Nga viti në vit, përvoja e fituar nga nxënësit dhe stafin pedagogjik në shkollat e Kishës sonë kanë dhënë rezultate pozitive në drejtim të mbarëvajtjes dhe realizimit të objektivave.

 
    “Ne po përpiqemi të formojmë nxënësit në aspektin shpirtëror, shkencor dhe fizik, duke iu krijuar atyre të gjitha kushtet e nevojshme për këtë vit të ri shkollor”- tregon në ditën e parë të shkollës, z. Anastas Dodbiba, drejtor i
Liceut Kishtar, në Sukth të Durrësit. Kjo shkollë ka hapur dyert në vitin e dytë të funksionimit të saj. Kushtet janë përmirësuar edhe më shumë. Baza materiale dhe didaktike, konvikti, mensa… gjithçka është në kushtet më bashkëkohore. “E gjithë kjo është realizuar falë kujdesit shpirtëror dhe fondeve të siguruara nga Kryepiskopit Anastas, i cili na ka krijuar kushtet më të mira të mundshme që të ecim përpara” – thekson Dodbiba.

    Edhe në liceun tjetër kishtar, “Kryqi i Nderuar”, në Gjirokastër, ka nisur normalisht procesi mësimor. Ky është viti i dhjetë i funksionimit të kësaj shkolle dhe arritjet janë të dukshme në të gjitha drejtimet. Të rinjtë që mbarojnë këtë shkollë po ndjekin tani studimet e larta brenda dhe jashtë vendit. Tashmë shkolla vlerësohet për cilësinë jo vetëm në mësimdhënie, por edhe në përparimin e nxënësve, duke u renditur ndër shkollat më të mira në rajonin jugor.  Krahas lëndëve bazë zhvillohen edhe disa lëndë fetare, të cilat përgatisin dhe forcojnë jetën shpirtërore të liceistëve.
   
   Në vitin e tretë të saj çeli dyert edhe
shkolla profesionale “Apostull Pavli”, në Mesopotam të Sarandës, ku studiojnë rreth 100 nxënës në degët: Informatikë, instalime hidraulike, instalime elektrike dhe instalime frigoriferike. Drejtori i kësaj shkolle z. Orfea Beci tha se pavarësisht se këtë vit mungoi viti i parë, për arsye të sistemit të ri arsimor 9-vjeçar, interesimi i nxënësve ka qenë shumë i lartë, sepse arsimi profesional në Mitropolinë e Gjirokastrës po njeh nga viti në vit një përparim të dukshëm.

    Edhe në shkollat 9-vjeçare të Kishës sonë nisi me sukses viti i ri arsimor. Shkolla shqiptaro-amerikane “Protagonistët”, në Tiranë,  për herë të parë aplikoi sistemin e ri fillor 5-vjeçar. Risi për këtë vit është vendosja e e gjuhës greke, si gjuhë e dytë e huaj, nga klasa e tretë deri në të shtatën. Procesi mësimor sipas të gjitha parametrave, ndërsa sivjet u krijuan edhe dy klasa të para. Në fillim të vitit të ardhshëm, mjediset e kësaj shkolle do të zhvendosen në godinën e re dhe moderne, që po ndërtohet në rrugën e Kavajës.
 
   
Shkolla fillore 9-vjeçare shqiptaro-greke “Frymë dashurie”, në Durrës, e nisi ditën e parë me 58 nxënësit e saj, në një ambient shumë të bukur. Kisha ka siguruar bazën didaktike dhe mësimore për t’iu ardhur në ndihmë nxënësve dhe stafit pedagogjik. Klasat janë të rregulluara mjaft mirë, ndërsa nxënësit janë të pajisur me të gjithë librat. Që në ditën e parë të mësimit filloi realizimi i programin mësimor.

    Organizimi shumë i mirë për fillimin e mbarë të vitit të ri shkollor në shkollat e sistemit 9-vjeçar dhe të mesëm, të themeluara dhe të mbështetura nga Kisha jonë, me bekimin dhe mundësitë e krijuara nga Fortlumturia e tij, Kryepiskopi Anastas, tregon vlerësimin e madh që i jepet formimit të një brezi të ri me dije, kulturë dhe përparim shpirtëror.

     
    

Isidor Koti