Doli në qarkullim albumi i ri me Himne Kishtare Bizantine

Kori bizantin i psaltëve  “Shën Joan Kukuzeli” i Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, u ofron një dhuratë të veçantë të gjithë besimtarëve dhe artdashësve: Doli në qarkullim albumi muzikor me himne bizantine ngjallësore, me titull “Lavdërojmë Ngjalljen tënde”. Albumi u realizua me bekimin dhe mundësitë e krijuara nga Kryepiskopi Anastas, si ndihmë shpirtërore për besimtarët orthodhoksë të Kishës sonë dhe për çdo admirues të muzikës bizantine.

Ky album del në dritë pas një veprimtarie korale prej 12 vitesh, si në psalje gjatë shërbesave në Katedrale, por edhe gjatë aktiviteteve të shumta në Shqipëri dhe jashtë saj. Ai vjen edhe si rezultat i konsolidimit të mësimdhënies psaltike në Shkollën e Muzikës Bizantine, të plotësimit të repertorit muzikor me botime të shumta.  Këto rezultate u arritën përmes frymëzimit dhe mbështetjes së gjithanshme të Kryepiskopit Anastas, që e ngriti Artin Psaltik në Shqipëri në një nivel profesional.  Rol kryesor në këto arritje ka Ph.D.c Theodhor Peci, drejtori i Shkollës së Muzikës Bizantine drejtues i korit bizantin.

Albumi Muzikor përmban 15 himne, të një kohëzgjatjeje rreth një orë e dhjetë minuta. Repertori i himneve përfshin të gjitha periudhat e Artit Psaltik, gjinitë kompozicionale dhe ato të Tingujve (modeve), duke filluar me kompozime nga melodibërës anonimë, të shën Joan Damaskinit, shën Joan Kukuzelit nga Durrësi, Manuel Krisafit, Petro Lambadharit, Gjergjit nga Kreta, Joan Protopsaltit dhe Theodhor Pecit. Të gjithë himnet përshkruajnë me tinguj muzikorë një panoramë të përgjithshme të Muzikës Bizantine ndër shekuj dhe vlerat e saj të paçmuara, që bëjnë pjesë në trashëgiminë jo materiale të UNESCO-s.

Ky album (CD) ndodhet në fund të një libërthi të vogël, i ilustruar me miniatura kodikësh, ikona ikonografëve tanë Onufri, Shpataraku dhe Zografët, fotografi nga kori ndër vite, si dhe disa himne në partiturë. Libri është konceptuar në tri gjuhë: shqip, greqisht dhe anglisht. Ai nis me një prezantim të himneve, me hyrjen nga Kryepiskopi Anastas, vazhdon me informacione të shkurtra rreth korit dhe drejtuesit të tij, si edhe përshkruan përmbledhtazi një historik të muzikës bizantine në hapësirën shqiptare. Fortlumturia e Tij thekson se: “Këto himne të mrekullueshme janë përmbledhje të shkëlqyera të mësimeve doktrinore të Kishës.  Janë burime të vlefshme, që pasurojnë mendjen dhe zemrën tonë dhe  nxjerrin në pah fuqinë shprehëse, plotësinë dogmatike dhe horizontin e tyre ekumenik”.

Për realizimin e këtij albumi rol kryesor luajtën djemtë e korit nën udhëheqjen e drejtuesit të tyre të cilët kryen një punë profesionale dhe të palodhur dhe gjithë ata që e mundësuan teknikisht realizimin e tij. Falënderojmë edhe znj. Fjoralba Prifti, drejtoreshë e Muzeut Kombëtar të Artit mesjetar në Korçë, që na vuri në dispozicion tre ikona nga arkivi i Muzeut.