Oshënar Partheni i Lampsakës.
Shën Partheni ishte biri i dhjakut Kristodhulos, nga Melitopolis në Helespont. Edhe pse i pashkolluar, dëgjonte me vëmendje leximin e Shkrimit të Shenjtë në kishë dhe përpiqej ta zbatonte atë në praktikë. Merrej me peshkim dhe fitimet ua jepte të varfërve, duke mos mbajtur asgjë për vete. Përdëllimi i tij u bë i njohur te të gjithë, dhe Fileti, episkopi i Melitopolis, e bindi të pranonte hirotonisjen në priftëri, me detyrë që të kujdesej për dioqezën, duke vizituar besimtarët në shtëpitë e tyre. Hiri i Perëndisë solli shumë fryte tek ai, duke kryer shumë mrekulli dhe shërime. Një ditë, takoi një njeri në rrugë, të cilit i kishte dalë syri, sepse e kishte goditur me brirë një buall. Shenjti i rivendosi syrin dhe ia shëroi. Në një rast tjetër, shëroi një grua nga një tumor vdekjeprurës, vetëm duke i bërë shenjën e Kryqit. Gjithashtu, kur një qen i tërbuar e sulmoi, ai bëri që kafsha të binte e ngordhur në këmbët e tij, thjesht pasi i fryu.
Kur pa kaq shumë shenja të dashamirësisë hyjnore, Askali, mitropoliti i Kizikës, e dorëzoi episkop të qytetit të Lampsakës, që ishte ende në prangat e idhujtarisë. Me anë të kreshmëve, lutjeve dhe fjalëve të frymëzuara, por, mbi të gjitha, me anë të shembullit të jetës së tij ungjillore, shenjtori ia doli mbanë të konvertonte të gjithë qytetin. Kur vizitoi oborrin e shën Konstandinit të Madh, ai u autorizua të shkatërronte tempujt paganë të Lampsakës dhe mori fondet për të ndërtuar një kishë. Kur u përfundua ndërtesa, sollën një gur të madh për ta vendosur mbi altar, por kau që tërhiqte karrocën u tërbua nga nxitja e djallit dhe gjithë pesha e saj ra mbi karrocierin. Shenjtori iu lut me gjithë shpirt Perëndisë dhe i vdekuri u rikthye në jetë.
Shën Partheni ishte ati i dashur dhe përkujdesja e vërtetë e atij qyteti. Ai shëronte çdo sëmundje, duke i nxjerrë mjekët të tepërt, e kjo gjë shkaktonte smirën e tyre. Njësoj si drita që shpërndan errësirën, me ardhjen e tij demonët u larguan. Një ditë ai urdhëroi një demon të dilte nga një njeri i varfër, por shpirti i keq i tha: “Më jep një vend ku të jetoj deri në ditën e frikshme të Gjyqit ose, të paktën, të shkoj të banoj në tufën e derrave (Matth. 8:32). “As nuk bëhet fjalë”, u përgjigj shenjtori, “por kur të dalësh nga ky njeri i gjorë, është një tjetër që po të pret të shkosh”. “Cili është ky?”- “Jam unë! Eja dhe bano tek unë!”. Shpirti i keq iku kur dëgjoi këto fjalë, duke thirrur sikur po e rrihte njeri me kamxhik: “Si mund të futem në shtëpinë e Perëndisë? E madhe është fuqia e të krishterëve!”.
Një ditë Partheni shkoi në Heraklea, kryeqytet i Thrakës, ku episkop Hipatiani ishte shumë i sëmurë. Perëndia ia zbuloi se arsyeja e sëmundjes ishte koprracia e tij. “Ngrihu!” i tha ai episkopit. “Nuk vuan nga sëmundje trupore, por nga shkaqe shpirtërore. Lëri të varfrit të kenë të mirat që ti i ke marrë prej tyre dhe do të shërohesh”. I ndërgjegjshëm për mëkatin e tij, Hipatiani ia dha Parthenit gjithë pasurinë, që t’ua ndante njerëzve të varfër. “Jo, i tha Partheni përderisa Perëndia të ka dhënë fuqi, të takon ty t’u japësh të varfërve atë që kanë të drejtë të marrin”.
