Shenjtërimi i Kishës së re Katedrale “Ngjallja e Krishtit”, Tirane. (1 Qershor 2014)   

    Ditën e diel, më 1 qershor 2014, përurimi i Kishës së re Katedrale “Ngjallja e Krishtit”, mblodhi në Tiranë kryetarët dhe përfaqësuesit e Kishave Orthodhokse, duke e kthyer për një ditë Shqipërinë, si kurrë në histori, në qendrën e botës Orthodhokse. Eshtë kjo ngjarje një vlerësim përfundimtar burim krenarie për veprën e jashtëzakonshme të Kryepiskopit Anastas, që e ringjalli Kishën tonë nga hiri i gërmadhave ateiste dhe e bëri të barabartë me të gjitha kishat e tjera. Ishte dhe konsakrimi më domethënës i Autoqefalisë reale të arritur në këto vite, pas rrugës së mundimshme në shek. XX.

    Festa filloi me pritjen në aeroportin e Rinasit të patriarkëve, kryepiskopëve dhe përfaqësive, nga ana e Kryepiskopit Anastas dhe anëtarëve të Sinodit të Shenjtë të Kishës sonë. Veçanërisht mbresëlënëse ishte pritja e Patriarkut Ekumenik, Tërëshenjtërisë së Tij Vartholomeut, nga Fortlumuria e Tij, Anastasi dhe anëtarët e Sinodit, si dhe të rinj orthodhoksë me kostume kombëtare, që i dhuruan buqeta me lule dhe morën bekimet e tij. Anëtarët e delegacioneve u vendosën në Hotel Sheraton dhe për disa prej tyre që erdhën më shpejt u krijua mundësia për të bërë vizita për të parë nga afër disa nga arritjet e këtyre viteve, si klinika orthodhokse “Ungjillëzimi”, shkollat etj.

   Të dielën në mëngjes, Mëngjesorja dhe Shërbesa e Shenjtërimit nisën në kishëzën “Lindja e Krishtit”, pjesë e kompleksit të katedrales. Aty ishin edhe lipsanet e martirëve të shenjtë që do vendoseshin më pas në Tryezën e shenjtë të Katedrales. Që aty nisi litania me lipsanet, në të cilën morën pjesë të gjithë Patriarkët, Kryepiskopët dhe përfaqësuesit e Patriarkëve, bashkë me klerikë të shumtë. Lipsanet u mbajtën me radhë nga Patriarkët, të cilët lexuan edhe lutjet në gjuhët e tyre. I pari në Katedrale Hyri Patriarku Ekumenik, i pasuar nga të gjithë klerikët e tjerë dhe besimtarët e shumtë.

    Pas vendosjes së lipsaneve në Tryezën e shenjtë filloi Liturgjia e përbashkët Hyjnore e Kryetarëve të Kishave Orthodhokse, që u kryesua nga Tërëshenjtëria e Tij, Patriarku Ekumenik, Vartholemeu I, me pjesëmarrjen e Fortlumturive të Tyre, Patriarkut të Jerusalemit, Theofilit; të Serbisë, Irineut; të Rumanisë, Danielit; të Kryepiskopit të Qipros, Krisostomit; të Athinës, Jeronimit; të Varshavës, Savës, si dhe të Kryepiskopit të Tiranës, Anastasit. Bashkëmeshuan edhe Hirësitë e Tyre Mitropolitë, përfaqësuesit e Patriarkëve, i Aleksandrisë Mitropoliti i Kampalës Jona; i Antiokisë, Mitropoliti Isak; i Moskës, Mitropoliti i Tambovit Theodhosi; i Bullgarisë, Mitropliti Serafim i Nevrokopit dhe i Gjeorgjisë, Mitropoliti Gerasim i Zugdidi dhe Tsaishit.

