Të enjten, dt. 23. 01. 2013, në orët e pasdites në një nga sallat e Hotel “Mondial” në Tiranë u organizua promovimi i librit “Kombi shqiptar, univers historik dhe fetar”, me autor publicistin Pirro Prifti, me profesion mjek specialist me titull Profesor i Associuar. Arsyeja e aktivizimit në të dyja fushat ka qenë përgjegjshmëria që ndjen autori si intelektual për të dhënë ndihmën e tij në zhvillimin e jetës së vendit.
Në pjesën e parë të kësaj përmbledhjeje, z. Pirro Prifti ka paraqitur shkrime të botuara në këto tre dekadat e fundit. Autori përqendrohet mjaft në problematikën fetare, ku i kushton vëmendje të veçantë bashkëjetesës fetare në Shqipëri, duke e promovuar si simbol të harmonisë dhe tolerancës, pa lënë menjëanë edhe mjaft vështirësi që feja ka hasur në këto 20 vite në Shqipëri.
Ndër të tjera autori, duke sjellë fakte të reja, lartëson punën e madhe që është bërë për ringritjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Në një nga shkrimet e tij më të arrira “20 vjetori i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë të vitit 2012”, ai përmend se rolin e Fortlumturisë së Tij Kryepeshkopit të Shqipërisë Anastas Janullatos, në ringjalljen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Në publicistikën e tij ai trajton gjithashtu në mënyrë origjinale edhe probleme të tolerancës fetare.
Në këtë takim ishin të ftuar Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Imzot Anastasi, Kryegjyshi i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve Baba Mondi, ish deputeti Gaqo Apostoli, që në parathënien e këtij libri i ka cilësuar shkrimet si “këndvështrime origjinale në publicistikë”, Rektori i Universitetit “Logos” prof. Ilia Telo, kolegë në fushën e mjekësisë, letërsisë, gazetarisë dhe miq e të afërm të autorit. Prof. Ilia Telo në fjalën e tij përshëndetëse pasi foli për figurën e autorit, u ndal tek publicistika e botuar në këtë libër. Ai i vlerësoi këto shkrime për vlerat historike që bartin në këto momente të rishikimit të historisë së vendit, duke theksuar se ato flasin mjaft qartë për mirëkuptimin fetar në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë shfaqin rolin që ka luajtur Besimi Orthodhoks në vendin tonë, duke përmendur heroin kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, si mbrojtës së Krishtërimit, shën Kozmain, Fan Nolin dhe së fundmi Kryepiskopin Anastas. Si kryetar i shoqatës së demografëve në Shqipëri, ku edhe autori i librit është mjaft aktiv, prof. Ilia Telo, shprehu mendimin e tij edhe për CENSUSIN e fundit në Shqipëri. Solli fakte që tregonin për gabimin e rëndë që është bërë në këtë regjistrim, “i cili kushtoi shumë shtrenjtë” për ekonominë e vendit tonë të varfër.
Në vazhdim përshëndetën edhe ish deputeti Gaqo Apostoli, prof. Beatriçe Pollo dhe njëherësh kolege në Universitetin “Logos”. Autorin e uroi edhe Baba Mondi Kryegjyshi i Kryegjyshatës Botërore së Bektashinjve me seli në Shqipëri.
Julia Lila