E Diela I e Kreshmës së Madhe, E Orthodhoksisë, Triumfi i Orthodhoksisë, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignatit, 05.03.2023 (Tekst)

 

«Eja dhe shih» (v. 46)

Sot dita i është kushtuar fitores së Orthodhoksisë, prandaj edhe e quajmë e Diela e Orthodhoksisë. Kremtojmë domethënë triumfin e besës së vërtetë. Triumfin kundër herezive, shtrembërimit të së vërtetës që predikoi Krishti, fitoren kundër thyesve dhe luftuesve të ikonave dhe ringritjen e ikonave të hirshme në vitin 843 pas Krishtit në Kostandinopojë.

Një konstatim i rëndësishëm: Në tempullin qendror të Manastirit të Hirshëm të Shën Anës, dhe konkretisht në të dyja anët e Ikonostasit të Shenjtë, ikonografi ka vendosur, me të drejtë dhe simbolikisht, nga njëra anë ikonën e Lindjes së shenjtë të Shpëtimtarit dhe paralelisht në anën tjetër ikonën e Faljes dhe ringritjes së Ikonave të Shenjta.

Që të na paraqesë ngjarjen historike dhe çështjen teologjike, siç përmendet në Shkurtoren dhe Shtëpinë e Shërbesës së të Kremtes: Kisha i falet ikonës së mishërimit të Krishtit.

Kisha, me fjalë të tjera, shpall sot se pikturojmë ikonën e Krishtit, sepse në këtë mënyrë shpallim trupëzimin e Tij. Perëndia u bë njeri dhe prandaj mund ta paraqesim në Ikonat e shenjta. Pohojmë në këtë mënyrë sigurinë tonë se Perëndia u bë njeri; u bë një prej nesh dhe ne u bëmë bijtë e Tij. Sepse me trupëzimin e Tij, Kryqëzimin dhe Ngjalljen e Tij, na hapi derën që të hyjmë bashkë me Të në përjetësi.

Një shenjtor bashkëkohor vëren: «Kisha mbi tokë e Perëndisë, që drejtohet nga Shpirti i Shenjtë, përpiqet të paraqesë këtë realitet të dashur, të mrekullueshëm dhe të mahnitshëm tek besimtarët me ndihmën e ikonave, që përfaqësojnë botën e padukshme të fuqive qiellore. U kujton praninë e vazhdueshme të këtyre fuqive në botë. Kur i falemi ikonës, nuk do të thotë se adhurojmë drurin apo bojërat e pikturës, por fuqitë qiellore që ikonizohen në to e që janë të gjalla dhe të pranishme. Kur qëndrojmë para ikonave me frikë Perëndie, të njëjtën frikë ndiejmë dhe transmetojmë drejt qielloreve. Kur ndiejmë ngushëllim dhe gëzim nga ikonat, në realitet, e marrim këtë gëzim nga fuqitë qiellore që ikonizohen në to.

Vetëm të marrët dhe ata që janë pushtuar nga fuqitë demoniake shikojnë idhujtari në faljen e ikonave. Kush tjetër ka shpallur luftë kundër idhujtarisë, në rrjedhën e shekujve, përveçse Orthodhoksisë? Besimtarët e kujt Kishe u sakrifikuan me miliona në këtë luftë fituese? Kush tjetër e zhduku idhujtarinë? Si do të mundej pra, një Kishë që shfarosi idhujtarinë të bëhet idhujtare?

Këtë akuzë e hodhën kundër Kishës Orthodhokse heretikët e paligjë, që funksiononin duke menduar sipas mishit e jo shpirtërisht. Me mendjen e tyre të errësuar nuk mundën të shikojnë ndryshimin midis faljes së ikonave dhe idhujtarisë. Ishin të paaftë t’ia dalin mbanë me argumentet e pasakta, të gabuara dhe kështu hapën zjarr dhe vranë besimtarët e vërtetë me shpatën e tyre. Por fuqia e Perëndisë ishte më e madhe se zjarri dhe shpata e heretikëve. Si pasojë, heretikët përfundimisht u mposhtën, ia mbathën pas betejës, ndërsa ikonat mbetën që të stolisin ikonostaset dhe të kujtojnë tek besimtarët praninë e frikshme të Perëndisë dhe fuqive qiellore, nëpërmjet jetës së burrave dhe grave të shenjta.

