Me shpresëtari dhe besim u kremtua edhe këtë vit në Mitropolinë e Gjirokastrës e kremtja e Pashkës.
   Të dielën e Dafinave Mitropoliti i Gjirokastrës, Imzot Dhimitri e kryesoi Liturgjinë Hyjnore pranë besimtarëve të fshatit Dervician, ndërsa shërbesa e parë e Dhëndrit u krye në kishën “Metamorfoza e Shpëtimtarit” në Gjirokastër, ku kësaj here Hirësia e Tij ishte shoqëruar edhe nga nxënësit e shkollës “Kryqi i Nderuar”.
    Shërbesa e tretë e Dhëndrit u krye me entuziazëm në kishën e Kryeengjëjve. Misterin e shenjtë të Efqelisë, Mitropoliti ynë e filloi me të ardhmen e Kishës sonë, me vetë nxënësit e shkollës “Kryqi i Nderuar” dhe më pas shkoi në shkollën profesionale “Apostull Pavli” në Mesopotam ku kreu po të njëjtin mister.
    E enjtja e Madhe dhe e shenjtë filloi me Liturgjinë Hyjnore në paraklisin e shkollës “Kryqi i Nderuar” ku merrnin pjesë nxënësit e kësaj shkolle por gjithashtu edhe fëmijët e vegjël të kopshtit dhe shkollës fillore “Frymë Dashurie”. Në shërbesën e leximit të dymbëdhjetë Ungjijve, pjesëmarrja ishte e madhe në të dyja kishat e qytetit, ndërsa Mitropoliti i Gjirokastrës udhëtoi drejt qytetit bregdetar të Sarandës.
    Dalja e Epitafit në qytetin e Gjirokastrës u krye në të dyja kishat, por e veçanta e kësaj shërbese ishte bashkimi i të dy epitafeve në sheshin e “Çerçizit”.
    Edhe në qytetin e Përmetit kjo shërbesë ishte kryer me shumë atmosferë, ku në daljen e epitafit u bashkuan të treja kishat në qendër të qytetit.
    Ditën e shtunë Liturgjia Hyjnore u krye vetëm në kishën e Kryeengjëjve ndërsa dita e bekuar e Ngjalljes u krye ashtu siç është bërë traditë tashmë në këtë qytet por edhe në qytetin e Përmetit në dy kisha. Besimtarë të shumtë kishin ardhur dhe të gjithë së bashku me shpresën tek Zoti i Ngjallur psalën së bashku përlëshoren e pashkës “Krishti u Ngjall”.
 
    Mitropoliti i Gjirokastrës e kreu ditën e Ngjalljes në kishën e Metamorfozës, duke uruar besimtarët për këtë festë madhore për të krishterët orthodhoksë dhe në fund bekoi vezët e kuqe, duke i ndarë ato tek besimtarët.
    Shërbesa e Mbrëmësores së Dashurisë u mbajt në kishën e Kryeengjëjve. Në të merrnin pjesë besimtarë dhe klerikë të kësaj Mitropolie. Pas mbarimit të shërbesës, Imzot Dhimitri ftoi besimtarët dhe klerikët të festonin të gjithë së bashku ditën e Pashkës në ambientet e Mitropolisë. Me shumë entuziazëm u kremtua dita e Ngjalljes edhe në qytetet e Sarandës, Përmetit, Këlcyrës dhe Himarës.
Emiliano Lito