Prej disa muajsh, në ambientet e Qendrës Studentore të Kishës Orthodhokse në Tiranë, zhvillohen takime me çifte dhe familjarë. Nevoja për të qenë bashkë, për t’u rritur në besim dhe për të ndarë përvojat e jetës së përditshme, solli në organizimin e këtyre takimeve familjarët që kanë pasur një lidhje me Qendrën Studentore që kur ishin studentë. Miqësia që ata kanë me familjarë të tjerë të komunitetit të Kishës e zgjeroi pjesëmarrjen në këto takime, të cilat organizohen çdo muaj. Synimi i këtij aktiviteti është që çiftet të ndërtojnë dhe të forcojnë njëri-tjetrin, si edhe të frymëzohen për t’i shërbyer anëtarëve të tjerë të komunitetit.
 
    Pasditen e ditës së diel, 4 mars, u zhvillua takimi i katërt i radhës, i cili mblodhi së bashku 11 çifte, ku shumë prej tyre kishin marrë edhe fëmijët. Ky takim u përqendrua te Kreshma dhe dobia e saj në familje. Pjesën e parë të takimit e drejtoi Episkopi i Krujës, Hirësi Andoni, i cili iu kujtoi edhe njëherë çifteve se qëllimi i Kreshmës është kthimi te Perëndia, reflektimi personal dhe marrja e vendimeve pozitive. Gjithashtu, ai theksoi mësimet e Etërve të Kishës, të cilët i kanë mëshuar përfitimit shpirtëror të Kreshmës. “Shembulli i dashurisë, i pendimit dhe i përkushtimit te Zoti, është shembulli më i mirë që mund t’i japim njëri-tjetrit, por edhe fëmijëve tanë” – nënvizoi ai. 
 
    Ndërsa Episkopi i Bylisit, Hirësi Asti, iu kujtoi pjesëmarrësve se Kreshma është kohë për të menduar edhe për vëllezërit tanë në Krisht. “Asnjëherë të mos harrojmë se ne duhet të jemi të parët që të ofrojmë mikpritjen tonë te gjithsecili” – theksoi ai.
 
    Më pas, takimi vijoi me bisedën e përbashkët, ku u ndanë përjetime personale e frymëzuese si dhe mendime rreth kuptimit të Kreshmës së Pashkës. Këtë atmosferë të ngrohtë e dominonte harmonia dhe gëzimi i të qenit së bashku. Rritja e miqësisë na bën që të ndajmë gjithnjë e më shumë gëzimet dhe vizionet që kemi për të ardhmen, në shërbim të misionit të Kishës. Koha e lirë në fund të takimit krijoi më tepër hapësira për miqësi dhe ndarje përvojash.
 
Ana Meni