Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

PASHKË 2007

Fitore e trefishtë

+Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë

 

    Klerit dhe besimtarëve shpresëtarë Orthodhoksë,

    Bij të shtrenjtë më Zotin,  

 

    “Dhe u ngjalle si Fitimtar, o Krisht Perëndi”

 

 

I

 

    Sot, me ngazëllim të veçantë kremtojmë FITOREN kryesore, triumfin e trefishtë të Zotit tonë Jisu Krisht; fitoren e drejtësisë, fitoren e dashurisë, fitoren e jetës. Predikimi për Kryqin dhe Ngjalljen përmbledh mesazhin e krishterë dhe mbetet udhërrëfyes dhe frymëzues i spiritualitetit orthodhoks. “E kremtja e të kremteve dhe gëzim i gëzimeve”, Ngjallja konfirmon në çdo kohë se Jisu Krishti është Fitimtari i përjetshëm.

    Armiqtë e Tij kishin besuar se duke ngritur turmën me anë të demagogjisë, me gjyqin e paligjshëm që arritën të bënin dhe, së fundi, me Kryqëzimin, E mposhtën përfundimisht. Por Ai, vetëm pas tri ditësh, u ngrit nga varri për t’u bërë personi kryesor në kohë dhe në hapësirë. “Perëndia e mbilartësoi Atë dhe i fali emër që është përmbi  çdo emër, që në emrin e Jisuit të përkulet çdo gju” (Filip. 2:9-10).

    Kjo Ngjarje është ngushëllim dhe shpresë edhe për ne, që shpesh ankohemi për djallëzinë dhe ligësinë që na rrethojnë dhe shpesh duan të na mbysin; për kërcënimin e çdo lloji nga “vorbulla e dinakëve” në jetën shoqërore, nga grupe të ndryshme që i shohim të shkelin, zyrtarisht apo fshehurazi, të drejtën për t’u shërbyer planeve të tyre të paligjshme; për padrejtësinë që shpesh mbizotëron në mjedisin tonë, shtrihet në shoqërinë tonë dhe, më gjerë, në arenën ndërkombëtare. Krishti i Kryqëzuar dhe i Ngjallur prej së vdekurish këmbëngul dhe shpall se “në botë pikëllim do të keni, por kini guxim; unë e kam mundur botën” (Jn. 16:33). Fitorja përfundimtare do të jetë fitorja e drejtësisë.

 

 

II

 

    “Dhe u ngjalle si Fitimtar, o Krisht Perëndi”, dhe shfaqe qartë fitoren e dashurisë mbi urrejtjen, frikën dhe egoizmin. Një fitore paqësore, pa daulle e trumbeta, plot qetësi dhe dritë. Në çdo çast të jetës së Tij në tokë, Jisui zbulonte “gjerësinë, gjatësinë, thellësinë dhe lartësinë” e dashurisë që solli në botë me anën e fjalës, veprës dhe pranisë së Tij. Ngjallja e Tij vulosi triumfin përfundimtar të dashurisë.

    “Pra, qëndroni në dashurinë time”, kërkoi nga ne. Dhe që të mos mbetemi në përgjithësime, Ai shpjegoi: “Ai që ka porositë e mia dhe i ruan, është ai që më do; atë që më do mua, edhe im Atë do ta dojë, edhe unë do ta dua dhe do t’i shfaq veten time”(Jn.14:21). Të gjithë ata që lidhen organikisht me Krishtin, i Cili është Dashuria e qenësishme, në fund dalin fitimtarë të jetës. “Dashuria kurrë nuk bie poshtë” (I Korinth. 13:8). Që të kremtojmë thelbësisht Ngjalljen, duhet të bëhemi gjithnjë e më shumë njerëz të dashurisë së sinqertë dhe të vërtetë, duke falur miqtë dhe armiqtë, tanët dhe të huajt. “E kemi thënë, vëllezër, dhe ata që na urrejnë t’i falim gjithmonë në Ngjallje. Dhe të themi me zë të lartë: Krishti u ngjall prej së vdekurish.” 

 

III

 

    Në radhë të parë Ngjallja e Krishtit tregon më së miri fitoren e jetës mbi vdekjen mizore dhe mbi çdo gjë që lidhet me të. Kisha jonë këmbëngul duke psalur këtë të vërtetë: “Duke pasur, o Krisht, fitoren ndaj Hadit, në Kryq u gozhdove që ata të cilët ndodhen në errësirën e vdekjes t’i ngresh me veten tënde, i çliruar nga të vdekurit, jetë buron nga drita jote”. Dëshirën e zjarrtë për plotësinë e jetës nuk e mbyti Krishti, përkundrazi, Ai deklaroi se ka ardhur “që të kenë jetë dhe ta kenë me të tepërt” (Jn.10:10). Me Ngjalljen e Tij na siguroi se jeta, më në fund, është më e fuqishme se vdekja; se në personin e Tij përmblidhet thelbi i saj. “Unë jam ngjallja dhe jeta” (Jn. 11:25).

    Të gjithë ne që E ndjekim pas, të rritur, të rinj e fëmijë, le të mos kemi frikë se po na çon në një sistem të mbyllur, të kufizuar, që mohon gëzimin e jetës. Në të kundërt, na garanton një jetë të ndritur, dinamike, në të cilën thirremi të zhvillojmë në mënyrë krijuese të gjitha kapacitetet që Ai na ka falur. Gjithashtu, një jetë që shtrihet në përjetësi. Fitorja e Tij ka konsekuenca tek çdo njeri që E ndjek pas dhe I beson. “Ai që më beson, edhe në vdektë, do të rrojë” (Jn. 11:25). Por, më gjerë, ndikimet e Ngjalljes janë mirëbërëse për mbarë njerëzimin; edhe pse shumë herë ato nuk duken me sy.

 

IV

 

    “Dhe u ngjalle si Fitimtar, o Krisht Perëndi”. Besimi në Ngjalljen e Krishtit është ai që për shekuj mban Kishën e Tij. Këtë gjë kanë shpallur që në fillim Apostujt. Kjo përbën fuqinë e saj. Sigurisht, nuk kanë munguar as ata që predikimin për Kryqin dhe Ngjalljen e kanë quajtur “marrëzi” ose “skandal”. Por, për ne të krishterët mbetet urtësi dhe fuqi Perëndie, siguri për fitoren. “Çdo gjë që lind prej Perëndisë, e mund botën; dhe kjo është fitorja që mundi botën: besimi ynë” (I Jn. 5:4-5).

    E kremtja e sotme e tërëndritur këtë të vërtetë na fton që ta bëjmë tonën: duke forcuar vazhdimisht besimin dhe duke u përqendruar në sigurinë e Zbulesës: “Këto thotë i pari dhe i fundit, i cili qe i vdekur dhe jetoi… bëhu besnik gjer në vdekje dhe do të të jap kurorën e jetës… Fitimtarit nuk do t’i bëhet keq prej vdekjes së dytë” (Zbul. 2:8-11).

    Le të kremtojmë me ngazëllim fitoren unikale dhe të përjetshme të drejtësisë, të dashurisë dhe të jetës, që u bë realitet me triumfin e Krishtit të Ngjallur prej së vdekurish. Dhe le t’i shtojmë përpjekjet që të bëhemi gjithnjë e më shumë njerëz të Ngjalljes, që përherë shohin, besojnë dhe luftojnë, sipas mundësive, për fitoren përfundimtare të drejtësisë, të dashurisë dhe të jetës. Krishti u Ngjall!
 

Me gjithë dashurinë time,
    

+ Anastasi

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë