– Apostulli – 2 Timotheut 1:3-9.
Falënderoj Perëndinë, të cilit i shërbej, sikurse edhe të parët e mi, me ndërgjegje të kthjellët, se pa pushim të kujtoj në lutjet e mia natë e ditë, edhe se, kur kujtoj lotët e tu, kam mall të të shoh, që të mbushem me gëzim; sepse sjell ndër mend besimin tënd pa hipokrizi që është tek ti, i cili qëndroi më parë te gjyshja jote Loida, edhe tek nëna jote Eunika; edhe jam i bindur se edhe tek ti.
Për këtë shkak të kujtoj ty të gjallërosh përsëri dhuratën e Perëndisë, e cila është tek ti me anë të vënies së duarve të mia mbi ty. Sepse Perëndia s’na ka dhënë frymë frike, po fuqie edhe dashurie e urtësie.
Mos kij turp pra për dëshminë e Zotit tonë, edhe për mua të burgosurin e tij; por vuaj bashkë me mua për ungjillin sipas fuqisë së Perëndisë; i cili na shpëtoi dhe na thirri me thirrje të shenjtë, jo sipas punëve tona, po sipas vendimit dhe hirit të tij që na u dha në Krishtin Jisu që përpara kohëve të përjetshme.