Çdo ditë e Javës së Madhe ishte një emocion më vete në kishën e Ungjillëzimit, ku shërbesat u kryesuan nga Kryepiskopi Anastas, i ndihmuar nga Episkopët ndihmës dhe klerikët e Kryepiskopatës së Shenjtë. Gjatë tyre u përcollën edhe  mesazhe dhe këshilla shpirtërore, të lidhura me ditët e veçanta. Kulmi arriti Të Shtunën e Madhe kur përshëndetja e ngazëllyese: “Krishti u Ngjall! – Vërtet u Ngjall!”, u perhap kudo në kishë dhe rreth podiumit në Rrugën e Kavajës, ku u krye Shërbesa e Ngjalljes. Aty u dëgjua dhe mesazhi shpresëdhënës paskal i Kryepiskopit Anstas. Sheshi përballë kishës dhe përgjatë rrugës, do të mbushej nga urimet e besimtarëve, tingulli ngazëllyes i kambanave ndërsa besimtarët merrnin “Dritën që nuk perëndon” për ta çuar në çdo cep të Kryeqytetit dhe çukisnin vezët e kuqe sipas traditës. Më pas disa qindra besimtarë e vazhduan kremtimin duke marrë pjesë në Liturgjinë Hyjnore dhe duke u kunguar me Trupin dhe Gjakun e Shenjtë të Krishtit të Ngjallur. Përshkrimi i këtyre emocioneve u përcoll edhe përmes transmetimit direkt të Radios “Ngjallja” nga kisha dhe korrespondentët e saj të shpërndarë në disa pika të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. Me qindra dëgjues ndoqën këtë atmosferë edhe përmes transmetimit 24 orë në 24 të radios në internet, në faqen zyrtarë të Kishës sonë.
 
    Të dielën e Pashkës, 24 prill, në Kryepiskopatën e Shenjtë, Fortlumturia e Tij Anastasi, priti urimet me rastin e të kremtes së Ngjalljes. Përfaqësues të komuniteteve fetare, politikanë dhe funksionarë të lartë të shtetit uruan Kryepiskopin dhe të gjithë besimtarët orthodhoksë për këtë festë të madhe dhe të rëndësishme. Gjithashtu erdhën për të uruar diplomatë, intelektualë të njohur, personalitete të artit dhe kulturës, besimtarë etj. Disa nga përfaqësuesit më të lartë të shtetit i përcollën urimet nga vende të ndryshme.
 
    Presidenti Bamir Topi uroi besimtarët e krishterë: “Në këtë ditë të shënuar dëshiroj t’ju shpreh juve dhe nëpërmjet jush të gjithë besimtarëve ortodoksë, urimet më të ngrohta e të përzemërta në ditën e kremtimit të Pashkëve! Kjo ditë e shenjtë që simbolizon ringjalljen e Krishtit, ringjalljen e shpresës për ditë më të mira, le të shërbejë për të gjithë edhe si ditë e reflektimit dhe e inspirimit për të evidentuar e konsoliduar vlerat e vërteta shpirtërore të shoqërisë shqiptare! Gëzuar dhe njëherë Festën e Pashkëve! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët.
 
Foto: Nathan Hoppe