Uji i bekuar u festua edhe në Mitropolinë e Korçës me bukurinë dhe madhështinë e ceremonive që shoqërojnë këtë ditë. Me qindra besimtarë morën pjesë më 6 janar në festën e Ujit të bekuar. Shërbesa e Mëngjesores filloi në orën 7:30, duke vazhduar me Liturgjinë Hyjnore dhe më tej me Shërbesën e Ujit të bekuar. Shërbesat u kryesuan nga Mitropoliti i Korçës, Hirësi Joani. Pas përfundimit të shërbesave, sipas një tradite të vjetër të kësaj zone, u zhvillua ankandi i ikonave. Çdo besimtar, në mënyrë simbolike merr një ikonë për një periudhë 40 ditore dhe më pas e rikthen atë në kishë kundrejt një kontributi të hollash.Hedhja e Kryqit në ujë ishte një bekim për të gjithë besimtarët, disa prej të cilëve sfiduan edhe ujërat e ftohta për ta kapur atë. Pas kësaj ceremonie, klerikët e Korçës u shpërndanë nëpër fshatrat për të kryer këtë ceremoni edhe te banorët e këtyre zonave.
Rreth orës 12.00, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” mbërriti Mitropoliti i Korçës, Imzot Joani. I gjithë populli orthodhoks, me ikona në duar, kishte dalë në breg të liqenit. Imzot Joani hodhi ujin e bekuar në liqen dhe spërkati me borzilok popullin. Më pas, ai hodhi kryqin nga lindja e liqenit dhe disa djem, pavarësisht temperaturës së ulët u kredhën në ujë për të kapur kryqin. I riu 18 vjeçar, Nikolla Petrit Gjika, kapi kryqin dhe u pasi e puthi u drejtua për tek Mitropoliti për të marrë bekimin, ndërsa i gjithë populli këndoi troparin: “Sa u pagëzuam me Krishtin, me Krishtin u veshëm…”.
Besimtarët uruan njëri-tjetrin për këtë ditë kaq të bekuar, që Perëndia i ka falur popullit të tij. Si bekim të kësaj dite besimtarët morën me vete me shumë shpresëtari dhuratën e veçantë të kësaj dite, ujin e bekuar për bekim në familjet e tyre.
At Ilia Kotnani, Vasil Jovan