Tranzicioni ynë i pafund, ka lënë gjurmët e tij të ndjeshme edhe në komunitetet fetare, sidomos për sa i përket pronave të tyre. Është afirmuar vazhdimisht me zhurmë liria dhe bashkëjetesa shembullore fetare, por asnjë qeveri nuk e ka vrarë mendjen se me se do mbijetonin këto komunitete. Ndryshe nga vendet ish-komuniste, ku jo vetëm u kthye prona e komuniteteve, por shteti i ndihmoi ato konkretisht me fonde për kapërcimin e plagëve të ateizmit shtetëror, në Shqipëri, megjithëse ishte vendi ku besimi u godit më egër, deri në përpjekjen donkishoteske për zhdukjen e tij, shteti nuk mori përsipër asgjë. Përveç ndonjë lehtësie doganore kufizuar, komunitetet fetare kanë paguar taksa e tatime për ndërtimet e tyre, që janë hequr nga paratë e dhuruara, dhe ndërkohë kanë parë me dhembje abuzimin me pronat e tyre nga turli lloj falsifikatorësh, të cilëve nuk u hynte asnjë gjemb në këmbë.

Përmeti i vitit 1935 ku duket kisha e mbaruar

    Jo vetëm nuk u dhanë fonde për asgjë, por shteti nuk ktheu as arkivat dhe objektet e sekuestruara, që ka në zotërim. Kështu asistojmë në groteskun, që dikush që do një vërtetim pagëzimi të para vitit 1967, duhet të paguajë Arkivin  e Shtetit për ta marrë, duke i shtuar padrejtësisë edhe shfrytëzimin abuziv.

    
    Një dëshmi e këtyre padrejtësive është edhe çështja e kishës së Përmetit. Një vend i shenjtë, vatër shpirtërore e kulturore, që u mor dhe u transformua për t’i shërbyer formimit të “njeriut të ri”. Emri i Naim Frashërit ishte vetëm një dekor dhe jo thelbi i saj, sepse me mjediset e veprimtarinë e saj i shërbeu politikës ateiste të komunistëve në pushtet dhe aspak vizionit prej besimtari dhe atdhetari të Naimit. Madje, pas viteve ’90, ajo u degradua plotësisht dhe u rrethua nga kioska, ndërsa brenda saj zhurmonin jo veprimtaritë kulturore, por topat e bilardos.

Kisha e Përmetit, viti 1950, duket kisha e mbaruar
dhe territori i madh qëe rrethon

Faza e ndërtimit të objektit

    Por, në vitin 2000 u duk se më në fund çdo gjë ishte zgjidhur. Me vendime të të tri shkallëve të gjyqësorit godina iu njoh Kishës, e cila jo vetëm rifilloi atje shërbesat e ndërprera për një çerek shekulli, por hapi edhe kopsht për fëmijët dhe organizonte veprimtari me te rinjtë përmetarë.  Ndaj ishte befasuese dhe e dyshimtë kur gjykata e shkallës së parë, kundër çdo logjike juridike, rihapi një proces tjetër, kësaj radhe me palë drejtorinë e kulturës të qytetit, proces  i cili në mënyrë të habitshme konkludoi që kisha duhej t’i rikthehej shtetit. Ky gjykim u zhvillua mbi bazë argumentesh të stisura dhe ekspertizash false, që nuk merrnin parasysh faktet dhe dokumentet, që kishte pranuar më parë gjyqësori në të gjitha shkallët.

    Kujtojmë këtu gjithashtu, se kisha është pronare jo vetëm e truallit ku ngrihet godina, por edhe e truallit rrotull tij dhe nuk ka vetëm pak metra katrorë, siç shkruajnë disa media. Këto qëndrime apo shtrembërime nuk bëhen nga padija, sepse gjithkush që dëshiron e ka të lehtë të njohë të vërtetën e bazuar mbi dokumente dhe mbi kujtesën popullore. Kujtojmë këtu, se vetë Kryeministri Berisha ka thënë se: “Nga ana tjetër nuk duhet harruar se një betejë konstante zhvillohet prapë midis ateizmit dhe besimeve fetare. Se kur mendoj unë historinë e Pallatit të Kulturës në Përmet, ajo është një nga më domethënëset. Aty ka qenë një kishë, për të cilën ka një memorie i gjithë qyteti…”

Gjurmëtëmurit lindor të çatisë së kishës

Pamje nga gjendja ekzistuese

    Por, le të ndalemi tek e vërteta për kishën dhe pallatin e kulturës: janë ato e njëjtat gjë apo jo?
    

