Atmosfera festive e Krishtlindjes nisi të ndihej që në orët e para të mëngjesit të datës 19 dhjetor, kur nxënësit e shkollës fillore 9-vjeçare shqiptaro-amerikane “Protagonistët” në kryeqytet, po përgatiteshin për ta pritur sa më mirë Krishtin-Foshnje, përmes një programi festiv.

    Në këtë atmosferë të prag Krishtlindjes, si gjithmonë përgatitja e parë është ajo e zbukurimit të ambientit, por nxënësit ishin zbukuruar dhe stolisur enkas për këtë program, më shumë se çdo ditë tjetër.
    Salla e Muzeut Historik Kombëtar në qendër të Tiranës ishte plot me prindër, fëmijë dhe të ftuar të tjerë, të cilët prisnin pa durim shfaqjen festive të 160 nxënësve të shkollës “Protagonistët”. Mes të ftuarve, ishte edhe Kryepiskopi Anastas, i cili gëzohej me gëzimin e fëmijëve këtë ditë të veçantë për ta.
   Dritat e bukura shumëngjyrëshe që shprehin madhështinë e këtyre festave, shoqëruar me pankartën “Ja Krishti lind, lavdërojeni” ishin skena dhe mesazhi kryesor që përcillej në sytë e të gjithëve. Kjo atmosferë festive nuk mund të jetë asgjë tjetër veçse një prelud Krishtlindjesh.
    Programi nisi me përcjelljen e mesazheve nga ana e fëmijëve si për t’i lajmëruar njerëzit se po afrojnë Krishtlindjet dhe duhet të bëhen gati, duke i shtuar kështu edhe më shumë gëzimin kësaj feste. Në vazhdim, nxënësit e kësaj shkolle kënduan këngë, recituan poezi, luajtën në piano, duke treguar se çfarë kishin mësuar gjatë gjithë vitit në gjuhën shqip, anglisht dhe greqisht dhe duke shprehur njëkohësisht edhe talentet e tyre në fusha të ndryshme.
    Aktiviteti ishte një theksim i atmosferës së gëzueshme dhe shpresëdhënëse që sjell për mbarë botën dhe fëmijët në veçanti kjo festë kaq e madhe dhe kaq domethënëse.
Isidor Koti