KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË
ZËVENDËSIA ARKIHIERATIKE – DURRËS
KISHA “APOSTULL PAVLI & SHËN ASTI”
Adresa: Lgj. 3. Rr. Skënderbej, pranë BKT. Tel & Fax +355 522 307 67
SQARIM
Sqarojmë besimtarët orthodhoksë dhe të gjithë opinionin e gjerë publik në lidhje me vendosjen e bustit të Episkop Theofan Nolit në qytetin e Durrësit se:
Kemi qenë dhe jemi dakort që busti i tij të vendoset në qytetin tonë.
Ju bëjmë me dije se, pas informacioneve jozyrtare që morëm, ne kontaktuam me personat nismëtarë, ku edhe një herë shprehëm gatishmërinë tonë për vendosjen e bustit në Durrës.
Gjatë kësaj kohe kemi qenë në pritje të kërkesës zyrtare nga ana e tyre, në mënyrë që në vazhdim të ndiqeshin të gjitha rrugët e ligjshme institucionale për realizimin final.
Deri në këto momente nuk kemi ende një kërkesë zyrtare në adresë të Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqipërisë, Zëvendësia Arkihieratike “Apostull Pavli & Shën Asti”, Durrës.
Ndërkohë që jemi në pritje të kërkesës zyrtare, papritur mësuam se deklarohet që “bisedimet për këtë bashkëpunim paskan dështuar”! Sqarojmë edhe një herë, se nuk është e vërtetë që këto bisedime janë ndërprerë dhe as kanë dështuar apo iu është dhënë ndonjë përgjigje negative.
Mesa duket personat që po bëjnë deklarime të tilla e kishin paracaktuar që në fillim një përfundim të tillë, për të mënjanuar tërësisht Kishën tonë nga ky aktivitet dhe për ta përdorur më pas.
Urojmë që pas këtij sqarimi të gjendet dëshira e mirë për bashkëpunim dhe gjetjen e një zgjidhjeje optimale siç e kërkon edhe nderimi i një personaliteti poliedrik, si ai i Episkopit Theofan S. Noli.
Klerikët dhe anëtarët e Këshillit Kishtar
Durrës më, 28.06.2014