Fuqitë qiellore, nga dashuria dhe dhembshuria për njerëzit, gëzohen se erdhi Shpëtimtari. Me ketë gëzim, edhe “engjëjt e vegjël” të shkollës shqiptaro-amerikane “Protagonistët”, në Tiranë, e Kishës sonë, e pritën festën e Krishtlindjeve me një program të veçantë pasditen e 22 dhjetorit.
      Mes shumë të ftuarve: klerikë, prindër, të rinj etj., në ambientet e reja të shkollës, pikërisht në katin e parë ku organizohen veprimtaritë kulturore, koncerti i përvitshëm i nxënësve të kësaj shkolle dhuroi emocione të veçanta.
     Pema e stolisur, muret e ndriçuara dhe ngado zbukurime. Festa ndihej kudo, veçanërisht në zemrat e fëmijëve. Ata shprehin një gëzim të madh dhe një ngazëllim të papërshkruar, një gëzim ku marrin pjesë të gjithë. “Gëzuar Krishtlindjet”, ishte ky urimi që lexohej në qendër të skenës festive, e shoqëruar me dritat e bukura shumëngjyrëshe. Kjo atmosferë nuk mund të jetë asgjë tjetër veçse një prelud Krishtlindjesh.
     Programi nisi me përcjelljen e mesazheve nga ana e fëmijëve si për t’i lajmëruar njerëzit se po afrojnë Krishtlindjet dhe duhet të bëhen gati, duke i shtuar kështu edhe më shumë gëzimin kësaj feste.
      Në vazhdim, nxënësit e kësaj shkolle kënduan këngë, recituan poezi, luajtën në piano, duke treguar se çfarë kishin mësuar gjatë gjithë vitit në gjuhën shqip, anglisht dhe greqisht dhe duke shprehur njëkohësisht edhe talentet e tyre në fusha të ndryshme.
     Ata morën shumë përgëzime dhe duartrokitje, duke u përcjellë me dashamirësi nga të gjithë të pranishmit për kurajën, shpresëtarinë dhe dashurinë që shprehnin për Krishtin foshnje, në çdo pjesë interpretimi.
Isidor Koti