Prej syve të vuajtur, prej zemrash me brenga, me shumë halle deri në vitet e fundit të jetës. Ravijëzohen në rrudhat e tyre një mijë e një probleme dhe shpresa të pasosura. Gjithsesi ata nuk janë vetëm. Gjithmonë pranë tyre ndodhen njerëz zemërdhembshur, jo thjesht për t’i ngushëlluar në një ditë të zakonshme, duke mposhtur disi vetminë e tyre, por për t’iu treguar dashurinë e vërtetë të krishterë që nis këtu në tokë e përfundon në përjetësi.
 
    Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë është rreshtuar përherë në radhët e para në ndihmë të njerëzve me nevoja të theksuara jetike. Në të kremtet festive të Kishës, madje në cilëndo ditë të vitit, Kryepiskopi Anastas ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm me ndihma shpirtërore e materiale.
     Edhe këtë sezon vere, pikërisht në kuadër të së kremtes së Hyjlindëses Mari, të festës së 15 gushtit, në qendrën e re të Kishës sonë në Tiranë, të pagëzuar me emrin “Thavor”, ne dt. 16 gusht u shtrua një drekë dashurie me të moshuarit dhe njerëzit me probleme shëndetsore të azileve të burrave dhe grave, për të cilët përkujdesen motrat e Nënë Terezës. Rreth 60 persona hëngrën një drekë me menu të pasur dhe ushqime të bollshme, aq sa dikush prej tyre e quajti “dasmë”. Gëzimi dhe harmonia e çdo gjëje në këtë “dasmë” ishin të pranishme kudo, veçanërisht në zemrat e lodhura të azilantëve.
     Të shoqëruar nga një grup i grave dhe rinisë orthodhokse të Tiranës ata u pritën dhe u përcollën me shumë dashamirësi dhe kujdes, duke mbetur të kënaqur nga kjo ditë kaq e veçantë e jetës së tyre. Madje, një nga gratë e moshuara, pasi u ngrit nga tryeza nxori nga zemra e saj përshtypjet më domethënëse: “Një drekë që nuk do ta harrojmë kurrë”.
     Shumë prej këtyre njerëzve me shpirt të pasur falënderuan organizatorët, por në veçanti Perëndinë, duke u lutur së bashku për mbarështimin e ushqimit dhe për një jetë të pasosur më Krishtin. Shumë falënderime ata përcollën edhe për Kryepiskopin Anastas, i cili shpenzoi një shumë të konsiderueshme për këtë drekë.
    Gjatë kohës së ngrënies së drekës, një falënderim të veçantë përcolli edhe drejtuesja e Lidhjes së Grave Orthodhokse të Tiranës, znj. Rajmonda Shqevi, e cila theksoi rëndësinë e frymës së dashurisë së krishterë në jetën e gjithsecilit. Gjithashtu mes pjesëmarrësve ndodheshin edhe dy klerikë të dashur të Kishës sonë, Arkimandrit Nikolla dhe At Kozmai, të cilët dhanë një kontribut shumë të çmuar nga ana shpirtërore për mbarëvajtjen e kësaj dreke me të moshuarit e azileve të motrave të Nënë Terezës, në Tiranë. Lidhja e Grave Orthodhokse bashkë me Rininë Orthodhokse kanë një bashkëpunim humanitar mjaft të mirë me azilet e motrave të Nënë Terezës në Tiranë, duke ndihmuar njerëz shumë të varfër dhe të sëmurë në çdo formë që të jetë e mundur: me ushqime, veshmbathje, strehime, kurime shëndetësore, ndihmë shpirtërore etj.
 
 
 
 
    Isidor Koti