takohet me krerët më të lartë të shtetit shqiptar
![]() |
|---|
![]() |
| Foto nga: Mano Kritsotaki |
|
Dita e tretë, datë 2 Nëntor 2009
Dita e tretë e vizitës zyrtare dhe paqësore e Papës dhe Patriarkut të Aleksandrisë dhe gjithë Afrikës, Theodhorit II i ishte rezervuar takimeve të njëpasnjëshme me krerët më të lartë të shtetit shqiptar. Në këto takime, zyrtarët e lartë shqiptarë shprehën nderimet më të larta për Patriarkun e Afrikës, i uruan me gëzim mirëseardhjen, si dhe vlerësuan figurën e Kryepiskopit Anastas që ngjalli dhe ringriti Kishën e shkatërruar të Shqipërisë.
Patriarku Theodhor II u takua me Presidentin e Republikës, z. Bamir Topi. Kreu i shtetit shqiptar, pasi u uroi mirëseardhjen shprehu kënaqësinë për këtë takim duke vënë në pah edhe rëndësinë e madhe të kësaj vizite të shumëpritur të prelatëve të lartë jo vetëm për besimtarët ortodoksë, por për mbarë popullin shqiptar. Presidenti Topi theksoi rolin e jashtëzakonshëm të luajtur nga udhëheqësit shpirtërorë për promovimin e vlerave më të mira të fesë, për rritjen e besimit ndaj Zotit, për fuqizimin e harmonisë ndërfetare dhe paqes shoqërore në shërbim të arritjes së një jete më të mirë për të gjithë. Patriarku i Aleksandrisë dhe gjithë Afrikës, Fortlumturia e Tij, Theodhori II, pasi shprehu mirënjohjen për pritjen edhe në emër të delegacionit që e shoqëronte, vuri në dukje rëndësinë e shembullit të rrallë e të vyer që ofron Shqipëria përsa u përket bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare duke theksuar se: “Zoti është dashuri! Zoti është paqe për të gjithë, pavarësisht përkatësive të veçanta fetare!” Fortlumturia e Tij, Theodhori II vlerësoi rolin e Presidentit Topi si simbol i bashkimit të popullit shqiptar duke shtuar se vizita të tilla të ndërsjellta, të rangjeve më të larta të udhëheqësve qoftë shpirtërorë, qoftë politikë, duhet të jenë më të shpeshta në mënyrë që tradita e vjetër e komunikimit mes popujve, kulturave, feve dhe historive të vendeve të Mesdheut të shtrihet e të thellohet akoma edhe më tej në shërbim të ndërtimit të një bote dhe shoqërie njerëzore më të mirë. Patriarku i Aleksandriës në vijim u takua me Kryeministrin e Shqipërisë, z. Sali Berisha. Kryeministri Berisha vlerësoi rolin e Kryepeshkopit Anastas në ngjalljen e fesë në Shqipëri dhe në krijimin e lidershipit shqiptar në drejtimin e Kishës Orthodokse Autoqefale Shqiptare. Gjithashtu, ai theksoi rolin e rëndësishëm që luan Kisha Orthodokse në zhvillimin shpirtëror të Afrikës. “Progresi i sotëm i botës varet nga progresi i Afrikës. Kjo është arsyeja që qeveria shqiptare ka vendosur që vitin e ardhshëm të marrë pjesë në ndihmat që i jepen këtij kontinenti”, tha Kryeministri Berisha. Fortlumturia e Tij, Theodori II vlerësoi rindërtimin nga themelet të Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë, si dhe ndryshimet e realizuara në Shqipëri në vitet e fundit. Edhe Kryetarja e Parlamentit, znj. Jozefina Topalli, priti në takim zyrtar Primatin e Afrikës. Duke shprehur kënaqësinë për këtë vizitë Patriarku i Aleksandrisë bëri përgëzimet e tij për progresin e arritur nga Shqipëria. “Ju përgëzoj për hapat e mëdha që Shqipëria ka bërë,- tha Primati i Kishës aleksandriane,- dhe gjithashtu jam i lumtur që takohem me ju, pasi personaliteti juaj është tepër i njohur për veprimtarinë aktive në këto vite.” Kryetarja e Kuvendit