Akademia Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash organizoi dy festa gjatë muajit nëntor me rastin e fillimit të kreshmës së Krishtlindjes si dhe festave kombëtare të 28-29 Nëntorit. Një festë madhështore si Lindja e Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht, sigurisht që do paraprihet nga një kohë e gëzueshme kreshmimi.
    Në këtë ditë kaq të rëndësishme, pikërisht me rastin e fillimit të kreshmës, më 14 nëntor, nderoi me pjesëmarrjen e tij dhe Mitropoliti i Beratit, Hirësia e tij, imzot Ignati. Ai ishte i ftuari i nderit dhe referuesi për këtë festë.
    Në fjalën e tij, ndër të tjera, ai theksoi: “Kreshma është thirrja për parapërgatitjen për ardhjen e festës së Krishtlindjeve. Edhe kjo kreshmë është një periudhë shumë e rëndësishme pas Triodit për vet faktin e Mishërimit të Fjalës. Mesia do ti pajtonte me Perëndinë, do t’i shpaguante nga ligji dhe do t’i bënte bij të Perëndisë.” Më tej ai nënvizoi se kjo është një festë e paperceptueshme, por madhështore, të gjithë u gjunjëzuan para Foshnjës Hyjnore. Thellësia e këtij misteri çuditi botën, madje edhe rreshtat engjëllore. Erdhi si i përulur, lindi në shpellë, njerëzit i bënë një pritje të varfër, nuk i kushtuan rëndësi, por lavdia e Tij shkëlqeu.
   Ai u njoh nga magët të drejtuar nga ylli, të cilët i dhanë nderim si mbret, e admiruan mrekullinë e jashtëzakonshme. Kjo festë është çlirim prej mëkatit.
    Më pas, duke uruar dhe inkurajuar të pranishmit, Hirësi Ignati përcolli një mesazh të rëndësishëm: “Le të lavdërojmë Zotin dhe le ta presim me shpirt të pastër, t’u shmangemi vogëlsirave të kota dhe të largohemi nga mëkati, sepse shpërblimi ynë do të jetë i madh. Për ata që presin këtë shpërblim, gëzimi nuk do të jetë as i huaj dhe as nostalgji, por i vërtetë.”
    Gjithashtu pjesë e këtij aktiviteti ishin dhe nxënësit e Shkollës së Mesme Kishtare “Kryqi i Nderuar”, Sukth si edhe fëmijët e Shtëpisë së fëmijëve “Shtëpia Orthodhokse e Shpresës” me një program të këndshëm, të përgatitur me shumë përkushtim, enkas për atë ditë. 
  
    Aktiviteti u mbyll me përlëshoren e Krishtlindjes, psalur nga kori i Akademisë dhe gjithë pjesëmarrësit.
                                                  *    *    *

    Ditën e enjte në datë 27 nëntor, u përgatit një takim i veçantë në sallën “Sion” në kuadër të festave kombëtare të 28-29 nëntorit. Aktiviteti u hap me troparin “Përlufteshës gjenerale”, për t’u pasuar me recitime, lexime dhe këngë të përgatitura enkas për këtë festë. Gjithashtu, këtij aktiviteti iu bashkëngjit dhe programi i përgatitur nga nxënësit Shkollës së Mesme Kishtare “Kryqi i Nderuar”, Sukth si edhe programi i fëmijëve të Shtëpisë së fëmijëve “Shtëpia Orthodhokse e Shpresës”.
    Referues në këtë ishte Episkopi i Krujës, Hirësia e tij imzot Andoni. Në fjalën e tij, ai nënvizoi rëndësinë e dashurisë, nderimit dhe respektit për vendin dhe njerëzit si një të drejtë që Perëndia e ka dhënë. “Njeriu duhet të respektohet për atë që ai është, pra, imazh i Perëndisë”. Hirësi Andoni theksoi rëndësinë e paqes, e cila “…jo vetëm duhet vlerësuar kur e ke, por edhe duhet kërkuar kur të mungon…”. Ai mbylli fjalimin e tij me mesazhin: “…dashuria për atdheun nuk është një utopi, as një demagogji por një urdhërim i Zotit.
    Aktiviteti u mbyll me himnin kombëtar të kënduar njëzëri nga të gjithë të pranishmit si dhe me falënderimet përkatëse për të pranishmit.
 
Nestilda Dangaj