Për kujtim të fitores kundër luftuesve të ikonave dhe rivendosjes triumfale të nderit ndaj tyre -në kohën e patriarkut Metod, perandoreshës shpresëtare Theodhora dhe birit të saj Mikail- Etërit tanë të shenjtë dhe hyjmbajtës caktuan të Dielën e Parë të Dyzetëditëshit të Madh të Kreshmëve, t’i kushtohet kësaj ngjarjeje. Kjo ditë është e njohur si e Diela e besës Orthodhokse kundër heretikëve, që deshën të pengojnë faljen e ikonave, siç bënë edhe “të mençurit” e kësaj bote.

Shën Joani i Kronshtandit shkruan: Duke nderuar ikonat e shenjta, së pari nderoj Perëndinë në to, atë që lindi Birin përpara gjithë shekujve, ikonës së tij të gjallë, që i dha substancë lëndore -ekzistencë- vullnetit të Perëndisë Atë, duke krijuar edhe gjithë qeniet; dhe si kurorë të krijesës së dukshme, që shihet, njeriun, “sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë” së Perëndisë.

Së dyti, nderoj në to veten time, që jam i ftuar të bëhem pjesëmarrës i natyrës hyjnore, të jem tempull i Shpirtit të Shenjtë.

Gjithashtu nderimin e ikonave të shenjta, ma frymëzon fakti se në to shfaqet fuqia e Perëndisë, duke shpëtuar besimtarin dhe duke ndëshkuar të pabesin. Të njëjtën fuqi shoh edhe tek shenja e Kryqit të Zotit, që quhet Jetëbërës, sepse është shenjë e një fuqie të mrekullueshme.

Dhe në një rast tjetër përmend i njëjti atë: «Kryqi dhe shenja e Kryqit është fuqi e Perëndisë. Perëndia gjendet atje ku është Kryqi. Në të njëjtën mënyrë, ikonat e Zotit, të Hyjlindëses, të Engjëjve dhe të Shenjtorëve kanë fuqinë e Perëndisë për besimtarët e vërtetë dhe mund të bëjnë mrekulli për ta. Por përse? Sepse, me hirin e Perëndisë, Zoti, Virgjëresha e Tërëshenjtë, Engjëjt, Shenjtorët janë, nëpërmjet ikonave të tyre, pranë nesh. Më pranë nesh edhe nga vetë ikonat e tyre. Është e vërtetë kjo. E dëshmon shumë shpesh përvoja.

Orthodhoksia pra, duke pasur si përmbajtje të saj vetë Krishtin -Perëndinë dhe njeriun Krisht- bashkon Kryqin me Varrin e vulosur, të dërrmuar nga trysnia e Jetës -nga Jisui i Ngjallur- dhe lidh të shkuarën me të tashmen, të përkohshmen me të përjetshmen, të botshmen me të shenjtën, tokësoren me të fundmet, lëndoren me shpirtëroren, vdekjen me jetën, njeriun me Perëndinë. Dhe na ndihmon të kalojmë nga padija në dije, nga vetëdashja në dashuri, nga skllavëria «nën forcat e botës» (Gal. 4:3), në lirinë «e bijve të Perëndisë» (Rom. 8:21), nga ikona në përngjasimin me Perëndinë, kur veshim edhe ikonën e qiellores.

Por në ditët tona lind një çështje dhe një problem: Thonë disa, pra, se Orthodhoksia është realisht diçka e hirshme e që meriton respekt, por është diçka muzeale, që nuk ka lidhje me jetën e sotme. Sepse, thonë, Orthodhoksia mbështetet në Traditë. Dhe Tradita ka lidhje me të shkuarën, jo me të tashmen. Kjo është gabim. Tradita e Kishës sonë është rrënjë, rrënjë dinamike, që është paracaktuar të sjellë fryte këtu edhe sot. Një e sotme pa të djeshmen, një degë pa rrënjë, një jetë pa Traditë, është e dënuar në fishkje. Tradita e hirshme e Kishës sonë filloi si një rrëke dhe u bë lum i madh. Kushdo që qëndron larg nga ky lum, bëhet si uji i ndenjur dhe i turbullt. Nderimi i ikonës, që është traditë e Kishës, siç thotë shën Vasili, «shkon për tek origjinali». Domethënë, shkon nga ikona në personin që ikonizohet, nga ikona në prototip, tek Krishti pra që është burimi i shenjtërimit të njeriut dhe gjithë botës.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Klerikë dhe laikë, le të ndërgjegjësohemi për përgjegjësinë tonë përkundrejt Kishës Orthodhokse dhe ta jetojmë plotësisht Orthodhoksinë tonë. Që të arrijmë, dritën e saj të pashuar ta transmetojmë në brezat e ardhshëm si «trashëgimi, që nuk prishet dhe nuk përlyhet, as fishket por është ruajtur në qiej për ne» (I Pjetri 1:4).

 U bëftë.