pasi u shpreh se ndihet e nderuar që pret në këtë vizitë të parë një personalitet kaq të lartë të Kishës Ortodokse, u ndal në marrëdhëniet mes besimeve fetare në Shqipëri. Kryetarja e Kuvendit theksoi se harmonia dhe toleranca mes feve në vendin tonë është një thesar i rrallë, që e ka shndërruar Shqipërinë në një vend model për të tjerët. “Kjo harmoni është një aset i yni,- tha ajo,- dhe ne ndihemi krenarë për këtë vlerë të çmuar”. Zonja Jozefina Topalli vlerësoi kontributin e Kishës Orthoodhokse në Shqipëri dhe rolin e veçantë të Kryepeshkopit Anastas, jo vetëm për punën e tij në përçimin e vlerave humane, por edhe për bashkëpunimin e shkëlqyer me përfaqësuesit e besimeve të tjera fetare. Patriarku i kontinenit afrikan u takua edhe me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, z. Edi Rama. Kryebashkiaku i shprehu Patriarkut gëzimin për vizitën e tij dhe i dhuroi atij një ikonë të Shën Theodhorit. Ndërsa Kryepiskopit Anastas, me rastin e ditëlindjes i bëri një dhuratë që mbarte një simbolikë të veçantë, një libër lutjesh orthodhokse që ishte trashëguar brez pas brezi në një familje të persekutuar për besimin e tyre gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri. Patriarku Thedhor i shprehu urimet më të mira z. Rama për punën e bërë në zhvillimin e Kryeqytetit dhe e informoi atë për punën bamirëse që bën Kisha Orthodhokse në Afrikë me ndërtimin e spitaleve, shkollave dhe qendrave sociale. Ai theksoi edhe rolin kryesor që kishte Kryepiskopi Anastas në Afrisë në përgatitjen e kuadrove kishtarë lokalë. Mbasditen e të hënës u organizua një pritje zyrtare në ambjentet e hotel “Tirana International”, ku është akomoduar edhe delegacioni i Kishës aleksandriane, me dhjetëra të ftuar, ku merrnin pjesë, Kryetarja e Kuvendit, Ministri i Jashtëm dhe Zv/Kryeministri, ministra të tjerë të kabinetit qeveritar, deputetë dhe ambasadorët e Egjitptit, SHBA, Rusisë, Greqisë dhe përfaqësues të trupave të tjerë diplomatikë të akredituar në Tiranë. Gjatë kësaj pritjeje, Patriarku Theodhor dhe Kryepiskopi Anastas mirëpritën çdo të ftuar duke ndarë me të jo vetëm përshëndetjet e rastit, por edhe mendime të ndryshme mbi aktualitetin shoqëror dhe realitetin kishtar në Shqipëri dhe Afrikë. Në fjalën e tij, Papa dhe Patriarku i Aleksandrisë dhe gjithë Afrikës, Theodhori II, uroi Kryepiskopin Anastas për 80 vjetorin e ditëlindjes së tij duke vënë në dukje edhe njëherë faktin që Kryepiskopi Anastas ishte mësuesi dhe udhëheqësi i tij shpirtëror. Patriarku vlerësoi edhe përparimin e Shqipërisë, si dhe vlerat e saj të çmuara shpirtërore në bashkëjetesën dhe harmoninë fetare. “Edhe në Egjipt,- nënvizoi Patriarku,- jetojmë në harmoni të krishterë e muslimanë dhe falenderojmë njëkohësisht edhe Presidentin z. Mubarak për mbështetjen që na ka dhënë në kryerjen e punës sonë. Kryepiskopi Anastas shprehu falënderimet për urimet e Patriarkut dhe theksoi se përbënte një gëzim të veçantë për të fakti që nxënësi i tij ishte bërë më i mirë se mësuesi. Ai u uroi të gjithëve paqen, dashurinë dhe harmoninë që buron vetëm që lartazi, nga Perëndia.
Të martën, Papa dhe Patriarku i Aleksandrisë do të marrë pjesë në festimet jubilare me rastin e mbushjes 10 vjet të funksionimit të qendrës diagnostikuese “Ungjillëzimi” në Tiranë. Më pas ai do të niset drejt qytetit të Korçës. Aleks Curi
|
|
|
|
|
|
|
|