    Për të nderuar këtë ngjarje të shënuar për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë erdhën Presidenti, Z. Bujar Nishani, Kryetari i Parlamentit, Z. Ilir Meta, Kryeministri, Z. Edi Rama dhe zonja Rama, Kryetari i Opozitës dhe Z. Lulzim Basha e zonja Basha, Zëvendëskryeministri, Zëvendëskryetari i Kuvendit, Z. Vangjel Dule, Z. Niko Peleshi, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Z. Erion Veliaj, Nuci apostolik. Mons. Ramiro Ingles, Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Kishës Katolike në Shqipëri, Mos. Angelo Masafra, deputetë, politikanë, ambasadorë etj.

    Në fund të Liturgjisë e mori fjalën Kryepsikopi Anastas, i cili tha ndër të tjera se: “Prania juaj këtu, në të Dielën e sotme, e cila përkon me kujtimin e 318 Etërve të Sinodit të Parë Ekumenik, thekson me një emfazë të veçantë unitetin e Orthodhoksisë, të vërtetën se “në qoftë se një pjesë vuan, gjithë pjesët vuajnë bashkë me të; ose në qoftë se nderohet një pjesë, të gjitha pjesët gëzohen bashkë me të” (1Kor. 12:26-17). Pra ngjarja e sotme nuk përbën nder të madh vetëm për Kishën e Shqipërisë, por njëkohësisht është edhe një dëshmi më e gjerë e Orthodhoksisë Mbarëbotërore, “që shtrihet nga njëri skaj i botës në tjetrin”. Dita e sotme vulos një periudhë historike Pësimi, Varrosjeje dhe Ngjalljeje të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë. Nuk do t’u referohemi kushteve, rrugëve pa krye, keqkuptimeve, shpifjeve, vështirësive objektive, sprovave të vështira apo arritjeve gjatë këtyre 23 viteve të gjata. Tashmë nuk mund të vihet në dyshim se, në një epokë pasigurie dhe trazirash, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, me praninë dhe nismat e saj sociale të shumanshme, forcoi besimin, dashurinë dhe shpresën e popullit orthodhoks dhe të shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Me aktivitetin e saj, kontribuoi në mënyrë thelbësore në një periudhë historike kritike, për rindërtimin e përgjithshëm dhe zhvillimin shpirtëror e social të Shqipërisë…”

    Më pas e mori fjalën për të përshëndetur Tërëshenjtëria e Tij, patriarku Ekumenik Vartholomeu, i cili tha: “Na ka mbledhur sot kjo ngjarje e madhe dhe historike: Ceremonia e shenjtërimit të Kishës së Shenjtë të Ngjalljes, e cila vërteton edhe ngjalljen e Kishës Orthodhokse Autoqefale në Shqipëri. Ne të krishterët shpresëtarë e orthodhoksë dallohemi për faktin se besojmë në ngjalljen e të vdekurve, duke pasur të parë Zotin tonë të Ngjallur, Jisu Krishtin. Jisu Krishti u ngjall me fuqinë Tij dhe bashkëngjall me Veten e Tij të gjithë besimtarët, i fton të gjithë njerëzit që të marrin pjesë në ngjallje. Për ata që nuk besojnë te Jisu Krishti ngjallja duket si mit. Por, nga përvoja e shenjtorëve, ne kemi përvojën e Ngjalljes, e cila është edhe realiteti, dhe përvoja jonë biomatike. Në këtë kuptim, edhe shenjtërimi i kësaj Kishe të shkëlqyer Katedrale të Ngjalljes, përbën sot një provë, se Ngjallja është realiteti, se Kisha Orthodhokse e Shqipërisë, e cila dikur ishte e vdekur për shkak të persekutimeve ateiste, tashmë është e gjallë, plot jetë dhe kreativitet“. Mbarimi i Liturgjisë ishte një festë e vërtetë, me shtrëngime duarsh, falëndërime dhe fytyra të hareshme nga gëzimi i kësaj ngjarjeje të jashtëzakonshme për orthodhoksët e Shqipërisë.

