![]() |
1 qershori, festa e fëmijëve, tashmë është ndër ditët më festive e më të veçanta. Brenda atmosferës ku përfshihen të gjithë, në këtë ditë flasin lulet, lodrat, të qeshurat dhe zërat gazmorë të fëmijëve. Me çiltërsinë dhe pafajësinë e tyre, ata të përfshijnë në buzëqeshjen e gëzimin e tyre të pastër.
|
|
Me këtë rast, Zyra e Fëmijëve pranë Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Zyra e Koordinimit të Përkujdesjeve Ditore (kopshteve) në Tiranë, por edhe në rrethe të tjera të vendit ka organizuar një ditë festive me të gjithë fëmijët që janë përfshirë në veprimtaritë e Kishës. Më shumë se lojëra, vizita dhe piknikë ne vende të ndryshme turistike, dashuria dhe ngrohtësia që përcollën fëmijët këtë 1 qershor dominuan në çdo ambient.
|
![]() |
![]() |
Tashmë është traditë të festohet kjo festë në të gjitha kopshtet e Kishës sonë në mbarë vendin. Organizimi i festës së 1 qershorit u bë në ambientet e kopshteve ose sallat pritëse të kishave nëpër rrethe ku të pranishëm ishin prindërit dhe të ftuar të tjerë. Fëmijët dhuruan momente gazmore, emocionuese duke interpretuar, kënduar e recituar dhe duke vallëzuar së bashku.
|
|
Çdo klasë kishte përgatitur një program të veçantë. Fëmijët recituan e kënduan dhe shfaqën disa dramatizime si “Pëllumbi dhe bleta”, “Tre fluturat dhe derrkuci”. Gjithashtu u shtrua edhe kokteil. Aktivitete të tilla, në këtë mënyrë bëhen pjesë e edukimit të tyre, duke i treguar se do të jenë gjithnjë nën kujdesin e edukatoreve të tyre dhe s’do të mungojë kurrë vëmendja e plotë ndaj gjithçkaje që ka lidhje me ta.
|
|
![]() |
Fëmijët e shtëpisë “Shpresa” në Manastirin e Shën Vlashit në Durrës, një ditë më parë, në datën 31 maj, organizuan një pritje me koncert festiv dhe kokteil në ambientet shumë të bukura të shtëpisë së tyre, dhuratë e Kryepiskopit Anastas. Kishin ftuar dhe erdhën për të gëzuar së bashku me fëmijët, deputetë të zonës, përfaqësues nga Bashkia e Durrësit, mësuesit dhe drejtuesit e shkollave ku ata mësojnë.
|
|
Më 1 qershor, ditën e festës, pasi meshuan në Kishën e Manastirit të Shën Vlashit organizuan një piknik së bashku në fermën e Manastirit ku ata panë si rriteshin dhe si kujdeseshin punonjësit e fermës për kafshët, për bletët, për prodhimet bujqësore si dhe bashkëbiseduan me punonjësit, duke mësuar se të gjitha këto arrihen me punë dhe me dashuri.
|
![]() |
![]() |
Mësuese Polikseni, përgjegjësja e Shtëpisë së Fëmijëve “Shpresa”, u tregoi fëmijëve: “…ato patatet aq të mira dhe qepët aq të mira, vijnë prej këtij vendi dhe prej këtyre punëtorëve që derdhin djersën”. Më pas, ata vizituan ish-rezervatin e Rrushkullit, ku tani janë vendosur kafshë të ndryshme, që nga rosat, ariu, tigri, gamilja etj.
|
|
Fëmijët u kënaqën shumë me këtë bukuri natyrore. Orët e drekës i kaluan në brigjet e detit “Adriatik”. Gëzimin e kësaj dite, fëmijët e shtëpisë “Shpresa” ua transmetuan një ditë më vonë studentëve të Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Manastirin e Shën Vlashit. Ata organizuan një koncert festiv për të festuar së bashku.
|
![]() |
|
Ndërkohë edhe në Tiranë, Zyra Qendrore e Fëmijëve të Kishës sonë, organizoi me grupet e fëmijëve të komunitetit rom në Kinostudio, të fëmijëve që banojnë në Bathore, të fëmijëve në qendrën shpirtërore–arsimore “Thavor”, të fëmijëve që banojnë pranë “Shkollës së Kuqe” dhe atyre të Kishës “Ungjillëzimi i Perëndilindëses Mari” piknik në Malin e Dajtit dhe në kodrat e Liqenit Artificial, pranë kishës së Shën Prokopit. Këngët, lojërat dhe argëtimi kanë qenë pjesë e aktiviteteve të larmishme të fëmijëve të kryeqytetit.Kjo ditë tregoi se të gjithë kemi nevojë për momente qetësie shpirtërore e gëzim, të cilat na i japin më mirë dhe më shumë se kushdo tjetër fëmijët, pjesë shumë e rëndësishme e të gjithëve ne, për të cilët ushqejmë dashuri të papërshkrueshme.
|
|
|
|
|
|
|
|
|
Julia Pjetri& Isidor Koti
|
|






