Tomografia e Kompjuterizuar (Skaneri), aparaturë e fjalës së fundit
Dhuratë e Fondacionit “Onassis” për Qendrën Diagnostike “Ungjillëzimi”.

 

Që në fillimit të muajit shkurt, në Qendrën Diagnostike “Ungjillëzimi” është shtuar një pajisje e re e fjalës së fundit, skaneri, i cili do e përmirësojë ndjeshëm nivelin e ekzaminimeve për sëmundje të ndryshme.

Në ditët e sotme, Imazheria Mjekësore po zhvillohet me hapa shumë të shpejtë, duke ndihmuar gjithmonë e më shumë në kontrolle, diagnoza të hershme, planifikim të trajtimit, si dhe orientimin e procedurave ndërhyrëse. Ndaj, për të ofruar shërbim sa më cilësor ndaj pacientit, është shumë e rëndësishme që të investohet në pajisje të fjalës së fundit të teknologjisë, të cilat rritin saktësinë e gjetjes së diagnozës në sëmundje të ndryshme.

Në përmbushje të misionit tonë “Ofrimi i kujdesit shëndetë-sor ekselent në cilësi, shërbim dhe akses”, departamentit të Imazherisë të Qendrës Diagnostike “Ungjillëzimi” iu shtua një pajisje e Tomografisë së Kompjuterizuar (Skaner). Pajisja është e kohëve të fundit, e prillit të vitit 2022. Sigurimi i saj u mundësua nga Fondacioni i njohur “Onassis”, pas kërkesës së Kryepiskopit Anastas. Për shumë vite, Fortlumturia e Tij ka qenë anëtar i bordit të këtij fondacioni.

Skaneri i markës “Somatom go. Top, SIEMENS” ofron cilësinë më të lartë të imazheve, kohë shumë të shkurtër të skanimit dhe doza të vogla rrezatimi. Kështu, ai përmbush të gjitha pritshmëritë e pacientit dhe ekipit mjekësor, për marrjen e të dhënave sa më të detajuara, në kohë të shpejtë dhe pa shumë ekspozim ndaj rrezeve.

Kjo pajisje përdor detektorë mjaft të efektshëm, gjë që sjell reduktim të ndjeshëm të dozës së rrezatimit dhe rritje të rezolucionit hapësinor të imazheve të përfituara; protokolle të personalizuara për çdo pacient, kilovoltazh të përshtatur për çdo indikacion klinik.

Përveç kësaj, përdorimi i pajisjeve për skanime të avancuara ofron për pacientin komoditet, fleksibilitet dhe monitorim të vazhdueshëm gjatë gjithë ekzaminimit falë kamerave të instaluara në pjesën e brendshme të gentrit.

Tomografia e Kompjuterizuar shërben gjithashtu në studimin e zonave të shumta anatomike dhe në situata të ndryshme klinike, si më poshtë:

– Studime kardiovaskulare: Koha e shkurtër e skanimit eviton problemet e lëvizjes, duke ofruar imazhe me rezolucion të lartë. Softuerët e avancuar të përpunimit të imazhit ofrojnë rezultate të pakrahasueshme për vlerësimin e zemrës dhe enëve të gjakut.

– Studime neurologjike: Saktësi diagnostike në studimin e kockave dhe të indit cerebral.

– Studime të toraksit: Të dhëna të detajuara të gjendjes së mushkërisë dhe rrugëve të ajrit.

– Studime onkologjike: Vlerësim i formacioneve tumorale në mënyrë të detajuar dhe me saktësi maksimale, falë softuerëve të shumtë inteligjentë.

– Studime angjiografike: Koha shumë e shkurtër e skanimit lejon imazhe me cilësi të lartë të strukturave vaskulare të çdo regjioni anatomik.

Besojini shëndetin dhe mirëqenien tuaj profesionistëve të kualifikuar dhe infrastrukturës bashkëkohore.

Kontakt: 04 2360925/ 2382210

Adresa: Rruga e Dibres 159 Tirane.

 


Foto Album:

 

Tomografia e Kompjuterizuar (Skaneri) 2023