Në përgjigjen e mëparshme që dhamë në Gazeta Shqiptare, dt 11. 8. 2012, ndaj një teksti shpifës të bërë nga Nikolla Marku nga Elbasani, treguam se personi në fjalë  po kryen një mashtrim të vazhdueshëm. Duke qenë, se ai vazhdon të deklarojë se është “prift” i një Kishe inekzistente dhe bën qesharake fenë, jemi të detyruar të ritheksojmë, se asnjë Kishë Orthodhokse në mbarë botën nuk e njeh si prift dhe se “Kisha Ortodokse Autoqefale Kombëtare Shqiptare”, drejtues i së cilës vetëdeklarohet,  nuk është gjë tjetër veçse një pjellë e fantazisë. Nuk njihet si kishë as nga gjykata kompetente, siç e parashikon ligji, as nga Komiteti Shtetëror i Kulteve i Shqipërisë dhe sigurisht, nga asnjë Kishë në botë. 
 
    1. Duke u përpjekur të hedhë poshtë këto të vërteta shumë të qarta, N. Marku e nxjerr pa dashur veten lakuriq në përgjigjen e tij, botuar në Gazeta Shqiptare (14 gusht 2012). Ai ndërmerr të vërtetojë “në mënyrë të ligjshme me një vendim gjykate të korrikut 1996, me nr. 2634, ekzistencën e grupimit të tij si subjekt juridik”. Por kur shikohet ky vendim, menjëherë bie në sy mashtrimi i madh. Vendimi gjyqësor  me të cilin përpiqet të mbrohet (të cilin ia bashkëngjisim këtij artikulli), e njeh si shoqatë që ka të drejtën e ushtrimit të aktivitetit privat në lëmin e tregtisë të shitjes me shumicë dhe pakicë, me bazë ligjin 7512, 11. 8. 1991 “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private, të nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit”, të dekretuar nga presidenti Ramiz Alia. Nuk bëhet fjalë për njohjen e një Kishe, por thjesht të një shoqate me emrin “Komiteti për mbrojtjen e Kishës ortodokse kombëtare shqiptare”, siç ka me qindra, të cilës i jepet e drejta të shesë dhe të blejë, siç bëjnë subjektet private të këtij lloji. Mashtrimi është i qartë. Asnjë gjykatë nuk e njohu këtë shoqatë ose këshill si Kishë dhe për më shumë si Kishë orthodhokse. Dhe sigurisht, që një gjë e tillë nuk ndodhi as kur, pa ndonjë vendim tjetër gjyqësor, e ndryshoi vetë emrin e shoqatës dhe e vetëquajti “Kisha Orthodhokse Autoqefale Kombëtare Shqiptare”. 

    Për pak kohë, N. Marku ka ndjekur kursin e kandidatëve për klerikë, që organizoi Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë në vitin 1992, në një hotel të Durrësit. Por u përjashtua që aty dhe nuk iu dha diplomë, për shkak të kryerjes së vjedhjeve dhe bërjes së dokumenteve të rreme. Prandaj edhe Kisha asnjëherë nuk e dorëzoi prift.

    2. Për të kuptuar më mirë mashtrimin edhe ata lexues që nuk i njohin kanonet që rregullojnë dhe organizojnë Kishën Orthodhokse, shtojmë se asnjë Kishë Orthodhokse nuk mund të ekzistojë pa pasur episkop. Asnjë prift orthodhoks nuk është autonom ose autoqefal. Ai është i varur nga ana kanonike nga një episkop  që është gjallë  dhe kur meshon ose kryen çdo lloj akti priftëror, është i detyruar dhe duhet të përmendë emrin e këtij episkopi. Ky episkop duhet të përmendë në çdo meshim emrin e Kryepiskopit të Kishës Autoqefale (dhe Kryepiskopi emrat e të gjithë Primatëve Orthodhoksë). Në rastin konkret, N. Marku nuk ka lidhje me asnjë episkop, sepse, është më se e qartë, që nuk e njeh asnjë i tillë. Një arsye më shumë kjo, për pavlefshmërinë e akteve të tij. 

