Qyteti 2400-vjeçar i njëmijë e një dritareve, Berati, mirëpriti nga datat2 – 4 nëntor, të rinjtë orthodhoksë të kësaj Mitropolie, në takimin me temë: “Të gëzuar me shpresën e Zotit”. Me bekimin e Kryepiskopit Anastas dhe me organizimin e Zyrës Kombëtare Rinore, u zhvillua një veprimtari që do të mbahet mend gjatë, nga rreth 80 të rinjtë pjesëmarrës, të cilët kaluan ditë të paharruara pranë Kishës dhe shoqërisë së krishterë.

    Në datën 2, në orën 17.00 pasdite, të gjithë pjesëtarët e këtij takimi u mblodhën në hotelin ku do të qëndronin, në qendër të qytetit, dhe më pas u njohën me programin. Në orën 18.00 u zhvillua shërbesa e mbrëmësores, në kishën e shën Spiridhonit, në lagjen Gorricë.

    Në fillim u shpjegua për të rinjtë kuptimi i kësaj shërbese dhe të gjithë pjesëmarrësit kërkuan bekimet e Perëndisë që ky takim të kalonte me harmoni. Në mbrëmje, pasi u prezantua programi i çdo grupi, të gjithë së bashku morën pjesë në lojërat argëtuese.

 

    Në këtë takim merrnin pjesë disa nga studentët e Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, shën Vlash, Durrës, të cilët ishin dhe drejtuesit e grupeve.

 

    Dita për të krishterët fillon me lutje drejtuar Perëndisë, prandaj të shtunën në mëngjes të gjithë të rinjtë shkuan përsëri në kishën e shën Spiridhonit, për t’i kërkuar Perëndisë bekimin për ditën që do të vijonte.

    Referati i parë u mbajt nga Mitropoliti i Beratit, Hirësia e Tij Ignati: “Ekzistenca jonë ngjan me një anije që çan detin e jetës dhe ka si paracaktim qiellin. Por shpesh herë ky det tronditet nga dallgët e ngasjeve dhe sulmohet nga erërat e fuqishme të provave të ndryshme. Dhe në këtë rast skafi i ekzistencës sonë lëkundet dhe rrezikon të përplaset në shkëmbinjtë nënujorë të dëshpërimit dhe të pabesisë. Kështu që na duhet spiranca, domethënë shpresa, por me një ndryshim, se kjo nuk mbështetet në rërën e fundit të detit të paqëndrueshëm, por në shkëmbin e palëkundur të Perëndisë së tërëfuqishëm. Nuk lëshohet poshtë, por depërton në qiellin, që mbahet nga vetë Zoti i gjithëpushtetshëm” – theksoi Hirësi Ignati.- I lumur, me të vërtetë, është ai, i cili ka shpresë të tillë në Perëndinë. Sepse “shpresa nuk të gënjen” (Rom: 5, 5). Përkundrazi, i mjerë dhe i vajtueshëm është ai që nuk ka shpresë, sepse ky ka humbur lidhjen e tij me Perëndinë e dashurisë dhe në çastet e hidhërimeve dhe të provave shumë lehtë zhytet dhe përmbytet në dëshpërim”.

    Më pas, murgu Serafim, foli mbi temën e vetëvrasjes dhe pasojave të saj.

    Programi vijoi pasdite në kalanë e lashtë të qytetit, të njohur për kishat e saj orthodhokse, ku ata të cilët nuk e kishin vizituar më parë u njohën me vlerat historike të saj. Pasdite morën pjesë sërish në shërbesën e mbrëmësores, që u krye nga Imzot Ignati në kishën e Profetit Ilia.

    Pas mbrëmësores, takimi vazhdoi me referatin e z. Miron Çako, me temë: “Mos kini frikë, unë e munda botën”. Ai foli rreth frikës nga Perëndia, vetvetja, njerëzit, natyra dhe vdekja, duke theksuar se duke zbatuar porositë e Perëndisë një i krishterë nuk duhet të ketë frikë nga asgjë, sepse për të kujdeset Zoti.

    Në mbrëmje, studentët e Akademisë prezantuan veprimtarinë dhe jetën e shkollës me anën e pamjeve nga mësimi dhe veprimtaritë e ndryshme. Duke qenë se pjesa më e madhe e të rinjve pjesëmarrës ishin maturantë, ky ishte një rast i mirë për ta, që të informoheshin dhe të njiheshin me Akademinë Teologjike Orthodhokse, në mënyrë që në të ardhmen disa prej tyre ta zgjedhin për të vazhduar studimet e mëtejshme.

    Programi i mbrëmjes ishte i mbushur edhe me aktivitete kulturore, ku të rinjtë shfaqën talentet e tyre në fushat e dijes, dhe më pas në një atmosferë të qetë medituese u përgatitën për Liturgjinë Hyjnore.

    Ditën e diel, Liturgjia Hyjnore u krye në kishën e shën Spiridhonit dhe u drejtua nga Hirësia e Tij Ignati. Momenti kulmor i saj ishte kur pjesa më e madhe e të rinjve u kunguan me Trupin dhe Gjakun e Krishtit.

     Të rinjtë u larguan nga ky takim, duke marrë bekimet e Imzot Ignatit, i cili me dashurinë e tij atërore i ftoi të merrnin pjesë sërish në veprimtaritë e ardhshme të gëzuar me shpresën e Zotit.
 

Harallamb Meçi