Dashuria, ligji i jetës!
Kjo, do të jetë tema, e cila do të mbledhë së bashku të rinj, studentë të fakulteteve të ndryshme, për gjithë vitin akademik, në Qendrën Studentore të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Ndërtesa e kësaj Qendre Studentore u ble me fondet e Kryepiskopit Anastas në nëntor të viti 2005 dhe filloi të funksionojë në janar të vitit 2006.
![]() |
Takimi i parë për këtë vit të ri akademik u zhvillua në datë 30 tetor, i cili mbodhi shumë studentë të rinj, të cilët e vizitonin për herë të parë këtë Qendër.
|
|
Takimi filloi me përshëndetjen dhe mirëseardhjen drejtuar të rinjve, nga stafi i kësaj qendre, i cili do të jetë pranë këtyre të rinjve me shërbime të ndryshme.
|
![]() |
![]() |
Më pas fjalën e mori Hirësi Andoni, Episkop i Krujës, i cili theksoi rëndësinë e jetës me Perëndinë, duke nënvizuar që Perëndia është Dashuri dhe në këtë frymë duhet të jetojnë të krishterët.
|
|
Në fund të takimit studentët u njohën me programin e kësaj qendre si edhe me tekstin e përgatitur posaçërisht për takimin e parë, me temë “Dashuria ligji i jetës!”.
|
![]() |
![]() |
Ky aktivitet u mbyll me koktejin e shtruar për të gjithë pjesëmarrësit, për të vijuar më tej me takimet e përjavshme shpirtërore, sociale dhe argëtuese.
|
|
“Të mos duam me fjalë, as me gjuhë, por me vepra e me të vërtetë”
(1 Joani .3:18)
Të dashur studentë, le të përfitojmë në zemrën tonë dashurinë për Perëndinë dhe dashurinë për të afërmin! Ne të jemi ata që ta rrezatojmë dashurinë e krishterë, për të cilën ka shumë nevojë shoqëria. Ajo është baza e gjithçkaje, që mban në jetë, të gjithë sa jetojnë me të. Ky është virtyti më i madh.
|
![]() |
Fryti i parë i dashurisë së krishterë është që të mos bëjmë keq ndaj askujt. Ai që ka dashuri, nuk bën keq. I keq është inati dhe zemërimi, por ai që ka dashuri nuk tundohet nga to. E keqe është plangprishja dhe imoraliteti, por ai që ka dashuri nuk bie në to. E keqe është grabitja e të mirave të të afërmve tanë me dinakëri dhe mjete mashtruese, por ai që ka dashuri nuk bie as në këto vese. I keq është betimi, shpifja, sharja, mashtrimi, dinakëria, por ai që ka dashuri nuk i afron ato. E keqe është xhelozia, smira, zilia, padrejtësia, poshtërimi, ofendimi, por ai që ka dashuri nuk bie në asnjë nga këto vese.
Gjithashtu, ai që ka dashuri e shikon tjetrin si jeta e tij. Dhe kur e shikon në varfëri është e pamundur që mos ta mëshirojë dhe ta ndihmojë. Sepse “dashuria bën gjithmonë të mirën”, e sheh atë që ka uri dhe e ushqen, e sheh atë që ka etje dhe e freskon, e sheh të huajin dhe e mirëpret, e sheh të sëmurin dhe e viziton, e sheh të burgosurin dhe e ngushëllon.
Le të bëhemi me të vërtetë njerëz të dashurisë dhe atëherë do të jemi me të vërtetë të krishterë. Nga kjo do të dallohemi se jemi të krishterë, nëse kemi dashuri midis nesh. Të gjithë jemi thirrur në Një besim, besojmë në Perëndinë At, Bir dhe Shpirt të Shenjtë. Ai na do prandaj le të duam njëri – tjetrin.
Të gjithë kemi një At qiellor, i Cili nga dashuria e madhe na jep bukë, rroba, shtëpi e të mira të tjera, prandaj le ta duam njëri – tjetrin.
Të gjithë kemi një pagëzim, nëpërmjet të cilit mohuam satanain dhe veprat e tij dinake dhe i premtuam Krishtit se do të kemi dashuri, prandaj le ta duam njëri – tjetrin.
Të gjithë afrohemi në Një tryezë të Shenjtë e kungohemi me trupin dhe gjakun e Krishtit. Sa mister i lartë! Sa e pakonceptueshme njeridashja e Perëndisë, prandaj le ta duam njëri – tjetrin.
Të gjithë jemi motra dhe vëllezër dhe kemi Një At, të Cilit i lutemi dhe i themi: “Ati ynë që je në qiej”, prandaj le ta duam njëri – tjetrin.
Ja që çdo i krishterë ka shumë arsye dhe shkaqe që të dojë të afërmin e tij, sepse atë e do dhe vetë Perëndia.
Ti, pra, çfarë do të bësh, do të mohosh të duash krijesën e dashur të Perëndisë, të afërmin tënd? Atë që u krijua sipas ikonës dhe ngjashmërisë së Perëndisë ashtu si dhe ti? Atë që kungohet me trupin dhe gjakun e Krishtit, ashtu si edhe ti? Atë që është thirrur në jetën e përjetshme, ashtu si edhe ti? Atë që Perëndia të thotë ta duash si veten tënde?
Pra, studentë të dashur, le të duam njëri – tjetrin ashtu sikurse Perëndia na do ne, sepse vetëm kështu do të kemi një udhëtim të bekuar. Udhëtim, i cili fillon nga këtu – në tokë dhe drejtohet drejt jetës së përjetshme, ku është dhe kurorëzimi i gjithçkaje.
Le të mos frikësohemi, sepse dashuria do triumfojë, nëse ne e lejojmë.
Qendra Studentore
e Kishes Orthodhokse Autoqefale te Shqiperise
Tirane
Zhvillon Takimet Javore Sipas Këtij Programi:
1. Çdo të martë,takimi i përgjithshëm me studentë, ku trajtohen tema të ndryshme shpirtërore dhe sociale:
Në datë 13 nëntor, tema: “Pse jetojmë? Cili është qëllimi i jetës?”
Në datë 20 nëntor, tema: “Unë dhe ti; si të ndërtojmë marrëdhënie me të tjerët?”
Në datë 27 nëntor për të gjithë studentët do të ketë një mbrëmje kulturore dhe argëtuese.
Në datë 4 dhjetor, tema: “Ja ku jam o Zot, u bëftë vullneti Yt!”
2. Çdo të mërkurë ora 17.00 Lutemi së bashku, Studim Biblik
3. Çdo të enjte ora 17.00 Punime artizanale
4. Çdo të enjte ora 07.00 Pjesëmarrje në Liturgjinë Hyjnore
5. Çdo të shtunë Vizita në njerëz në nevojë
Në datën 1 dhjetor 2007, do të organizohet një ekskursion në qytetin e bukur të Beratit.
Në datat 14 – 16 dhjetor 2007, do të zhvillohet konferenca studentore me temë: “A ka vend në zemrën tënde për Krishtin foshnjë?”
Qendra eshte e hapur Çdo dite:
nga ora 09.00 – 20.00
Kjo qendër ofron gjithashtu:
1. Kurse kompjuteri
2. Mësime katekizmipër pagëzim
3. Bibliotekë me libra të ndryshëm fetarë, shkencorë dhe artistikë
4. Sallë studimi,dhe leximi.
Sonila Dedja





