Në 14 kopshtet e Kishës sonë në të gjithë vendin filloi viti i ri 2008-2009 i përkujdesjes ditore për fëmijët e moshave 3-6 vjeç. Siç është bërë traditë, për nisjen e mbarë dhe vazhdimin me sukses të punës në kopshte, u krye Shërbesa e Ajazmës, e drejtuar nga priftërinjtë e enorive. Në këtë ditë feste, të pranishëm ishin prindër dhe fëmijë si dhe të ftuar të tjerë për të ndarë së bashku gëzimin. Kjo Shërbesë e rëndësishme kishtare u krye në të gjitha kopshtet që puna dhe edukimi të fillojë me bekimin e Perëndisë. Në 10 kopshtet që mbulon Kryepiskopata, pjesëmarrja është rreth 500 fëmijë, pa dallim feje dhe përkatësi shoqërore, me parimin “i barabartë midis të barabartëve”.
Shërbimi që u ofrohet fëmijëve është bashkëkohor, me ambiente moderne dhe kushte cilësore mësimdhënieje, personel të kualifikuar dhe shërbim mjekësor të përhershëm. Gjithashtu në të gjitha kopshtet fëmijëve u ofrohet një vakt para drekës. Në raport me shërbimin që ofrohet dhe kujdesin e gjithanshëm, pagesa në kopshtet e Kishës është minimale, sepse Kryepiskopi Anastas i kushton rëndësi zhvillimit të tyre dhe ndihmon gjithmonë financiarisht si dhe kujdeset shpirtërisht për ta, në mënyrë që të jenë njerëz të së nesërmes në gjirin e Kishës dhe të shoqërisë. Orari i qëndrimit të fëmijëve është 7.30 – 13.30.
Personeli mësimdhënës i të gjitha kopshteve është me arsimin përkatës dhe i trajnuar në seminare që u zhvilluan nga lektorë të kualifikuar me temat përkatëse si shoqërore dhe profesionale. Gjatë vitit 2008 janë zhvilluar dy seminare me pjesëmarrjen e të gjitha stafeve mësimdhënëse të kopshteve në muajt korrik dhe shtator. Seminari i parë në muajin korrik kishte si temë: “Mësimdhënia dhe procesi i të nxënit në moshat 3-6 vjeç” dhe seminari i dytë në shtator me temën shoqërore: “Mobilizimi i komunitetit të prindërve për të bashkëpunuar në edukimin e fëmijëve”. Seminari i parë është drejtuar nga z. Robert Gjedia në Institutin e Kurrikulave dhe të Standardeve dhe seminari i dytë nga znj. Arjana Haxhiu, trajnere pranë Organizatës ANTTARC. Të gjithë këtë bagazh njohurish, edukatoret tona do ta vënë në shërbim të fëmijëve dhe të prindërve.
Në të gjitha kopshtet, puna ka filluar normalisht dhe të gjithë fëmijët janë të pajisur me librat dhe materialet personale. Aktualisht në kopshte ka filluar faza e dytë e punës për të parë në terren përvetësimin dhe zbatimin e programeve nëpërmjet mësimeve të hapura që do të zhvillohen në tre kopshte. Për këtë vit të ri janë përzgjedhur kopshtet e Shkodrës, Beratit dhe Durrësit.
Drejtoresha e kopshteve
Nafsika Melo
Post Views: 0