Në orët e pasdites së ditës së shtunë të datës 10 maj, Manastiri i Hirshëm i Shën Vlashit në Durrës, mikpriti gratë e Lidhjes Orthodhokse të Dioqezës së Tiranës. Atmosfera e Pashkës bashkoi gratë nga rrethet: Tiranë, Durrës, Kavajë, Elbasan, Gramsh, Lezhë dhe Shkodër. Ato filluan aktivitetin me lutje duke u lutur në Mbrëmësoren e së shtunës dhe psalën përlëshoren e Grave Miroprurëse.

    Pas Mbrëmësores, Episkop Andoni foli për adhurimin në kishë dhe pjesëmarrjen e grave në të. Për çdo besimtar orthodhoks jeta në Krishtin është e lidhur ngushtë me adhurimin në Kishë – theksoi ai. Në vazhdim, Hirësi Andoni u përqendrua kryesisht  te Liturgjia Hyjnore dhe tek roli i grave miroprurëse në përcjelljen e lajmit të ngjalljes së Krishtit, duke treguar se gratë ishin ato që përhapën të parat lajmin e mirë.

    

    Por si duhet të veprojnë ato sot?  Gratë – tha ai – luajnë një rol të madh në jetën e familjes. Janë gratë ato që do t’i mësojnë fëmijët të kërkojnë për një jetë mëZotin, të vijnë në Kishë, të kenë dëshirë të luten e të kuptojnë shërbesat e Kishës, , janë gratë ato që do të rrisin fëmijë me perëndishmëri. Ato kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë një rol të madh në përhapjen e lajmit të mirë, ashtu si gratë miroprurëse.

 

    

    Përgjegjësja e Lidhjes së Grave të Dioqezës së Tiranës, znj. Rajmonda Shqevi në fjalën e saj tregoi se si e shikon gruan Shkrimi i  Shenjtë. Më pas, aktivistja nga Tirana e kësaj Lidhjeje, znj. Leonora Koço, tregoi për kontributin vullnetar të grave në Tiranë.

 

    Të  dielën e Grave Miroprurëse, gratë morën pjesë në shërbesat adhuruese e kremtuese, duke u lutur e psalur së bashku në kishën e Shën Vlashit të këtij Manastiri. Aktiviteti vazhdoi edhe të dielën me bashkëbisedime midis tyre, me shoqëri të reja dhe përvoja të reja, ndërkohë që edhe panairi i organizuar nga gratë e Tiranës tërhoqi vëmendjen e të gjithëve.

    Në orët e mesditës, Episkop Nikolla mbajti fjalën përshëndetëse. Pasi foli për të kremten e Grave Miroprurëse, Episkop Nikolla tha: “Gratë shkuan me guxim te varri, shkuan të parat dhe ishin po të parat që morën lajmin e mirë të ngjalljes së Krishtit dhe ishin përsëri të parat që e përhapën atë dhe vazhdojnë edhe sot të përhapin lajmin e Ngjalljes. Gratë nuk kanë mbetur mbrapa burrave në asnjë fushë, në asketizëm, në kreshëm, në lutje, në diturinë shpirtërore, etj.  Gruaja e krishterë duhet të jetë një figurë, një ikonë e së Tërëshenjtës Mari, në familje dhe në shoqëri, me sakrifica për familjen, me dashuri për bashkëshortin, fëmijët dhe të afërmit, të dijë si të sillet në familje dhe në shoqëri”.

    “Në kishë ne pastrojmë zemrat nga të gjitha mendimet e këqija dhe  në mendjen dhe zemrën tonë fusim dashurinë, vëllazërimin dhe qetësinë. Kur janë këto është edhe paqja mes njeri-tjetrit. Prandaj edhe kur takojmë njëra-tjetrën themi “Krishti mes nesh” – tha për radion Ngjallja znj. Sofika nga Kavaja. Ndërsa, Alketa, 23 vjeç, nga Cërriku thotë “Që të jesh i krishterë do të thotë të ndjesh dashuri për Zotin, të marrësh dashuri dhe të japësh dashuri”. Urimi “Krishti mes nesh” shoqëroi të gjithë aktivitetin e organizuar nga gratë e Lidhjes Orthodhokse të Dioqezës së Tiranës.

    Takimi përfundoi me një koncert të fëmijëve të Shtëpisë së Fëmijëve Orthodhokse Shpresa pranë Manastirit të Shën Vlashit dhe me mesazhin që çdo grua e krishterë orthodhokse duhet të ketë në jetën e saj: “Të duam Perëndinë, jetën, bashkëshortin, fëmijët e të afërmit dhe të bëhemi ikona të grave miroprurëse, në mënyrën se si ato e deshën Zotin dhe si e përhapën lajmin e Ngjalljes”.        

 

 

Julia Pjetri

Nga Radio “Ngjallja” FM 88.5