Tradita e ndarjes së kekut të shën Vasilit nuk kishte si t’i mungonte Qendrës së Rinisë Orthodhokse “Bethlehem”, e cila prej vitesh po kryen aktivitet të posaçëm për këtë festë. Dhjetëra të rinj e të reja, të udhëhequr nga drejtuesi i tyre shpirtëror Atë Justini, ishin përgatitur të organizonin më 23 janar një takim për të ndarë kekun e shën Vasilit dhe për të gjetur siç është tradita monedhën e njeriut me fat.
    I ftuar special ishte Kryepiskopi Anastas, i cili bashkëbisedoi me të rinjtë, duke folur për personalitetin e rëndësishëm të krishtërimit, shën Vasilin. “Kisha na sjell si shembuj shenjtorët, të cilët janë personalite të rëndësishëm që jetuan në këtë jetë. Shën Vasili ishte kërkues i absolutes, i së vërtetës dhe i vuri në përdorim gjithçka që kishte mundësi. Ai eci drejt dijes me shumë entuziazëm, prandaj edhe ju duhet të merrni shembull nga jeta e tij” – theksoi Kryepiskopi. Ai iu kujtoi të rinjve se feja përbën një anë të rëndësishme të civilizimit. Por është një mangësi shumë e madhe që në sistemin arsimor shqiptar, të rinjtë vazhdojnë të mos edukohen me lëndët fetare. Përdorimi i fjalëve dashuri, shpresë, nëse nuk lidhen me besimin janë pa pa vlerë.
    Pas bashkëbisedimit, Kryepiskopi ndau kekun dhe ua shpërndau të rinjve pjesëmarrës. Pak ditë më parë një aktivitet i ngjashëm u krye edhe studentët e “Folesë studentore” të Kishës sonë në Qytetin Studenti.
I.Koti