Liturgji Hyjnore madhështore
24 Qershori shënon 20-vjetorin e zgjedhjes së Fortlumturisë së Tij, Anastasit, Kryepiskop të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë dhe të Ringritjes Kanonike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë
24 Qershori u kthye në një ditë tepër të veçantë. E kremtja e Lindjes së Shën Joan Pro-dhromit shënon edhe përvjetorin e Ringritjes Kanonike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, që nisi me zgjedhjen e Fortlumturisë së Tij Anastasit, Kryepiskop të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë. Këtë vit u mbushën plot dy dekada nga kjo ngjarje historike jo vetëm për orthodhoksët e Shqipërisë. Sigurisht u kremtua ashtu siç i takonte, me finalizimin e një prej ëndrrave më të mëdha të Kryepiskopit Anastas, që është edhe një kurorëzim i jashtëzakonshëm i veprës së mrekullueshme 20-vjeçare – rikthimin e Katedrales Orthodhokse në qendër të Kryeqytetit.
Dita nisi me Shërbesën e Thiraniksjes, Hapjes së Dyerve të Katedrales së re “Ngjallja e Krishtit”. Mijëra besimtarë u mblodhën me përkushtim, por edhe me padurimin për të parë këtë vepër madhështore, që zbukuron e nderon kryeqytetin dhe gjithë vendin, të cilën Fortlumturia e Tij ua dhuronte në këtë përvjetor. Dhe hapja e dyerve të mrekullueshme të bronzit ishte sikur hapeshin dyert e qiellit, siç do të thoshte më vonë Imzot Nikoni, me shfaqjen e Pantokratorit madhështor, realizuar i gjithi në mozaik.
Në Liturgjinë e parë Hyjnore, bashkëmeshuan Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë Anastasi, përfaqësuesit e Patriarkanës Ekumenike, Kryepiskopi i Amerikës, Hirësia e Tij Dhimitri dhe Mitropoliti i Filadelfias Melitoni, Episkopi i Bostonit dhe i Arqidioqezës Shqiptare Imzot Nikoni, anëtarë të Sinodit, si dhe klerikë nga të gjitha dioqezat.
Në Dhoksologjinë e kryer me këtë rast, në orën 10.30, nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe Presidenti i Republikës z. Bamir Topi, Kryetarja e Kuvendit znj. Jozefina Topalli, Ministrat Pollo, Bumçi e Ksera, Kryetari i PBDNJ z. Dule, përfaqësues diplomatikë etj. Ishin të pranishëm dhe përfaqësuesit e komuniteteve të tjera fetare.
Mbas Dhoksologjisë u mbajtën edhe fjalimet e rastit. Hirësia e Tij Melitoni lexoi përshëndetjen e Patriarkut Ekumenik Vartholomeut I. Pastaj përshëndetën Kryepiskopi i Amerikës Dhimitri dhe Episkopi i Bostonit Nikoni. Në emër të Sinodit të Shenjtë përshëndeti në këtë ditë të shënuar Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij Joani, i cili foli për veprën e Kryepiskopit Anastas në këto dy dekada, duke u ndalur veçanërisht te ndjenja e mirënjohjes së thellë që duhet të tregojë çdokush për çdo gjë që ai ka bërë për orthodhoksët dhe të gjithë vendin tonë.
Pas Liturgjisë Hyjnore u zhvillua dreka e rastit në Hotel “Rogner” dhe në orën 18:00 pasdite pati një koncert në sallën e re shumë të bukur të kompleksit.
Thoma Dhima