetit. Ata kanë potenciale në vetvete dhe një botë shpirtërore që të mahnit.
Të gjithë pjesëmarrësit u larguan nga ky aktivitet me dashuri dhe falënderim, duke marrë me vete kujtimet më të bukura, për t’i treguar ato takimin tjetër të ardhshëm, në fundjavën e shumëpritur të miqësisë.
|
|
|
Isidor Koti
|
|



