Burimi Jetëdhënës

Ishte rreth vitit 450 pas Krishtit, kur një ushtar bizantin i quajtur Leoni shëtiste në një pyll në territorin e mbretërisë së Konstandonopojës. Papritur shikon para tij një djalë të verbër, që kërkonte pak ujë për të shuar etjen e tij. Leoni me gjithë gatishmërinë e tij filloi të gjejë ujë. Kërkoi nëpër pyll, por më kot. Kështu u kthye i mërzitur te djali i verbër. Por dëgjoi një zë gruaje që i thotë: Leon nuk është nevoja që të shqetësohesh e mërzitesh, uji është pranë teje”. Dëgjon sërish zërin e panjohur ta urdhërojë: “Leon mbret, merr nga ky ujë dhe jepi djalit të verbër të pijë e të shuajë etjen, madje edhe diçka tjetër, me këtë ujë lag sytë e tij dhe do të kuptosh menjëherë se cila jam unë që po flas me ty”.

Leoni bëri në të vërtetë sipas këshillës dhe ndodhi ashtu si dëgjoi nga zëri; i verbri fitoi shikimin. Njëkohësisht u hapën dhe sytë e Leonit, i cili kuptoi se ai zë që i foli ishte i Hyjlindëses që bëri dhe mrekullinë për të verbrin. Kështu u gjet Burimi i Ujit Shpëtimtar dhe u realizua fjala e Hyjlindëses, që Leoni do të bëhej mbret, dhe u bë në vitin 486 si Leoni I, ose Markelis. Kisha jonë e nderon si shenjt më 20 janar. Leoni ndërtoi edhe një kishë për nder të Hyjlindëses së Burimit Jetëdhënës që t’i kujtojë dhuratat që ajo i bëri atij dhe gjinisë njerëzore.

* * * * *

Apostull Simeon Zelloti

Sipas një tradite të vjetër, shën Simeon Zelloti ishte dhëndri në dasmën e Kanës së Galilesë, në të cilën Krishti bëri mrekullinë e tij të parë duke kthyer ujin në verë. Pasi pa këtë mrekulli, Simeoni besoi me gjithë zemër te Krishti dhe la gruan, shtëpinë, atdheun për të ndjekur Krishtin, Dhëndrin qiellor të çdo shpirti. Ditën e Pendikostisë, së bashku me apostujt e tjerë, mori dhuratën e Shpirtit të Shenjtë në formë gjuhe zjarri.

Atëherë, i mbushur me të vërtetë me “zell” hyjnor për shpëtimin e vëllezërve të tij, shkoi të predikojë Lajmin e mirë në Afrikë, ku ungjillëzoi gjithë Mauritaninë, Libinë. Thuhet të ketë arritur deri në Britaninë e Madhe, ku ndriçoi shumë paganë me anë të predikimit të tij. U kryqëzua nga idhujtarët, ashtu si Krishti dhe u varros në po atë vend, që të bëhej farë për përhapjen e Krishterimit.

 

* * * * *

Oshënar Laurenti

Ati ynë oshënar Laurenti jetoi në shek. XIV dhe ishte me origjinë nga Trapezunda. U qeth murg në Lavrën e Madhe në Malin e Shenjtë dhe u dallua për virtytet e tij. Për shkak të trazirave që solli debati mbi hezikinë (shih 14 nëntor), la Malin e Shenjtë dhe shkoi në Volos. Atje, në shpatin perëndimor të malit Pilion, në vendin e një tempulli pagan, themeloi manastirin kushtuar dhjakut të shenjtë Laurent. Falë ndihmës dhe mbrojtjes së perandorit Aleksi II Komneni i Trapezundës, shenjtori mundi t’i kryente shpejt punimet dhe manastiri u përurua më 1378. Afër manastirit themeloi edhe një skit kushtuar Metamorfozës dhe profetit Ilia.