NGA LIBRI I PROFETIT ISAIA 2:3-11.

Shumë prej popujve do të vijnë duke thënë: “Ejani, të ngjitemi në malin e Zotit, në shtëpinë e Perëndisë së Jakobit; ai do të na mësojë rrugët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij”. Sepse nga Sioni do të dalë ligji dhe nga Jeruzalemi fjala e Zotit. Ai do të sigurojë drejtësi midis kombeve dhe do të qortojë shumë popuj. Do t’i farkëtojnë shpatat e tyre duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj; një komb nuk ka për të ngritur shpatën kundër një kombi tjetër dhe nuk do të mësojnë më luftën.

O shtëpi e Jakobit, ejani dhe të ecim në dritën e Zotit! Sepse ti, o Zot, ke braktisur popullin tënd, shtëpinë e Jakobit, sepse janë plot me praktika lindore, ushtrojnë magjinë si Filistejtë, lidhin aleanca me bijtë e të huajve. Vendi i tyre është plot me argjend dhe me ar dhe thesaret e tyre nuk kanë fund; vendi i tyre është plot me kuaj dhe qerret e tyre s’kanë të sosur. Vendi i tyre është plot me idhuj; bien përmbys përpara veprës së vetë duarve të tyre, përpara atyre gjërave që kanë bërë gishtat e tyre.

Prandaj njeriu i zakonshëm përulet dhe njeriu i shquar ulet, por ti nuk i fal. Hyr në shkëmb dhe fshihu në pluhurin përpara tmerrit të Zotit dhe përpara shkëlqimit të madhërisë së tij. Vështrimi krenar i njeriut do të ulet dhe krenaria e vdekatarëve do të përulet; vetëm Zoti do të lartësohet atë ditë.

NGA LIBRI I GJENEZËS 1:24-2:3.

 

Pastaj Perëndia tha: “Të prodhojë toka qenie të gjalla sipas llojit të tyre: kafshë, rrëshqanorë dhe bisha të tokës, simbas llojit të tyre”. Dhe kështu u bë. Dhe Perëndia bëri egërsirat e tokës sipas llojit të tyre, kafshët simbas llojit të tyre dhe të gjithë rrëshqanorët e tokës simbas llojit të tyre. Dhe Perëndia e pa që kjo ishte e mirë.

Pastaj Perëndia tha: “Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne, dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët e mbi gjithë tokën, mbi rrëshqanorët që zvarriten mbi dhe”. Kështu Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën. Dhe Perëndia i bekoi; dhe Perëndia u tha atyre: “Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë”. Dhe Perëndia tha: “Ja unë po ju jap çdo bar që lëshon farë mbi sipërfaqen e mbarë tokës dhe çdo pemë të ketë fruta që përmbajnë farë; kjo do t’ju shërbejë si ushqim. Dhe çdo kafshe të tokës, çdo zogu të qiellit dhe çdo gjëje që lëviz mbi tokë dhe ka në vetvete një frymë jete, unë i jap çdo bar të gjelbër si ushqim”. Dhe kështu u bë. Atëherë Perëndia shikoi të gjitha ato që kishte bërë, dhe ja, ishte shumë mirë. Kështu erdhi mbrëmja dhe pastaj erdhi mëngjesi: dita e gjashtë.

Kështu përfunduan qielli dhe toka si dhe tërë ushtria e tyre. Ndërkaq ditën e shtatë Perëndia mbaroi veprën që kishte kryer dhe ditën e shtatë u çlodh nga gjithë vepra që kishte kryer. Dhe Perëndia bekoi ditën e shtatë dhe e shenjtëroi, sepse atë ditë Perëndia u çlodh nga gjithë vepra që kishte krijuar dhe kryer.

NGA LIBRI I FJALËVE TË URTA 2:1-22.

Biri im, në rast se pranon fjalët e mia dhe i quan thesar urdhërimet e mia, duke i vënë veshin diturisë dhe duke e prirur zemrën ndaj arsyes; po, në rast se kërkon me ngulm gjykimin dhe ngre zërin për të siguruar mirëkuptim, në rast se e kërkon si argjendin dhe fillon të rrëmosh si për një thesar të fshehur, atëherë do të ndjesh frikën e Zotit dhe ke për të gjetur kuptimin e Perëndisë.

Sepse Zoti jep diturinë; nga goja e tij rrjedhin njohuria dhe arsyeja. Ai mban rezervë për njerëzit e drejtë një ndihmë të fuqishme, një mburojë për ata që ecin me ndershmëri për të mbrojtur shtigjet e drejtësisë dhe për të ruajtur rrugën e shenjtorëve të tij. Atëherë do të kuptosh drejtësinë, barazinë, ndershmërinë dhe tërë rrugët e së mirës.

