Në kuadër të pritjes së festës së Krishtlindjes, ditën e shtunë, më 18 dhjetor, në Qendrën Studentore të Kishës sonë në Tiranë u zhvillua takimi i studentëve orthodhoksë me temë: “Ku do të jetë grazhdi i Krishtit foshnjë për këtë vit”. Ky ishte takimi i fundit studentor për vitin 2010, takim i cili i përgatiti të gjithë për pritjen e madhe të ardhjes së Shpëtimtarit. Gjithçka në Qendër tregonte se kjo e kremte e madhe sjell harmoni dhe bukuri në jetë. Të gjitha zbukurimet tregonin në heshtje se në botë po vjen Drita, që i tregon të gjithë njerëzimit se si duhet të ecim në jetë.
Programi nisi me lutjen e mëngjesit, e cila u pasua nga referati i parë i misionares Pamela Barksdale, e cila theksoi rëndësinë e edukimit të krishterë në familje. Më pas, studentët u drejtuan për në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli”, ku atmosfera u mbush me gëzim edhe për të rinjtë orthodhoksë, edhe për fëmijët e kësaj Shtëpie, të cilët ndanë me njëri-tjetrin këngë e valle. Studentët iu dhuruan fëmijëve dhuratën e Krishtlindjes, duke ndarë me ta dashurinë e krishterë.
Pas kësaj vizite baritore, ata ndoqën referatin e dytë nga Episkopi i Apolloninë, Hirësi Nikolla, i cili theksoi që për këtë Krishtlindje dhe çdo ditë të jetës duhet të jetojmë çudinë, ashtu si Shën Maria me Josifin. “Jeta bëhet monotone, sepse nuk jetojmë çudinë. Zoti ynë është Zot i surprizave dhe gjithmonë na gëzon dhe na rrit me të papriturat që na sjell. Kur zbatojmë porositë dhe i bindemi vullnetit të Tij, atëherë e kemi bërë zemrën grazhd ku shtrihet foshnja e vogël Jisu” – përfundoi fjalën e tij, imzot Nikolla. Gjithashtu programi përmbante takime në grupe të vogla ku pjesëmarrësit reflektuan mbi ecurinë e tyre shpirtërore, orën e punimeve artizanale dhe përfundoi me shërbesën e Mbrëmësores. Para se të largoheshin, për secilin prej studentëve ishte përgatitur një surprizë. Sipas traditës së Krishtlindjeve, një student i veshur si shën Nikolla, ndau për të gjithë dhurata, në kujtim të dhuratës së madhe që Perëndia bëri për mbarë njerëzimin, Birin e tij të Vetëmlindur.
Ana Baba, Isidor Koti