    Duhet thënë se nga pamja arkitektonike transformimi i 1967-tës i kishës rezultoi në një pakicë ndryshimesh në strukturën e saj. Pjesa lindore u zmadhua në lartësi, kurse murit ekzistues në pjesën jugore iu bë një shtesë. Gjithashtu një brez betoni, u shtua në një pikë të lartë të mureve të kishës, dritaret dhe disa hyrje të saj u mbyllën, dhe u hapën të tjera, ndërsa pjesët e brendshme dhe të jashtme u modifikuan për nevojat e shtëpisë së kulturës. Megjithatë, del qartë se, nën këtë që duket sot si një shtëpi kulture, në realitet ndodhet një kishë me vlerë të veçantë, jo vetëm për historinë, por edhe për arkitekturën e saj.

    Kisha, pas Shpalljes së Pavarësisë (1912) si një lloj reagimi ndaj kufizimeve të ligjit osman mbi aktivitetin ndërtimor kishtar, paraqet vullnetin e popullit përmetar për të rindërtuar një kishë madhështore, duke imituar modelet paleokristiane. Kjo zgjidhje arkitektonike mund të gjendet në përgjithësi nëpër qytete ballkanike të tjera, por në kontekstin e Shqipërisë është mjaft e rrallë.

    Por, kisha e Lindjes së Hyjlindëses Mari në Pazarin e Vjetër të Përmetit ka pasur të paktën katër faza konstruktive. Sipas traditës vendase, për këtë jemi të rezervuar, kisha e parë u ndërtua afër viteve 1600 dhe ka qenë e vogël. Faza e dytë konstruktive, që përfshinte një zgjerim të kishës, u realizua, në kohën e Mitropolitit të Korçës Meletit (1816-1827). Një pjesë e kësaj faze konstruktive ka mundësi të ndodhet nën strukturën e sotme të kishës, ndoshta në anën lindore, ku, pas gërmimit të pjesshëm dhe eksperimental në brendësinë e saj, u zbuluan gurë të muraturës me ngjyrë ndryshe nga gurët e tjerë të kishës. Sidoqoftë, vetëm pas gërmimit të suvasë së mureve dhe restaurimit të plotë të kishës, mund ta mbështesim në fakte konkrete këtë hipotezë.

    Më pak se 100 vjet pas fazës së dytë konstruktive, më 1929, ndoshta për arsyen e dëmtimeve të shumta të kishës nga djegiet, si ajo midis viteve 1865-1870 dhe sigurisht për shkak të përmasave të vogla të saj, pati një fazë të tretë konstruktive. Kjo fazë ka qenë një rindërtim komplet i kishës me përmasa madhështore. Siç paraqitet në disa fotografi të kishës, të marra pas 1934, kisha paraqitet e përfunduar. Duke u bazuar në të gjitha fotografitë, tempulli duket se ishte i tipit të bazilikës, me kupolë, me një kambanore dydimensionale në lartësinë e murit perëndimor, me katër pilastra qendrore, të cilat ndanin nefin horizontal nga nefi tërthor, ku mbështetej kupola. Ana veriore e kishës, në pjesën e lartë të saj, kishte një grup dritaresh katrore, poshtë të cilave ndodheshin tri dritare të tjera dhe një hyrje, shkalla e së cilës kishte një bazament që duket nga jashtë dhe sot e kësaj dite. Muratura e kishës përbëhet nga blloqe të bardhë guri, të prerë dhe të përpunuar me mjeshtëri. Gurët janë lidhur fort njëri me tjetrin nga një shtresë e hollë gëlqereje. Muratura e këtij stili paraqitet në pjesë të ndryshme të kishës, në murin verior dhe në atë lindor të jashtëm, por edhe në murin lindor, atë verior dhe jugor të brendshëm.

    Gjatë Luftës së II Botërore qyteti u dëmtua nga bombardimet italiane. Edhe kisha pësoi dëmtime prej 40 m2 muraturë, 60 m2 suva, 25 m2 çati dhe 15 m2 tavan.

