Pak Historik
Nën kujdesin Atëror të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas dhe me nismën e Grupit të Grave Orthodhokse të qytetit të Tiranës, u hap përkujdesja e parë ditore, më 10 tetor 1994 dhe më pas u vijua me 13 të tjera. Ato ofrojnë një program edukues të përshtatshëm, veçanërisht për fëmijët që i kanë prindërit në punë, familjet me një prind, familjet me të ardhura të pakta, për fëmijët jetimë, për ata që i kanë prindërit në emigracion etj. Gjithashtu, përkujdesjet kanë për qëllim integrimin e fëmijëve që nuk kanë motra ose vëllezër. Përkujdesjet ditore janë të hapura për të gjithë fëmijët, pa asnjë dallim fetar.
|
|
Aktualisht funksionojnë 14 përkujdesje ditore në qytetet: Tiranë, Durrës, Kavajë, Lushnje, Vlorë, Gjirokastër, Dervician, Sarandë, Përmet, Elbasan, Pogradec, Korçë, Shkodër dhe Berat. |
|
Gjatë këtyre 13 vjetëve, programi i zbatuar ka qenë i suksesshëm dhe ka krijuar një përvojë të vyer. Suksesi i tij është evidentuar në rezultatet e larta në klasën e parë të fëmijëve që kanë frekuentuar përkujdesjet tona. |
|
|
|
Po kështu, mësueset e klasave të para vijnë vetë në kopshtet tona për të tërhequr në klasat e tyre fëmijët, që do të shkojnë në klasën e parë . |
|
Programi i përkujdesjeve ditore, që prej vitit 2002, është pjesë e Fondacionit “Frymë Dashurie”. Shumica e përkujdesjeve janë ngritur pranë mjediseve të kishave orthodhokse. |
|
|
|
Aktiviteti i tyre mbështetet financiarisht nga: – Kryepiskopi Anastas, nëpërmjet Fondacionit “Frymë Dashurie” – Programi i Tryezës së Rrumbullakët të Këshillit Botëror të Kishave (WCC), nëpërmjet Zyrës Diakonia Agapes të Kishës – Kontributi i prindërve. Gjatë këtyre viteve përkujdesjet i kanë ofruar shërbim rreth 8000 fëmijëve të moshave 4 – 6 vjeç. |
|
Përkujdesjet tona janë të liçencuara nga Ministria e Arsimit. Ato kontrollohen rregullisht nga drejtoritë arsimore të rretheve përkatëse, të cilat i kanë vlerësuar për mjediset dhe materialet edukuese dhe didaktike që disponojnë.
|
|
|
|
Fëmijët e përkujdesjeve tona kanë marrë pjesë në veprimtari të ndryshme në rang rrethesh, si: konkurse, festivale, shfaqje etj. ku janë nderuar edhe me çmime. |
|
Gjatë viteve të fundit edukatoret e tyre janë testuar nga drejtoritë arsimore dhe kanë fituar shkallët e kualifikimit sipas legjislacionit në fuqi. |
|
|
|
![]() |
|
|
Viti i ri shkollor 2007-2008
Për vitin shkollor 2007 – 2008 në përkujdesjet tona ditore janë regjistruar rreth 750 fëmijë, të moshave 4-6 vjeç.
Ky vit filloi duke u bazuar në programe të reja të hartuara në bazë të standardeve të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës. Kjo u bë mundur pas një trajnimi të stafit mësimdhënës në lidhje me metodat e reja të mësimdhënies.
Përkujdesjet tona ditore i përmbajnë të gjitha elementet për mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve parashkollorë. Përveç mësimdhënies i kushtohet rëndësi e veçantë edhe kujdesit shëndetësor, ushqimit, përmirësimit të mjediseve edukuese dhe argëtuese etj.
Çdo përkujdesje ditore ka mjekun pediatër, i cili viziton të gjithë fëmijët një herë në javë. Secili fëmijë i përkujdesjeve ditore ka kartelën personale shëndetësore, në të cilën mjeku shënon ecurinë shëndetësore dhe fizike të tij. Mjekët zhvillojnë edhe biseda me fëmijët dhe prindërit rreth mirërritjes dhe kujdesit shëndetësor për ta.
Mjediset bashkëkohore me të gjitha kushtet e përshtatshme për edukim dhe mirërritje janë një tjetër element i rëndësishëm i përkujdesjeve. Në to është i siguruar sistemi i ngrohjes, për t’iu përgjigjur sa më mirë prindërve, duke marrë parasysh edhe realitetin e vendit tonë në lidhje me krizën energjetike dhe gjenden ekonomike të familjeve të fëmijëve.
Argëtimi i fëmijëve është një faktor i pandarë i zhvillimit të tyre në këtë moshë. Për këtë arsye, përkujdesjet që kanë oborre apo ambiente të përshtatshme kanë kënde lojërash për fëmijët. Ushqimi është një element tjetër i përkujdesjes ditore. Fëmijët hanë një vakt në orën 10:00. Organizimi i veprimtarive dhe i punës së përkujdesjeve ditore bëhet i mundur nga Zyra e Koordinimit të Përkujdesjeve ditore, pranë Kryepiskopatës së Shenjtë, në Tiranë. Zyra organizon kualifikimin e stafit brenda dhe jashtë vendit.
Me shpresën e Perëndisë, synohet që të hapen edhe dy përkujdesje të tjera në qytetet e Cërrikut dhe Gramshit.
Përgatiti: Urani Dusha
Zyra e Koordinimit të Përkujdesjeve Ditore