Mitropoliti shkoi më pas në kishën e Shën Gliqerisë, mbrojtësja e qytetit, dhe atje ua shpërndau të varfërve gjithë pasurinë. Pas 3 ditësh u shërua.
Për sa kohë qëndroi në Heraklea, shën Partheni shëroi shumë të tjerë dhe bekoi fushat e të mbjellat, duke parashikuar edhe të korrat. Kur u nda me mitropolitin, shenjtori i paratha se atij vetë po i afrohej largimi nga kjo botë dhe i tregoi se kush do të ishte pasuesi. Pak kohë pasi u kthye në Lampsakë, dha frymën te Perëndia, duke shpërndarë në grigjën e tij aromën e mirë të mrekullive dhe shembullin e shkëlqyer të jetës. Sapo mësuan për largimin e tij nga kjo botë, episkopët e krahinave përreth erdhën për t’i bërë nderimet e duhura, duke iu përgjëruar Perëndisë me lutje dhe falënderime të nxehta.
* * * * *
Oshënar Llukai në Stiri.
Paraardhësit e shën Llukait emigruan nga Egjina, në pjesën kontinentale të Greqisë, sepse ishulli i tyre ishte i ekspozuar ndaj sulmeve të saraçenëve. Pas shumë mundimesh, në vitin 890, u vendosën në fshatin Kastorion, ku jetonin mirë dhe atje, lindi shën Llukai, djali i tretë i familjes me shtatë fëmijë. Që në moshë të re, tregoi prirje për jetën shpirtërore dhe asketizmin, njësoj sikur të ishte një jerond i vjetër me përvojë. Nuk hante mish, vezë, prodhime bulmeti dhe gjëra të tjera të shijshme. Ushqehej vetëm me bukë dhe perime. Nuk pinte asgjë, përveç ujit, dhe çdo të mërkurë e të premte mbante kreshmë të plotë. Punonte gjithë ditën duke kullotur bagëtinë ose në fushë e, megjithatë, ua jepte të varfërve ushqimin e tij të thjeshtë e në disa raste dhe rrobat, dhe kthehej në shtëpi i zhveshur.
Pas vdekjes së të atit, Llukai la punën e bujqësisë për t’iu përkushtuar tërësisht jetës shpirtërore dhe arriti në një shkallë aq të lartë virtyti, saqë, kur lutej, ngrihej nga toka. Duke pasur dëshirë të madhe për t’u bërë murg, një ditë e la shtëpinë e tij dhe shkoi në Thesali, por u ndalua nga ushtarët, që e morën për skllav të arratisur dhe donin të dinin se cili ishte zotëria i tij. Kur Llukai u tha me pastërti zemre se ishte Krishti zotëria i tij, ata e rrahën dhe e futën në burg. Kur e dërguan në shtëpi, duroi të gjitha qortimet dhe të sharat që i bënë. Perëndia e pa me mirësi durimin e tij, derisa dy murgj që vinin nga Roma, ndaluan në fshatin e shenjtit rrugës për në Jerusalem.
Ai ia doli mbanë të bindte të ëmën, që ta linte të ikte me murgjit. Kur mbërritën në Athinë, murgjit e lanë katërmbëdhjetëvjeçarin nën kujdesin e një igumeni manastiri të qytetit, i cili pas një farë kohe, e veshi me veshjen e vogël murgërore. Ndërkohë e ëma qante për Llukain, e kishte marrë malli për të. Qante aq shumë me vajtime, saqë igumeni, duke e parë atë në ëndërr çdo natë me lot në sy, thirri djalin e ri dhe i dha bekimin të kthehej në shtëpi. Pas 4 muajsh, e ëma e lejoi të jetonte si murg atje pranë, në malin e Joanicës (Bardos), ku ndodhej një kishë kushtuar Anargjendëve të shenjtë Kozma e Damian.
