|
Qendra Studentore e Kishës sonë organizoi takimin studentor të fundvitit me temë: “Pse lindet Jisu Krishti?” në Manastirin e Hirshëm të Shën Vlashit në Durrës, më 15 dhe 16 dhjetor 2007. Në të merrnin pjesë 80 studentë nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë që studiojnë në fakultete të ndryshme në Universitetin e Tiranës. Qëllimi i këtij takimi ishte që studentët të njiheshin me jetën shpirtërore, duke iu hapur atyre horizontin drejt realitetit të Perëndisë, të misterit të shpëtimit.
|
![]() |
![]() |
Secili prej tyre ishte i ftuar të merrte pjesë në një program të larmishëm. Programi përmbante fillimisht akomodimin, kokteilin me muzikë krishtlindjeje në sfond. Më pas u bë ndarja në grupe me simbolet e festës së Krishtlindjes si: Ylli, Grazhdi, Barinjtë, Shpella, Magët, Engjëjt. Pas ngrënies së drekës, u kryen vizita baritore në Shtëpinë e Fëmijëve në Shkozet, tek lypësit që qëndrojnë rrugëve të Durrësit, te shtëpia e fëmijëve në këtë qytet dhe në Shkollën e Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara.
|
|
Veç këtyre aktiviteteve, studentët bënë së bashku pushim buzë detit Adriatik. Rënia e gëzueshme e kambanave lajmëroi studentët se Mbrëmësorja e Madhe do të celebrohej në kishën e Manastirit. Ata u mblodhën përsëri në grupe për të reflektuar mbi vitin që shkoi dhe planet për vitin që po vjen. Bashkëbisedimi u organizua mbi disa pyetje si: Cilat ishin arritjet tona në këtë vit? Çfarë realizuam e çfarë jo? Çfarë objektivash kemi për vitin e ri? A do të përpiqeshin realisht? etj.
|
![]() |
![]() |
Më pas, të 6-ta grupet u mblodhën në kishën e shkollës, në të cilën u bë dhe meditimi i Krishtlindjes, që përmbante këngë dhe histori me tematikën e Krishtlindjes: “Pse lindi Krishti?” Brenda kësaj atmosfere dëgjoje fjalët: “Le ta lavdërojmë në mënyrë të drejtë Krishtin e porsalindur duke e pranuar në zemrën dhe jetën tonë në një mënyrë mistike, po aq dhe në mënyrë konkrete nëpërmjet njerëzve përreth nesh”.
|
|
Të dielën në mëngjes studentët morën pjesë në Liturgjinë Hyjnore. Atmosfera shpirtërore e Manastirit dhe qetësia e bënë edhe më të ndjeshme këtë shërbesë. Referati i parë u mbajt nga Mitropoliti i Korçës Hirësi Joan Pelushi, i cili foli për rëndësinë e Krishtlindjes, duke iu përgjigjur studentëve edhe rreth çështjeve të ndryshme të besimit.
|
![]() |
|
Programi vazhdoi me referatin e dytë të mbajtur nga Episkop Nikolla, zëvendësdrejtor i Akademisë Teologjike me temë “Ringjallja e Kishës”. Fjalimi i tij ishte i shoqëruar edhe me foto të dhëna në power-point. Ai tregoi se si ishte persekutuar Kisha në kohën e errët të komunizmit dhe ateizmit shtetëror. Hirësi Nikolla e përfundoi fjalën duke nënvizuar që Kisha jemi ne dhe në qoftë se ne nuk e mbajmë Atë, atëherë të tjerët do ta shembin.
Pasi shijuan edhe për pak çaste ambientet e bukura të Manastirit të Shën Vlashit, studentët u larguan me mesazhet më të mira nga ky takim dy-ditor.
Elena Krakulli
|
|




