Në atmosferë pune dhe përkushtimi ka nisur udhëtimin e këtij viti të ri mësimor çdo institucion arsimor parauniversitar i Kishës Orthodhokse. Në 12 shtator 2011 nisi dita e parë e shkollës me entuziazmin e nxënësve dhe mobilizimin e mësuesve. Kisha jonë e Shenjtë Orthodhokse i kushton shumë rëndësi misionit edukues për të gjitha grupmoshat, ku një vend të veçantë zënë shkollat 9-vjeçare dhe shkollat e mesme kishtare. Me ndihmën dhe fondet e mbledhura nga Kryepiskopi Anastas, në të gjithë Shqipërinë ndër vite janë hapur shkolla të ndryshme, ku vlen të përmendim: shkollën 9-vjeçare shqiptaro-amerikane “Protagonistët” në Tiranë, shkolla tjetër 9-vjeçare shqiptaro-greke “Frymë Dashurie” në Durrës dhe Gjirokastër, shkolla e mesme kishtare “Kryqi i Nderuar” në Gjirokastër dhe në Sukth të Durrësit, shkolla e mesme profesionale “Apostull Pavli”, në fshatin Mesopotam të Delvinës.

    Sipas informacioneve që kemi marrë nga drejtuesit e këtyre shkollave mësuam se stafi ka punuar me përkushtim për përshtatjen me program bashkëkohor mësimdhënieje, ndërkohë që këtë vit do të stimulohen edhe më shumë nxënësit për të qenë më krijues në të gjitha veprimtaritë, për të rritur edhe më shumë standardin dhe cilësinë e rezultateve. Numri i regjistrimeve edhe për këtë vit ka qenë i kënaqshëm. Vlen të veçohet shkolla e mesme kishtare “Kryqi i nderuar” në Sukth, e cila ka pasur kërkesa regjistrimi më të larta se çdo vit tjetër për nxënësit e vitit të parë.

    Nxënësit e të gjitha shkollave të Kishës sonë janë pajisur me të gjithë librat dhe mjetet didaktike, duke pasur kushte shumë të mira, me kabinete të rregulluara dhe klasa me parametra moderne.

    Shkollat e themeluara nën përkujdesjen dhe mbështetjen e gjithanshme të Kryepiskopit Anastas kanë si synim jo vetëm të përgatisin profesionistë të aftë, por edhe njerëz me virtyte të larta, të cilët me ndihmën dhe besimin te Zoti, do të kontribuojnë në krijimin e një shoqërie të shëndetshme.
 
Isidor Koti