Qelia e tij e varfër ishte vendi i përpjekjeve shpirtërore, që e ndihmonte të fshihte nga sytë e botës luftërat e tij shpirtërore, të kryera për hir të dashurisë për Perëndinë. Ai luftonte ashpër me tiraninë e gjumit dhe çdo natë rrinte zgjuar, duke bërë metani të panumërta me lutjen: “O Zot, mëshiromë!” Mbante edhe një kopsht të vogël, produktet e të cilit ua jepte vizitorëve ose fqinjëve. Sa më shumë përpjekje asketike që ndërmerrte, aq më tepër i ëmbël bëhej, duke shfaqur dashuri dhe mirësi për njerëzit, madje edhe për kafshët e egra dhe për gjarpërinjtë.
Një ditë, erdhën ta takonin dy murgj të devotshëm, që po shkonin për në Romë. Kur e panë sjelljen e tij, që nuk dallonte nga ajo e një murgu të përsosur, edhe pse ishte vetëm 18 vjeç, ata e veshën me Veshjen e Madhe Engjëllore. Pasi u vesh me mburojën e një luftëtari me përvojë dhe të sprovuar mirë, Llukai hyri në beteja më të forta asketike dhe në izolim më të madh nga bota. Arriti në një shkallë aq të lartë me kreshmë, lot dhe me lutje, saqë Perëndia i fali dhuratën e mrekullisë dhe të profecisë. Kështu, ai paratha sulmin e bullgarëve, që shkatërroi Greqinë në vitin 917.
Shumë njerëz vinin nga zonat aty pranë për të marrë bekimin e këtij njeriu të famshëm për jetën e tij ose për të rrëfyer mëkatet. Ai i ndihmonte në këtë përpjekje, duke ua zbuluar mendimet e mëkatet e fshehta dhe, pasi u caktonte pendesat e nevojshme, u jepte faljen në emrin e Zotit. Në një nga këto takime, djalli shfrytëzoi rastin për të dërguar tek ai, me pretekstin e rrëfimit, tri gra dhe, pas largimit të tyre, frymëzoi mendime të këqija tek ai. Shenjti luftoi kundër tundimit për tri ditë dhe net me lot e lutje, dhe u çlirua me anë të shfaqjes së një engjëlli, që i dha dhuratën e papasionshmërisë. Kështu, duke u bërë një engjëll në mish, ai nuk pati më asnjë shqetësim nga mendimet e këqija trupore apo nga prania e grave.
Pasi kaloi 7 vjet në malin Joanica, kërcënimi i sulmeve bullgare bëri që Llukai dhe grupi rreth tij, të shkonin në një ishull atje pranë. Por, përsëri një sulm i papritur i detyroi të largoheshin. Shenjtorit iu desh të notonte për të shpëtuar dhe, sipas gjasës, përfundoi në Korinth. Kur ishte atje, vendosi të mësonte në shkollën fillore, edhe pse tani ishte i rritur, sepse kishte dëshirë të madhe për të lexuar Shkrimin e Shenjtë. Por nxënësit ishin aq të padisiplinuar, saqë ai preferoi më mirë të mbetej i paarsimuar, sesa të duronte sjelljen e tyre. Mendoi të shkonte për të jetuar pranë një stiliti në Patra, kur një tjetër stilit, që jetonte pranë Korinthit, i kërkoi të jetonte me të. Llukai u gëzua shumë që do të merrte rrugën e bindjes. Për 10 vjet gjuante peshk, mbartte ujë e dru dhe bënte çdo gjë tjetër që jerondi i kërkonte, me bindje të plotë.
Pas rivendosjes së paqes më 927, në sundimin e mbretit të ri bullgar Petro, Llukai u kthye përsëri në qelinë e tij në malin Joanica, ku dyfishoi zellin në asketizëm dhe dashurinë e tij për vizitorët. Një ditë, kur dëgjoi se kryepiskopi i Korinthit po kalonte andej, shkoi t’i shprehte respektin dhe t’i ofronte disa perime nga kopshti. Kryepiskopi i kërkoi të vizitonte qelinë e tij. Ai përfitoi shumë kur pa varfërinë e jetesës së asketit dhe donte t’i jepte para, por asketi nuk pranoi, duke i thënë se ajo që donte të merrte prej tij nuk ishin paratë, por lutja dhe mësimi. Në përgjigje të pyetjeve të tij, kryepiskopi i tha se asketët që jetonin larg kishave mund të kungoheshin me Misteret e Shenjta të Parashenjtëruara. Në një rast tjetër, shenjtori u pyet përse nuk shkonte në manastire për të kremtet e mëdha dhe ai dha këtë përgjigje: “Të kremtet dhe himnet kanë si qëllim të tyre fitimin e frikës së Perëndisë. Por çfarë mund t’i sjellin ato një njeriu që ka fituar frikën e Perëndisë me anë të qetësisë dhe lutjes?”.