    Pas mbarimit të Liturgjisë Hyjnore të Shenjtërimit të Katedrales, në sallën e madhe të Hotel “Sheraton” u shtrua dreka e rastit, për ngjarjen e shënuar për gjithë orthodhoksët.

    Në të merrnin pjesë të gjithë Patriarkët, Kryepiskopët dhe përfaqësuesit e Patriarkëve, bashkë me delegacionet që i shoqëronin. Merrnin pjesë të ftuar edhe persona që kanë dhënë ndihmesë të shënuar në ngritjen e kësaj vepre, arkitektë, ndërtues, donatorë etj. Morën pjesë edhe kryetarët e Komuniteteve Fetare, ambasadorë, intelektualë të njohur orthodhoksë, miq të Kishës sonë etj.

    Nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe Presidenti i Republikës, Z. Bujar Nishani, Kryetari i Kuvendit, Z. Ilir Meta dhe Kryetari i opozitës, Z. Lulzim Basha.

    Gjatë drekës u shkëmbyen shumë fjalime urimi, ku u vlerësua ndërtimi katedrales madhështore dhe gjithë vepra e jashtëzakonshme e Kryepiskopit Anastas. Në fjalën e tij Patriarku Ekumenik Vartholomeu do të theksonte ndër të tjera, se: “…Besimi dhe përjetimi i përbashkët shpirtëror janë ato elemente, që i ndihmojnë të krishterët të krijojnë midis tyre dhe në mbarë botën, ndjesinë e thellë dhe vëllazërore të unitetit dhe të mbështetjes së ndërsjellë. Dhe është diçka që pranohet nga të gjithë, se gjatë gjithë kësaj kohe të gjatë të kryepriftërisë Suaj dhe perëndipëlqyer në Shqipëri, punuat me sukses, për kultivimin e dashurisë dhe të bashkëpunimit midis gjithë njerëzve, pavarësisht besimit fetar. Është e vërtetë, Fortlumturi, se me anë të shembullit tuaj historik, u treguat të gjithëve se Kisha Orthodhokse në Shqipëri i përqafon të gjithë me të njëjtën dashuri të madhe.”

    Në fund të çdo përshëndetjeje delegacionet i dhanë Kryepiskopit Anastas edhe dhuratat e rastit dhe Fortlumturia e Tij u dorëzoi dhuratat e përgatitura për ta me këtë rast.

 

V i d e o  r e p o r t a zh

–  A1 Report – Shenjtërohet “Ngjallja e Krishtit” me krerët e Kishës Ortodokse – https://www.youtube.com/watch?v=25zHeQlQM5A&app=desktop 

– Top Channel Albania – News – Lajme – Shenjtërohet kisha “Ngjallja e Krishtit” – https://www.youtube.com/watch?v=MWd1ahHbU0U

News 24 – Shenjtërohet Katedralja “Ngjallja e Krishtit”, krerët e Ortodoksisë botërore në Tiranë – https://www.youtube.com/watch?v=glVtZNr1Plc 

Vizion Plus –Shenjtërohet katedralja “Ngjallja e Krishtit” – https://www.youtube.com/watch?v=-WSCojQqMtg

– Ora News – Shenjtërimi i kishës “Ngjallja e Krishtit”, në ceremoni krerët e ortodoksisë botërore – https://www.youtube.com/watch?v=0qznJUSGTxg

Video fragmente nga Liturgjia Hyjnore

– TVSH – https://www.youtube.com/watch?v=65q_kn3_-SA

TVSH – Fjala e Kryepiskopit Anastas – Λόγος του Αρχιεπισκόπου Αναστασίου – https://www.youtube.com/watch?v=HDmUDGwxNvg

TVSH – Fjala e Patriarkut Vartholome – Λόγος του Πατριάρχη Βαρθολομαίου – https://www.youtube.com/watch?v=mHY5umpsN-c

 

 

Shenjtërimi i Katedrales “Ngjallja e Krishtit” - 1 Qershor 2014