Në kuadrin e aktiviteteve përmbyllëse për vitin 2007, në prag të festës së Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri 2008, Qendra Studentore e Kishës Orthodhokse organizoi aktivitete të larmishme me studentët orthodhoksë, të cilët vijnë nga qytete të ndryshme të vendit dhe ndjekin studimet në Universitetin e Tiranës.

    Një prej veprimtarive ishte vizita tek njerëzit në nevojë. Këtë herë vizita u krye tek fëmijët e Shtëpisë Orthodhokse të Shpresës, në Shën Vlash – Durrës ku morën pjesë 22 studentë nga Qyteti Studenti. Aktiviteti u gërshetua edhe me vizita në Akademinë Teologjike dhe në Manastirin e Shën Vlashit. Në Akademi studentët u pritën ngrohtë nga zëvendësdrejtori Episkop Nikolla Hyka, i cili ndër të tjera i nxiti studentët që ta mbushnin kohën me më shumë punë e aktivitet, duke mos lejuar kështu të ligun të punojë në jetën tonë.

    Për më shumë se një orë, studentët qëndruan me fëmijët në programin e tyre argëtues me lojëra, këngë, volejboll, futboll, këngë me lëvizje, vrapime etj. Pas drekës me studentët e Akademisë Teologjike, studentët u njohën me ambientet e Akademisë, bibliotekën e pasur, klasat, kishën e shkollës ku kryen edhe shërbesën e Paraklisit të Shën Marisë.

    Me shumë frymëzim u larguan nga Manastiri i Shën Vlashit për të vizituar një tjetër ambient edukues të Kishës sonë, liceun “Kryqi i Nderuar” në Sukth. Pas një pritje mjaft të ngrohtë të Atë Gjerasim Çakallit, studentët u njohën me ambientet dhe programin e shkollës.

     Përjetim përlotës

   Në vazhdim të aktiviteteve të kësaj natyre, pas Liturgjisë Hyjnore në Qendrën Studentore, studentët vizituan pjesën më të varfër të Tiranës, zonën e Babrrusë, ku banojnë familjet rome. Disa ditë përpara vizitës, studentët orthodhoksë grumbulluan rroba dhe ushqime për këto familje.

 

    Rreth 100 fëmijë e adoleshentë u mblodhën së bashku me studentët dhe pas mirëseardhjes u ndanë në grupe të vogla ku mësuan këngë dhe lojëra të ndryshme. Ata bënë përshëndetje me këngët, vallet, dhe vjershat e tyre.

    “Kjo ditë është shumë e veçantë për mua – tha Kozeta. Nuk kisha menduar kurrë që ka njerëz që jetojnë në këtë gjendje. Ne zhytemi në jetë dhe parashtrojmë kërkesa pa fund, ankesa pa arsye dhe harrojmë të mendojmë se sa shumë kemi dhe sa punë duhet të bëjmë në ndihmë të të tjerëve. Të gjitha këto që pashë dhe mësova më nxitën ta jetoj jetën më me përgjegjësi”.

    “Nuk kam fjalë të shpreh ndjenjat që përjetova – thotë Marigela. Sot ika nga mësimi dhe vendosa të vij me ju. Jam shumë e prekur, por edhe e gëzuar që edhe unë munda të ofroj pak dashuri dhe gëzim tek këta fëmijë kaq të mrekullueshëm. Edhe ata janë bijtë e të Lartit si të gjithë ne”.

     Meditim Krishtlindjesh

    Të martën me 18 Dhjetor 2007 në Qendrën Studentore të Kishës Orthodhokse u zhvillua takimi festiv me rastin e Krishtlindjes, në të cilin merrnin pjesë rreth 100 studentë. Salla e zbukuruar me pemën e Krishtlindjes në të cilën ishin vendosur emrat e të gjithë studentëve që marrin pjesë në aktivitetet studentore, grazhdi që tregonte se mbreti i botës lë qiellin dhe lindet në një vend kafshësh, qirinjtë e ndezur, fjongot zbukuruese, etj të futnin në një tjetër atmosferë.

    Episkop Nikolla mbajti referatin me temë: “E gjithë zemra jonë, grazhd për Krishtin foshnje”. Ai që zbret nga qielli nuk kërkon që ta duam në disa momente, apo kur të kemi nevojë, theksoi Hirësia, Ai kërkon ta duam me gjithë mendjen, zemrën dhe qenien tonë. Referati i Hirësisë i nxiti edhe më shumë studentët të mendojmë për jetën dhe qëllimin e saj, dhe për më tepër vendin që ka Zoti në jetën e secilit prej nesh. Në qetësi të plotë të gjithë pjesëmarrësit morën nga një kartolinë ku shkruan se si do të rritej lidhja e tyre me Perëndinë dhe çfarë veprash konkrete dashurie do të bënin në lidhje me të afërmin e tyre.

