Profeti Isaia.

 

Ishte i pari ndër 4 profetët e mëdhenj. Libri i tij, tepër i njohur dhe i zgjeruar në Dhiatën e Vjetër, i pasur në thellësi kuptimi dhe bukuri letrare, dëshmon për mençurinë dhe fuqinë shpirtërore të autorit. Isaia ishte autor i thelbit të gjërave, jo vetëm i shprehjes së jashtme të tyre.

Tradita e lashtë hebraike dhe e Krishterë ia dedikojnë atij autorësinë e të gjithë librit, që mban emrin e profetit, ndërsa Protestantët pretendojnë se ai ka shkruar vetëm një pjesë të tij.

Lindur në vitin shek. 8 para Krishtit, Isaia rridhte nga një familje mbretërore, ose të paktën aristokrate. Jetoi në Jerusalem, ku u martua dhe u bë me 2 djem. U thirr në misionin profetik me anë të një vizioni të papërsëritshëm e mahnitës të Zotit mbi fron, e të altarit qiellor. Ai veproi për gati 50 vjet në fushën fetare, shoqërore e shtetërore, duke predikuar ose shkruar; duke kërcënuar ose këshilluar; duke ngushëlluar ose parashikuar në një periudhë tepër kritike, kur Izraeli adhuronte idhujt.

Profeti Isaia luftoi për rikthimin e fesë judaike dhe u foli bashkatdhetarëve të tij për dënimin që i priste për shkak të largimit të tyre nga Perëndia, por edhe për shpëtimin e tyre e të mbarë botës, me ardhjen e Mesisë.

Përshkroi aq qartë lindjen prej Virgjëreshës, veprën dhe pësimin e Krishtit të flijuar si dele, si dhe shpëtimin tonë, saqë u quajt “Profeti me zë të fortë”, “Profeti i Ungjillit” ose “Ungjillori i Pestë”.

Vdiq i therur me shpatë nga mbreti Manasia, pas kritikave të ashpra që i bënte këtij të fundit, për fajet e tij.

Në Sinaksarët thuhet se kur Isaia kishte etje, burimi i Siloamit nxori ujë me urdhër të Perëndisë.

 

* * * * *

Dëshmorët Kristofori, Akilina, Kalinika.

 

Kristofori rridhte prej kanibalësh. U zu rob në një betejë nga ushtria e Decit (249 – 251). Iu lut Krishtit, edhe pse i papagëzuar, që të mësonte gjuhën vendase, gjë që u bë realitet sapo një engjëll i preku buzët.

Meqenëse tashmë ai fliste hapur në favor të të krishterëve, u arrestua nga një kompani e tërë prej 200 burrash, sepse fizikisht ishte i pamposhtur madje në fytyrë ngjante me qen, ndaj dhe disa herë në ikona është pikturuar si “fytyrë-qen” nga keqkuptimi.

Ushtarët besuan te Krishti, kur Kristofori me lutje u shumoi bukët e fundit që u kishin mbetur. Ata kishin parë shkopin e tij të lëshonte kërcinj, edhe pse ishte i thatë. Ndaj, u pagëzuan që të gjithë, së bashku me shenjtorin, në Antioki nga hieromartiri, Babila (4 shtator).

Kristofori (greqisht do të thotë: mbartës i Krishtit), i cili më parë quhej Reprev (do të thotë: i shëmtuar, i neveritshëm), iu lut atyre ta çonin para Decit, i cili ndodhej në Antioki. Ky dha urdhër dhe mbi të vunë një peshë, e varën nga flokët dhe e shpuan me shpata. Më pas, ndërroi taktikë: U përpoq ta gënjente me gratë immorale Kaliniki dhe Akilina. Por arriti të kundërtën: Këto të fundit u kthyhen të krishtera!

Akilina u var, ashtu si edhe Kristofori më parë, ndërsa Kaliniki, duke u shtirur se do të flijonte te idhujt, i rrëzoi ato. Të dyja gratë u kaluan në hell. Më pas iu pre koka të 200 ushtarëve.

Idhujtarët i veshën shenjtorit trim një veshje metalike dhe e hodhën në zjarr, pastaj e hodhën në pus, duke i varur në qafë një gur të madh. Në të dyja rastet një engjëll e ruajti të pacenuar, ndaj ata, të turpëruar, i prenë kokën.

Ai nderohet si mbrojtësi i automobilistëve, sepse, sipas një gojëdhëne, ai rrinte në një lumë dhe si hamall kalonte matanë udhëtarët duke i mbajtur mbi supe, siç e kishte këshilluar një murg. Kjo ndodhi edhe me Jisuin, që iu paraqit si fëmijë.