Kur dituria të të hyjë në zemër, edhe njohja do të jetë e këndshme për shpirtin tënd, të menduarit do të kujdeset për ty dhe gjykimi do të të mbrojë, për të të çliruar nga rruga e keqe, nga njerëzit që flasin për gjëra të këqija, nga ata që braktisin shtigjet e ndershmërisë për të ecur në rrugët e territ, që gëzohen kur bëjnë të keqen dhe ndjejnë kënaqësi në çoroditjet e njeriut të keq, shtigjet e të cilit janë të shtrembëra dhe rrugët dredha dredha, për të të shpëtuar nga gruaja që ka shkelur kurorën, nga gruaja e huaj që përdor fjalë mikluese, që ka braktisur shokun e rinisë së saj dhe ka harruar marrëveshjen e lidhur me Perëndinë.

Sepse shtëpia e saj zbret drejt vdekjes dhe shtigjet e saj drejt të vdekurve. Asnjë prej atyre që shkojnë tek ajo nuk kthehet, asnjë nuk i arrin shtigjet e jetës. Kështu do të mund të ecësh në rrugën e të mirëve dhe do të mbetesh në shtigjet e të drejtëve. Sepse njerëzit e drejtë do të banojnë tokën dhe ata të ndershëm do të qëndrojnë aty; por të pabesët do të shfarosen nga toka dhe shkelësit do të hiqen prej saj.

* * * * *

NGA LETRA DREJTUAR HEBRENJVE 2:1-10

Prandaj duhet ne më tepër t’ua vëmë veshin atyre që dëgjuam, se mos shkasim ndonjëherë. Sepse nëse doli e vërtetë fjala që u fol me anë të engjëjve, edhe çdo shkelje e mosdëgjim mori shpagim të drejtë, atëherë si do të shpëtojmë ne, në e lëmë pas dore një shpëtim kaq të madh? i cili, pasi zuri të flitet prej Zotit, u vërtetua ndër ne prej atyre që e dëgjuan.

Edhe Perëndia dëshmonte me shenja e me çudira, e me çdo lloj fuqish, edhe me ndarje dhuratash të Frymës së Shenjtë, sipas vullnetit të tij. Sepse nuk e vuri nën pushtetin e engjëjve botën që ka për të ardhur, për të cilën po flasim. Edhe dikush dëshmoi diku, duke thënë: “Ç’është njeriu, që ta kujtosh? Apo i biri i njeriut që ta vështrosh? E bëre pakgjë më të ulët nga engjëjt; me lavdi e me nder e kurorëzove atë, dhe e vure përmbi punët e duarve të tua. Të gjitha i vure nën këmbët e tij”, sepse pasi i vuri të gjitha nën pushtetin e tij, nuk la asgjë pa vënë nën pushtetin e tij. Po tani nuk i shohim ende të gjitha të jenë vënë nën pushtetin e tij.

Por e shohim Jisuin që qe bërë pakgjë më i ulët nga engjëjt, për shkak të pësimit të vdekjes, të kurorëzuar me lavdi e me nder, që me hirin e Perëndisë të provonte vdekjen për çdo njeri.

Sepse i duhej atij, për të cilin janë të gjitha dhe me anë të të cilit janë të gjitha, duke prurë shumë bij në lavdi, të bëjë të përsosur me anë të pësimeve kryetarin e shpëtimit të tyre.

UNGILLI SIPAS MATEUT 20:1-16

Sepse mbretëria e qiejve ngjan me një njeri zot shtëpie, i cili doli që menatë të pajtojë punëtorë për vreshtin e tij. Edhe si u mor vesh me punëtorët për një dinar në ditë, i dërgoi në vreshtin e tij. Edhe si doli rreth orës së tretë, pa të tjerë duke ndenjur në treg pa punë. U thotë edhe atyre: Shkoni edhe ju në vresht, edhe do t’ju jap ç’të jetë e udhës. Edhe ata shkuan. Përsëri doli rreth orës së gjashtë e të nëntë, edhe bëri po ashtu.

Edhe si doli rreth orës së njëmbëdhjetë, gjeti të tjerë duke ndenjur pa punë. Edhe u thotë: Pse keni ndenjur këtu tërë ditën pa punë? I thonë: Sepse asnjë s’na pajtoi. U thotë: Shkoni edhe ju në vresht, edhe do të merrni ç’të jetë e udhës. Edhe si u ngrys, i zoti i vreshtit i thotë kujdestarit të tij: Thirr punëtorët, edhe jepu pagën atyre, duke nisur nga të fundit deri tek të parët. Edhe erdhën ata që ishin pajtuar rreth orës së njëmbëdhjetë, edhe morën nga një dinar.

Edhe kur erdhën të parët, pandehën se do të marrin më shumë; po edhe ata morën nga një dinar. Edhe si i morën, qaheshin kundër të zotit të shtëpisë, duke thënë se: Këta të fundit bënë një orë, edhe i bëre të barabartë me ne që mbajtëm peshën e ditës dhe vapën.

Po ai u përgjigj e i tha njërit nga ata: Mik, nuk po të bëj padrejtësi. A nuk bëre fjalë me mua për një dinar? Merr tëndin dhe ik. Edhe këtij të fundit dua t’i jap njëlloj si edhe ty. Apo nuk më lejohet të bëj ç’të dua në punën time? Apo syri yt është i lig, sepse unë jam i mirë? Kështu do të jenë të fundit të parë, edhe të parët të fundit. Sepse shumë janë të thirrur, por pak të zgjedhur.