– Kisha Orthodhokse ndihmon me metoda bashkëkohore në mësimdhënie –
|
|
Rexhep Begaj u mahnit nga mikpritja. Mësuesi i vjetër në moshë dhe me përvojë të gjatë në arsim, e shpalosi falënderimin me një buzëqeshje të hollë, si për të treguar gëzimin mes të gjithëve. “Nuk e kisha menduar më parë këtë kohë që kaluam këtu në Shqipëri. Kisha Orthodhokse e Shqipërisë na ka bërë një pritje të jashtëzakonshme. Por më shumë, dua të veçoj takimin me Kryepiskopin Anastas. Ai është një lider i mrekullueshëm dhe me të drejtë na tha se ne shqiptarët kemi jo vetëm tolerancë fetare, por edhe tolerancë vëllazërore”- theksoi z. Begaj.
|
|
Z. Begaj mori pjesë në një seminar, ideuar posaçërisht për t’u ardhur në ndihmë mësuesve kosovarë të komunës së Malishevës, me të cilët stafi i Zyrës Qendrore të Fëmijëve të Kishës, i drejtuar nga z. Nathan Hoppe ka nisur bashkëpunimin prej vitesh, përmes aktiviteteve me fëmijët që kryhen çdo verë aty. Këtë herë bashkëpunimi u përqendrua në një vend-takim tjetër…
|
|
|
|
Në datat 14 – 16 nëntor, në një nga hotelet e bregdetit të bukur të Durrësit, 16 mësues të shkollave 9-vjeçare nga Malisheva dhe 15 të tjerë nga aktivistët e stafit të veprimtarive që organizon Kisha Orthodhokse e Shqipërisë në Kosovë, morën pjesë në seminarin me karakter trajnues “Metodat bashkëkohore të mësimdhënies” me lektore mësuesen amerikane Ann Braynt, me 30 vjet eksperiencë dhe kualifikime të ndryshme në arsim. Prej kohësh ishte menduar një takim frytdhënës dhe duket se u arrit qëllimi në formën më të mirë të mundshme, përmes një programi të pasur aktivitetesh dhe shkëmbimi njohurish.
|
|
Fjalën përshëndetëse të fillimit të seminarit, e mbajti Episkopi i Krujës, Hirësi Andoni, i cili shprehu dëshirën që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe gjatë viteve të ardhshme.
Disa nga tematikat e trajnimit ishin rreth organizimit të mësimit në një klasë ku përdoren shumë shqisa, sepse në bazë të kërkimeve të fundit është parë se nxënësit mësojnë në mënyra të ndryshme. Në klasë duhet të përdoren metodat dëgjimore, vizuale dhe kinestetike.
|
|
|
Përdorimi i hartave ose skicave në bazë të një funksioni logjik gjatë orës së mësimit janë mjete nëpërmjet të cilave mësimi mund të përmbajë të tre metodat e sipërpërmendura, kjo në mënyrë që nxënësit të mësojnë në mënyrë aktive.
“Kjo është një përpjekje nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë për të dhënë ndihmesën e saj në rritjen e nivelit të arsimimit në Kosovë. Pjesëmarrësit nuk janë vetëm mësues, por edhe miqtë tanë më të mirë, me të cilët kemi bashkëpunuar në Kosovë dhe është gëzim që jemi të gjithë bashkë në Shqipëri” – theksoi drejtuesi i këtij aktiviteti z. Nathan Hoppe.
Pas trajnimit, të dielën, pjesëmarrësit morën pjesë në Liturgjinë Hyjnore që u zhvillua në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses” në Tiranë ku edhe patën mundësinë të takohen edhe me Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin Anastas. Pas Liturgjisë Hyjnore, u nisën për të vizituar ambientet e Akademisë Teologjike dhe Manastirit të Shën Vlashit. Atje u pritën ngrohtësisht nga Zv/drejtori Episkop Nikolla, me të cilin pas drekës, patën një bashkëbisedim miqësor.
Ditën e fundit të veprimtarisë, për miqtë nga Kosova u realizua një ekskursion në qytetin e lashtë të Krujës. U krye një vizitë në muzeun e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit si dhe në fund u ndanë përshtypjet rreth kësaj përvoje të paharruar me njëri-tjetrin.
———————
Ndihma dhe prania e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë në Kosovë ka qenë e vazhdueshme që prej vitit 1999 dhe ka ndjekur një traditë të pasur përgjatë këtyre viteve. Përmes kampeve me natyrë edukative dhe argëtuese me fëmijët e familjeve kosovare është realizuar një bashkëpunim i ngushtë në shkëmbimin e ideve dhe thellimin e miqësisë, e cila nisi gjatë kohës së luftës dhe vijon të rritet çdo vit. Ky aktivitet, i pari i realizuar në Shqipëri me arsimtarët kosovarë, shërbeu si një nxitje për të vijuar më tej bashkëpunimin dhe miqësinë me njëri-tjetrin.
|
Isidor Koti