Dita e martë, më 22 tetor, shënoi fillimin e takimeve të përgjithshme, një traditë e ruajtur që prej shumë vitesh. Tema e vitit akademik 2008 – 2009 për Qendrën Studentore do të jetë: “Të ecim si bij të dritës”.
Ndërsa çdo të enjte tashmë në qendrën studentore organizohet ora shpirtërore në grup të vogël, në të cilën studiohet dhe diskutohet rritja jonë në Zotin, duke u bazuar në një tekst të caktuar.
Çdo të shtunë, do të zhvillohet Liturgjia hyjnore e pasuar nga vizita baritore në njerëz në nevojë dhe aktivitete sportive.
Qendra Studentore me shërbimet që ofron dhe gjithë aktivitetet që organizohen aty kanë si qëllim të përmirësojnë cilësinë e jetës studentore të të rinjve që jetojnë në Qytetin Studenti, duke i bërë anëtarë të një komuniteti dashurie me në qendër Krishtin.
Qendra Studentore është e hapur çdo ditë nga 9:00 – 20:00. Studentët mund të vijnë çdo ditë në Qendër për të punuar në kompjuter, për të studiuar për provimet e tyre, për t’u çlodhur, për të kaluar kohë me njëri-tjetrin, si dhe për të marrë pjesë në aktivitetet e Qendrës.
Këtë vit, ajo është e pajisur me një bibliotekë të pasur me libra të shumtë, rreth 1.000 libra dhe lidhen me degët përkatëse që studentët ndjekin. 7 kompjutera janë në shërbim të studentëve, si dhe një sallë për punime artizanale, me ide e modele të ndryshme, si qëndisje me motive fetare, thurje komboskini, punime të ndryshme me rruaza, punim në allçi etj. Në hyrje të Qendrës është vendosur një raft me materiale të ndryshme të besimit tonë si dhe në lidhje me problemet sociale si droga, Hiv-Aids etj. Këto materiale ofrohen falas te studentët me qëllim që ata të rritin njohurinë mbi jetën shpirtërore dhe të ndërgjegjësohen më tepër në lidhje me problemet sociale.
Koordinatore e Qendrës Studentore,Tiranë