Nga 9-12 tetor, në Konstandinopojë, më ftesë të Patriarkut Ekumenik, Tërëshenjtërisë së Tij Vartholomeut I, u mbajt takimi i Primatëve të të gjitha Kishave të Shenjta Orthodhokse.

    Takimi filloi në datën 9 tetor, në Konstandinopojë në Selinë e Patriarkanës Ekumenike në Fanar, me një  pritje nga Patriarku Ekumenik.

    Në mëngjesin e ditës së premte të datës 10 tetor, në kryekishën e Shën Gjergjit, u hap zyrtarisht takimi nga Tërëshenjtëria e Tij Vartholomeu, ku mbajti edhe një fjalim mjaft të bukur, plot horizont dhe me mesazhe të shumta, për të vazhduar me sesionet plenare, që vazhduan pasdite dhe u mbyllën të shtunën paradite të datës 11 tetor.
 

   Gjatë këtyre 2 ditëve u punua shumë intensivisht për përgatitjen e një mesazhi të përbashkët të të gjithë primatëve dhe përfaqësuesve pjesëmarrës të Patriarkanave dhe Kishave Orthodhokse Autoqefale në botë drejtuar të gjithë besimtarëve orthodhoksë.

    Komisioni i përgatitor i mesazhit të përbashkët përbëhej nga Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë Anastasi, Mitropoliti i Smolenskut (Patriarkanës së Rusisë) Kirilli, Mitropoliti i Pergamit (Patriarkanës së Konstandinopojës) Joani, Mitropoliti i Francës Emanueli (Patriarkanës së Konstandinopojës). Ky komision hartoi këtë mesazh, duke u frymëzuar dhe punuar mbi mesazhet përgatitore që ishinpërgatitur nga takimi ndërorthodhoks i Rodos, nga fjalimi përshëndetës i Patriarkut Ekumenik dhe nga sugjerime të vetë primatëve dhe përfaqësuesve orthodhoksë pjesëmarrës të këtij takimi historik ndërorthodhoks në Fanar.   

    Takimi u mbyll me leximin e këtij mesazhi të përbashkët. (kliko)                   

    Mesazhi, u firmos nga të gjithë kryetarët e Kishave dhe përfaqësuesit e tyre të pranishëm.

    Të dielën, 12 tetor, po në kryekishën e Shën Gjergjit të Patriarkanës Ekumenike, në Fanar, të kremten e Etërve të Shenjtë të Sinodit VII Ekumenik, të gjithë Primatët kryen së bashku Liturgjinë Hyjnore, si shprehje e besimit të përbashkët dhe të pjesëmarrjes në Trupin e Zotit, që është Kisha jonë. Pas leximit të ungjillit të ditës u lexua menjëherë Mesazhi i Përbashkëti Primatëve të Kishave Orthodhokse nga kryesekretari i Patriarkanës Ekumenike Protopresviter Elpidhofori.

    Mbledhjen e Primatëve të Kishave Orthodhokse e rinovoi Tërëshenjtëria e Tij Patriarku Ekumenik z. Vartholomeu menjëherë pas zgjedhjes së tij, në mënyrë që të mundësohet e të tregohet dukshëm uniteti i Kishës Orthodhokse, por edhe që të arrihet koordinimi i Kishave Orthodhokse lokale për çështje të drejtpërdrejta bashkëkohore që shfaq koha e sotme. Siç dihet, takime të tilla të Primatëve janë bërë në vitet 1992 (në Fanar të Konstandinopojës), 1995 (Patmos), 1998 (Sofje), 2000 (Jerusalem, Konstandinopojë dhe Nikea të Bitinisë), 2005 (Fanar të Konstandinopojës).

 
*  *  *
                                                                                                                                 
                                      
                                                                   
    Përveç Takimit të Primatëve, u zhvillua edhe një simpozium shkencor, për Apostull Pavlin, vit që Patriarkana Ekumenike e ka shpallur si vit të përkushtuar veprimtarisë Apostolike të këtij apostulli të madh të kombeve.Ai filloi të dielën pasdite, në Konstandinopojë, për të vazhduar në datën 13 tetor deri në datën 16 tetor në qytete ku ka ungjillëzuar vetë Apostull Pavli.

    Folës në simpozium ishin profesorë universitetesh dhe specialistë të Dhiatës së Re nga mbarë bota e krishterë (orthodhoksë, romano-katolikë dhe protestantë). Gjatë punimeve të këtij simpoziumi shkencor u kryen vizita pelegrinazhi në Smirnë (Izmir), Efes, Pamfili, Atalia (Antalia), Pergë, Rodos dhe Kretë, vende të cilat i ungjillëzoi dhe i shenjtëroi Apostull Pavli.

    Delegacioni i Kishës sonë mori pjesë jo vetëm në Takimin e Primatëve të Kishave Orthodhokse, por edhe në të gjitha punimet e Simpoziumit për Apostull Pavlin. Delegacioni kryesohej nga Kryepiskopi Anastas dhe përbëhej nga Mitropolitët e Korçës e Gjirokastrës, Hirësinë e Tij Joanin dhe Hirësinë e Tij Dhimitrin dhe Kryedhjakon Asti Bakallbashi.