Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë.

Deklaratë.

Duke marrë shkas nga publikimet e fundit në internet, Kisha e Shqipërisë sqaron se nuk ka për t’u përfshirë në metodën e polemikave, përgënjeshtrimeve, fyerve, pasaktësive dhe qortimeve, siç pretendohet nga laikë jokompetentë nëpër faqe interneti.

Pra, Kisha Orthodhokse në Shqipëri deklaron qartazi se nuk do t’i shpallë në internet dhe, përgjithësisht, në mjetet e informacionit masiv mendimet dhe gjykimet e saj për sa i përket qëndrimit dhe sjelljes së Kishave të tjera Orthodhokse vendore dhe të Primatëve të tyre. Problemet e dhembshme kishtare që janë krijuar vitet e fundit, madje edhe tani afër në Afrikë, me pasojë krisjen e dukshme të marrëdhënieve të Kishave Orthodhokse vendore dhe shqetësimin e madh të besimtarëve orthodhoksë, nuk zgjidhen me metodën e goditjeve të njëpasnjëshme nga disa Kisha kontrete dhe të pëlqimit kolektiv të Kishave të tjera nëpërmjet mjeteve të informacionit masiv.

Mendimi i përgjegjshëm i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë shprehet përmes letërkëmbimit kishtar zyrtar, përmes njoftimeve të Kryesekretarisë dhe duke ia parashtruar çështjen drejtpërdrejt organit kompetent, Sinodit ose Mbledhjes Panorthodhokse, i cili, duke u mbështetur në parimin e sinodicitetit, është i vetmi që mund të zgjidhë problemet themelore dhe të sigurojë unitetin dhe paqen e Kishës Orthodhokse në mbarë botën.

Meqenëse fatkeqësia e pashembullt e Orthodhoksisë në Ukrainë nuk po merr fund dhe dhimbja e papërshkrueshme e besimtarëve orthodhoksë po arrin kulmin, kërkohet doemos që kjo çështje të trajtohet në mënyrë panorthodhokse sa më shpejt që të jetë e mundur. Sinodi Panorthodhoks, sikurse dihet, thirret nga Patriarku Ekumenik, mblidhet dhe nis punimet e tij edhe nëse disa Kisha vendore nuk marrin pjesë, siç ndodhi edhe në Sinodin e Shenjtë dhe të Madh të Kishës Orthodhokse në Kretë, në vitin 2016.

Tiranë, 11 mars 2023
Kryesekretaria e Sinodit të Shenjtë