    Pas kësaj të gjithë së bashku këndonim rreth grazhdit këngë për lindjen e Krishtit, derisa një nga studentët i veshur si Shën Nikolla hyn me shumë gëzim në sallë dhe u uron të gjithëve gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri që po vjen. Ai u ndau të gjithëve dhurata. Duke kënduar së bashku “Gëzuar Krishtlindjet dhe Vitin e Ri”,  dolëm jashtë dhe me shpërthimet e fishekzjarreve i uruam të gjithëve edhe një herë “gëzuar”. Çdo student mbante në dorë një fishekzjarr të vogël dhe tërë grumbulli i studentëve dukej si një copë qielli me yje që këndonin gëzueshëm për lindjen e Shpëtimtarit. Të gjithë studentët u larguan nga Qendra duke medituar për lindjen Shpëtimtare të Zotit tonë dhe përgjegjësitë që kemi për jetën tonë këtu në tokë. Lavdi Perëndisë që na denjëson të kremtojmë së bashku veprat e mëdha që Ai bëri për shpëtimin tonë.

    Të rritemi së bashku në një komunitet dashurie me në qendër Krishtin

   Para së të largoheshin në familjet e tyre për pushimet e fundvitit, studentët zhvilluan një lutje të përbashkët. “Mund të iknim që në mëngjes në shtëpi, thanë disa prej studentëve, por nuk donim të humbnim takimin e sotëm.  Është bekim i veçantë për ne që Kisha na ofron mundësi të tilla, prandaj përpiqemi të mos i humbim”. Nën flakët e qiririt studentët lexuan lutje të ndryshme dhe kënduan së bashku këngë të krishtera dhe këngë Krishtlindjesh.

 

O Zoti im…

O Zoti im, besoj tek Ty, forcomë besimin,

shpresoj tek Ty, siguroma shpresën,

të dua, dyfishoma dashurinë,

pendohem që kam gabuar, shtoma pendimin,

të adhuroj si parimin tim të parë,

të dëshiroj si qëllimin tim të fundit,

të lavdëroj si mirëbërësin tim të përhershëm,

të thërras për ndihmë si mbrojtësin tim Sovran,

drejtomë me mençurinë tënde,

përmbamë me drejtësinë tënde,

ngushëllomë me zemërgjerësinë tënde,

mbamë me fuqinë tënde,

Zoti im, të përkushtoj mendimet e mia,

fjalët e mia, veprimet e mia, vuajtjet e mia.

Që tani e tutje do të mendoj për ty, do të flas për ty,

do të veproj siç vepron ti, do të vuaj për ty.

Dua atë që do ti, sepse e do ti, siç e do ti, aq sa e do ti.

Të lutem o Zot, falmë zgjuarsi.

Udhëhiqmë  vullnetin,

pastroma trupin,

shenjtëroma shpirtin,

ndihmomë, o Zot, të pendohem për gabimet e shkuara,

të zotëroj tundimet e ardhme,

të korrigjoj ngasjet e mia të ndyra,

të praktikoj virtytet e natyrës sime.

Më mbush zemrën me dashurinë për mirësinë tënde,

me zellin për të afërmin tim,

me neverinë për botën sekulare,

paça në zemër bindjen ndaj eprorëve,

vlerësimin për miqtë, faljen për armiqtë,

të sundoj sensualitetin dhe vetëposhtërimin,

koprracinë ta kthej në lëmoshë,

zemërimin në ëmbëlsi,

përtacinë në vetëmohim,

bëmë të jem i matur në këshilla,

i qëndrueshëm në rreziqe,

i durueshëm në prova,

i thjeshtë në suksese,

bëj o Zot që të jem i vëmendshëm në lutje,

i përmbajtur në të ngrënë,

i zellshëm në punën time,

i qëndrueshëm në vendimet e mia,

të kem kujdes që të kem zemër të pastër,

veshje të thjeshtë,

bisedë ndërtuese,

sjellje të rregullt,

të kem sytë hapur për të sunduar natyrën,

për të pasur hirin,

për të zbatuar ligjin tënd dhe për të punuar për shpëtimin,

të mësoj nga ty, o Zoti im,

sa e vogël është çdo gjë tokësore dhe sa e madhe është çdo gjë qiellore,

sa të shkurtra janë gjërat e tokës, sa të pavdekshme janë ato të përjetësisë.

Më përgatit të jem gati për vdekjen,

që të kem frikë gjykimin tënd,

që të shpëtoj nga ferri,

që të fitoj parajsën. Amin

 

    Së bashku në lutje dhe në udhëtim drejt qiellit shijuam aromën e parajsës. Lutuni edhe ju për ne.

 

 

     Përgatitën: Ana Baba, Elena Krakulli