Një ditë, kur shën Llukai ndodhej në një manastir afër Thivës, të cilin e kishte zakon ta vizitonte, një prej të parëve të qytetit erdhi për t’iu lutur që t’i shëronte të birin, i cili ishte i sëmurë rëndë. Në fillim shenjtori refuzoi, duke i thënë se Perëndia është i vetmi mjek i shpirtrave dhe i trupave, por, i nxitur nga miku i tij, Andoni, igumeni i manastirit shkoi tek i sëmuri për t’u lutur. Në mëngjes, djali i ri u ngrit i shëruar, mori kalin e tij dhe u largua.
Mrekullitë dhe profecitë e tij kishin marrë famë. Vinin aq shumë vizitorë, sa shenjtit iu prish qetësia dhe u detyrua të linte Joanicën e të shkonte në qytetin e qetë të Kalamionit. Atje jetoi 3 vjet, derisa një tjetër inkursion hungarez e detyroi të shkonte në ishullin djerr të Ampelonit. Herë pas here, e motra e furnizonte me bukë, të cilën ai e ndante me marinarët e varfër dhe nevojtarët që i zinte rruga, ndërkohë që edhe i ngushëllonte në hidhërime me çdo lloj mënyre, duke i siguruar se ditë më të mira do të vinin.
Gjatë atyre 3 viteve që jetoi në ishull provoi shumë mundime: duroi me vetëmohim një sëmundje, duke preferuar më mirë dhimbjen si shpërblim shpirtëror, sesa të përdorte ilaçin që iu zbulua në mënyrë hyjnore me anë të një vizioni. Në fund, iu bind lutjeve të nxënësve të tij dhe u kthye në vendin e quajtur Stiri (Stirion ose Soterion), vend me bukuri të jashtëzakonshme natyrore, tek i cili mund të shkoje me shumë vështirësi.
Pastroi vendin, e ktheu në një kopsht të bukur dhe ndërtoi edhe qelinë e tij. Jetoi pjesën e mbetur të jetës në shoqërinë e nxënësve më të afërt , duke i fshehur virtytet. Por fama e tij, si një profet i ri, sillte shumë vizitorë, të cilët bënin garë me njëri-tjetrin se kush do ta bënte shenjtorin mikun e tij. Ai u thoshte të ardhmen e jetës së tyre dhe parashikoi 20 vjet përpara rimarrjen e Kretës nga arabët prej Niqifor Fokasit (961).
Në ato kohë të sulmeve të pareshtura pirate dhe barbare, ai lajmërohej nga qielli në kohë për rrezikun dhe kështu i paralajmëronte njerëzit e krahinës që të strehoeshin në pyjet dhe malet përreth. Një besimtar, që kishte mendim jo të mirë për shenjtorin, e pa atë në një vizion të qëndronte mbi një qilim të shkëlqyeshëm dhe të purpurt në qiell.
Në vitin e shtatë të qëndrimit të tij në Stiri, shën Llukai zuri shtratin. Ai përqafoi nxënësit dhe të gjithë njerëzit që vinin për ta takuar për herë të fundit. U kërkoi të luteshin për të dhe e dorëzoi paqësisht shpirtin e tij te Perëndia më 7 shkurt 953. Nga varri i tij buroi vaj erëmirë dhe u mblodh në një enë, ndërsa varri vetë u bë burimi i shumë mrekullive. Siç paratha shenjtori, më pas u ndërtuan atje dy kisha dhe një manastir, i cili edhe sot është vend i famshëm pelegrinazhi.