Më 1 tetor 2012, me bekimin e financimin e Kryepiskopit  Anastas, u hap  për herë të parë pas shumë përpjekjesh dhe lutjesh shkolla e Muzikës Bizantine në kompleksin Thavor në Tiranë. Pjesë e stafit të shkollës është Arkimandrit Justin Anthimiadhi, z.Theodhor  Peci, njëkohësisht edhe drejtor i shkollës, z.Stefan Zhupa  dhe disa pedagogë të tjerë të muzikës bizantine. Në këtë hap të ri të arsimit Kishtar, Fortlumturia e Tij me një dashuri e përkujdesje të veçantë, inaguroi këtë shkollë duke ju dhënë mundësinë të gjithëve atyre që kanë dëshirën e vullnetin për një kualifikim më të gjërë në Muzikën Bizantine. Në këtë ditë të vecantë Kryepiskopi Anastas kreu nje takim me të gjithë studentët  të cilët do të jenë dhe brezi i parë i kësaj shkolle. Një nga fjalët më të bukura që Kryepiskopi  Anastas tha në këtë takim ishte që: “ Kisha jep më të mirën për ju, e ju duhet të jepni më të mirën.”  Pas takimit me studentët, Fortlumturia e Tij Imzot Anastasi kreu dhe shërbesën e Ajazmës për të bekuar këtë fillim të ri. Në përfundim të shërbesës uroi  të gjithë studentët duke theksuar : “Le të Lavdërojmë Perëndinë për këtë hap të ri që na denjësoi për fillimin e kësaj shkolle për psaltët e hirshëm. Është dicka shumë e rëndësishme sepse Hieropsaltët kanë një rol shumë qëndror brenda adhurimit tonë. Të gjithë të bëni përpjekje sa keni mundësi për të patur rezultate sa më të mira, e për veç studimit të kultivoni një mardhënie harmonike midis jush.  Zoti të bëkojë çdo punë e përpjekie që bëhet.” Me këto fjalë të Kryepiskopit tonë, e me bekimet e Perëndisë, i urojmë mbarësi shkollës së re!
 

Pergatiti: Kristi Xhaferi