    Ndërsa kur u vendos kthimi i saj në shtëpi kulture, ndërhyrjet përfshinë: 1) Shkatërrimin e pjesës së lartë të kishës (kupola etj.). 2) Mbylljen e dritareve dhe hyrjeve origjinale (përveç asaj jugore) me tulla të kuqe dhe hapjen e dritareve dhe hyrjeve të reja. 3) Lartësimin prej 2 metrash të pjesës lindore të kishës për nevojat e fuajesë (sallë pushimi) së teatrit, duke përdorur tulla të kuqe. 4) Futjen e një brezi çimentoje në një pikë të lartë të mureve për të siguruar qëndrueshmërinë statike të ndërtesës dhe për të lidhur muraturën me një mënyrë më të fortë.

    Pavarësisht nga këto ndërhyrje, një seri faktesh tregojnë se në pamjen e dukshme të objektit gjendet e ruajtur forma origjinale e ndërtimit të kishës. Këto fakte janë: 1) Ekzistenca e fragmentit të kambanores së ngritur në lartësinë e murit perëndimor, që mund të shihet nga zona e katit të dytë, ku qëndronin spektatorët. 2) Ekzistenca e mureve të kishës, që janë të ndryshëm nga muret shtesë (në gjerësi, në përbërjen e materialeve dhe në stilin e muraturës). 3) Ekzistenca në brendësinë e kishës, e harkut të pjesës lindore të saj, që është ndoshta fakti më i qartë i ruajtjes së skeletit të kishës me gjithë punën transformuese që iu bë asaj.

    Ndërhyrja më e madhe që u realizua pas vitit 1967 në formën e kishës ka qenë ndërtimi i një shtese plotësisht të re gjatë murit jugor të kishës. Kjo shtesë u ndërtua me gurë, siç del qartë nga pjesët ku u gërmua suvaja për të krahasuar muraturën e saj me atë të kishës. Por cilësia e muraturës së shtesave, siç u zbulua, është shumë e dobët në krahasim me atë të kishës. Gurët e përdorur janë skalitur trashë, dhe janë vendosur me një mënyrë të palidhur, duke krijuar jo fuga midis tyre, si në muraturën e mureve të kishës, por boshllëqe të cilat janë mbushur me një shtresë të trashë llaçi me cilësi jo të mirë. Më tej, gjerësia e mureve të kishës është 90 cm, kurse ajo e mureve të dy shtesave, të ndërtuara pas 1967, është 60 cm. Të dyja ato shtesa, gjithashtu edhe e treta në lartësinë e pjesës lindore të kishës janë krejt ndryshe nga tempulli në tip, zgjidhje funksionale dhe konstruktive, kompozim i pjesëve përbërëse, trajtime arkitektonike dhe dekorative të pjesës së brendshme dhe të jashtme, si edhe në stil.

    Të gjitha këto detaje, të dhëna vetëm në linjë të përgjithshme, mjaftojmë për të dëshmuar se shtëpia e kulturës ishte një transformim i kishës, siç ka ndodhur dhe në raste të tjera të ngjashme dhe jo një ndërtim i ri. Gjithashtu, fotot dhe dëshmitë hedhin poshtë pretendimin se ajo ishte e pambaruar në kohën që ndodhi ky kthim.

    Por, sidoqoftë, këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me një çështje përqindjesh ndërtimi, por me një të drejtë themelore të besimtarëve. E drejta dhe liria e besimit nuk mund të jetë vetëm teorike. Ajo ka nevoje për objektet e kultit ku besimtarët kryejnë shërbesat e tyre dhe i falen Perëndisë. Vendet ku ngrihen këto objekte janë të shenjta për ta!. Ndaj edhe sikur ato të jenë plotësisht të shkatërruar është e drejta tyre që të kthejnë shenjtërinë e humbur për disa dekada.

    Ndërsa për kulturën, Përmeti ka shumë objekte, edhe ato jofunksionale, të cilat me kontributin e Kishës mund të përshtateshin për veprimtari kulturore laike, në të cilat edhe sot realisht zhvillohen ato pak takime e aktivitete që organizohen. Përmetarëve nuk u kanë munguar mjediset, por veprimtaritë dhe për to ata kanë nevojë dhe jo për spekulime që kërkojnë të kthejnë kohën e monizmit dhe cënojnë bashkëjetesën fetare.

 

Thoma Dhima – gazetar

Gentian Stratobërdha – arkitekt