“Zoti është bashkë me ne, edhe ne të jemi me Zotin.”

 

    Tradita shumëvjeçare e Kishës Orthodhokse në përkushtimin për edukimin e brezit të ri me mësimet e Jisu Krishit dhe të jetuarit e jetës sipas Tij vazhdoi  këtë vit me organizimin e Kampit Veror për Vajza në Manastirin e Hirshëm të “Shën Joan Vladimirit”  pranë  Elbasanit. Përkujdesja e veçantë e Kishës Orthodhokse dhe drejtuesit të saj Kryepiskopit Anastas mundësoi pjesëmarrjen e 250 vajzave nga zona të ndryshme të vendit në tre periudhat 10-ditore të kampit, nga data 28 qershor – 28 korrik, për mësimin dhe përjetimin e të vërtetave të besimit. 22 vajza u bënë anëtare të kishës sonë nëpërmjet Misterit të Pagëzimit.

    40 vajza të tjera nga Akademia Teologjike, katekiste me përvojë organizimi dhe anëtare të grupeve rinore ofruan shërbimin e tyre të çmuar në organizimin e programit të kampit duke bashkudhëtuar me vajzat pjesëmarrëse në mësimet ungjillore.

    Programi aktiv me konkurse dhe prezantime si: Reklama me tema të ndryshme mbi Lutjen, Misteret, Perëndinë, Mëkatin etj, Ekspozita e krijimeve artistike, lojërat olimpike, kampionati i volejbollit, punimet e dorës, mbrëmja humoristike, ora për t’u sensibilizuar më shumë për nevojat që kemi në botë dhe rolin e të krishterit përballë tyre, konkursi biblik dhe prezantimi i festave të Vitit Liturgjikal, bisedat dhe referatet, rritja e njohurive të besimit nëpërmjet takimit në grupe duke përdorur mësime nga libri: Jeta Jonë më Zotin, vëllimi I dhe II, i bënë ditët e kampit një udhëtim për përjetimin e besimit të krishterë dhe përgjegjësisë sonë si pasuese të Krishtit, Zotit të gjithësisë.

    Komunikimi i përditshëm me Krijuesin nëpërmjet lutjes dhe reflektimit të përditshëm, shpjegimi dhe pjesëmarrja në Liturgji Hyjnore, Pagëzim dhe Rrëfim ndihmoi më tepër në të kuptuarit e besimit,  jo thjesht si ritual, por si njohje dhe lidhje personale me Shpëtimtarin Jisu Krisht, Zotin tonë.  Zoti është gjithmonë me ne pavarësisht cilat jemi; dashuria e tij nuk kushtëzohet prej nesh, por kjo dashuri kërkon përgjigjen dhe përgjegjshmërinë tonë, kohën dhe përkushtimin tonë, veprat tona të dashurisë dhe përkujdesjes, – theksoi hirësi Andoni në referatin e tij në kampin e dytë.

    Pyeteni veten pse jeni këtu dhe çfarë doni nga Zoti. Mësoni të jetoni me veten dhe filloni udhëtimin për arritjen e njeriut të plotë – nxiti Hirësi Joani gjatë referatit të tij në kampin e tretë. 

    Jeta në kamp është një model i jetës shpirtërore që duhet të ndjek çdo i krishter. Kampi është “universiteti veror” shpirtëror, i cili na ndihmon ta shikojmë jetën jo thjesht si ekzistencë, por jetë me qëllim dhe me mision për përmbushjen e planit hyjnor për secilën prej nesh.

    Faleminderit të gjithë atyre që bënë të mundur këtë kamp, i cili është mrekulli çdo vit, sepse ku është Zoti aty është jeta dhe gëzimi, dhe në veçanti faleminderit prindërve që interesohen për edukimin me mësimet jetësore të fëmijëve të tyre duke i dërguar vajzat në kampin: “Bariu i Mirë”.

 

Ana Baba

 

 Foto nga kampi i parë i vajzave.

 
 

 Foto nga kampi i dytë i vajzave.

 

 

 

 

 Foto nga kampi i tretë i vajzave.