Sot në Pogradec kishte një atmosferë festive, për orthodhoksët por edhe për komunitetin më të gjerë: Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasi, së bashku me Mitropolitin e Korçës Imzot Joanin dhe Episkopin e Amantias Imzot Nathanailin, kreu ceremoninë e Shenjtërimit të Kishës së bukur të Ngjalljes së Zotit Jisu Krisht, në qendër të qytetit.
Ishin me qindra besimtarët nga qyteti por dhe enoritë e tjera përreth, me gjithë klerikët e tyre, që iu gëzuan këtij momenti të shenjtërimit të kishës së tyre, që u ndërtua nga të parat, qysh prej vitit 1994-1996. Pas ceremonisë me shërbesën madhështore orthodhokse të Shënjtërimit, vazhdoi Liturgjia Hyjnore arkieratike, që e kryesoi Kryepiskopi Anastas.
Kjo ditë e bekuar për Pogradecin dhe Mitropolinë e Hirshme të Korçës, përkonte me një përvjetor të bekuar të Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, atë të plotësimit të 22 vjetëve nga Fronëzimi i Kryepiskopit, që ishte një hap vendimtar në rrugëtimin e ngritjes kanonike të saj pas persekutimit të pashoq komunist.
Kryepiskopi përshëndeti besimtarët dhe klerikët duke i përgëzuar ata për përparimin shpirtëror dhe duke i nxitur për forcimin e besimit si mbështetja më e mirë për kapërcimin e momenteve të vështira që kalon shoqeria. Duke kultivuar njerëz të besës, bij të Ngjalljes, tha Kryepiskopi, njerëz të dashurisë, të së vërtetës, të sakrificës painteres, Kisha bëhet kontribues në luftën kundër sëmundjes bashkëkohore të korrupsionit, e cila i ka rrënjët në egocentrizmin, rendjen pas pasurimit dhe tek gënjeshtra. Një qendër kultivimi bijsh të Ngjalljes do të jetë pikërisht edhe kisha që sot u shenjtërua këtu në Pogradec dhe sikundër kisha të tjera që mbajnënë emrin e Ngjalljes së Krishtit, kaq domethënëse në këtë periudhë ngjallësore që përjeton Kisha jonë pas Hadhit të persekutimit ateist. Kjo kishë, sikundër dhjetra të tjera dhe sikundër të gjitha kishat orthodhokse, do të jetë një qendër lutjeje dhe paqtimi, një vend ku njerëzit përmes lutjes vijnë në komunikim me Perëndinë, por edhe në takim me njerëzit e tjerë, theksoi Kryepiskopi.
Me veprën e saj ndërtimore Kisha jonë përvec që siguroi vende adhurimi dhe veprimtarie sociale, që i kishte nevojë, u fali qyteteve dhe fshtarave vepra arkitekturore të një hijeshie të veçantë. Ajo që është e rëndësishme gjithashtu dhe që e referoi është fakti se me këtë veprimtari intensive Kisha u ofroi punë qindra personave, duke siguruar mirëqënie dinjitoze edhe familjeve të tyre në mbarë Shqipërinë dhe duke sjellë të ardhura në ekonominë e vendit.
Falenderim të thellë shprehu edhe Mitropoliti i Korçës, Imzot Joani, për veprën e madhe të Kryepiskopit Anastas në ringritjes e Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Vizita e Kryepiskopit vazhdon me kryesimin e Liturgjisë nesër në Katedralen e Ngjalljes në Korçë.
* * *
Caste nga Sherbesa e Shenjterimit te Kishes dhe te kryerjes se Liturgjise hyjnore, kryesuar nga
Kryepiskopi i Tiranes, Durresit dhe i gjithe Shqiperise Imzot Anastasi.
Keto sherbesa u transmetuan drejtperdrejt nga Radio Ngjallja ne 88.5 FM dhe ne internet ne linkun http://www.ustream.tv/
Foto nga Harallamb Tereziu dhe Thoma Dhima.
Dëgjoni kronikën e përgatitur nga Radio “Ngjallja”, FM 88.5.