    3. Me pafytyrësinë që e karakterizon, N. Marku jo vetëm që gënjen pa turp, por edhe jep mendime për çështje ligjore dhe nomokanonike të cilat nuk i njeh fare. Ai thotë në lidhje më përbërjen e Sinodit të Shenjtë, se “ajo e bën të pavlefshme atë marrëveshje për shkak të statutit, i cili përcakton qartë dhe përbërjen e Sinodit”. Edhe në këtë pikë, është e qartë se bëhet fjalë për ide ligjore të përçartura dhe pa lidhje. “Marrëveshja për Rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella, ndërmjet Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë”, është bërë Ligj i shtetit shqiptar, nr. 10057, 22. 1. 2009. Asnjë shtetas shqiptar (dhe sigurisht as N.Marku), nuk ka të drejtë dhe nuk mund të përbuzë ose për më tepër “t’i shpallë të pavlefshme” ligjet e shtetit shqiptar me deklarata nëpër gazeta.

    Ai përpiqet në përçartjet e tij shpifëse, të gjallëroje fantazma qesharake, për rreziqe imagjinare, që janë prezente në fantazinë e tij dhe të atyre që e nxitin. Në këtë mënyrë përpiqet të fshehë faktin se ka kryer dhe po kryen për shumë vite një mashtrim dhe përdhosje të madhe kundër besimit orthodhoks. Që të mbulojë mashtrimin e tij të qartë, N. Marku end vazhdimisht një pëlhurë të dhënash të gënjeshtra  dhe shpifjesh të pabaza kundër Kryepiskopit Anastas.  Por dihet botërisht se Kryepiskopi Anastas jeton për njëzet e dy vite në sytë e të gjithëve, në kushte të thjeshta. Falë respektit të madh dhe besimit të mijëra njerëzve në mbarë botën, arriti të realizojë veprën e jashtëzakonshme të ringritjes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Vepra dhe kontributi i tij për pajtimin e popujve është njohur botërisht dhe për këtë është zgjedhur ndër të tjera President  i Këshillit Botëror të Kishave (WCC, Gjenevë) dhe President Nderi i organizatës më të madhe ndërfetare në botë, “Fetë për paqen” (Nju Jork).

    4. N. Marku luan teatër me besimtarët si të ishte udhëheqës orthodhoks. Jep certifikata të rreme pagëzimi dhe martese, që janë krejtësisht të pavlera, pasi, siç e theksuam, asnjë Kishë Orthodhokse në mbarë botën nuk e njeh atë si prift dhe po ashtu, asnjë Kishë apo konfesion tjetër i krishterë. Asnjë nga 145 klerikët orthodhoksë shqiptarë që shërbejnë sot nuk e pranon, por ai vazhdon të cenojë rëndë fenë dhe të mashtrojë shoqërinë shqiptare.

    Ai mbështet edhe tezën, se “e njohin Kisha nga SHBA, Izraeli, Polonia etj.”,  por ai përsëri gënjen paturpësisht. Në 24 qershor 2012, me rastin e 20-vjetorit të zgjedhjes së Fortlumturisë së Tij Anastasit, si Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Episkopi i Bostonit, Hirësia e Tij Nikon Liolin, kryetar i Arqidioqezës Orthodhokse Shqiptare të Amerikës  (vëllai i atë Artur Liolinit), meshoi në Tiranë në Kishën e re Katedrale. Imzot Nikoni lavdëroi veprën e Kryepiskopit Anastas dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm për Orthodhoksinë në Shqipëri dhe në mbarë botën. Markun nuk e njohën kurrë dhe sigurisht që nuk e njeh as Kisha e Polonisë dhe as Patriarkana e Jerusalemit, në Izrael.

    5. Sa i takon kërcënimeve të tij për të përdhosur edhe Kishën Orthodokse Katedrale të Tiranës, me anë veprimesh të paligjshme e të dhunshme, duam të rikujtojmë se Shqipëria ka ligje dhe autoritete. Shteti me anë të ligjit që është në fuqi “garanton mbrojtjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nga çdo individ apo nga çdo grupim që kërkon të marrë emrin, vendet e kultit dhe pronën kishtare” (Ligji 10057/22.1.2009, Neni 5). Shteti disponon organe kompetente për t’u dhënë mësimin e duhur atyre që, me anë të veprimeve të tyre mjerane, duan ta diskreditojnë botërisht.

 
 Tiranë 16 gusht 2012
 Nga Kryepiskopata e Hirshme e Tiranës