E Diela e të Lidhurit Të Djathit, një çështje interesante, nga Mitropoliti i Beratit, Vlorës & Kaninës, H. Ignati, 26.02.2023 (Tekst)

«Nëse ua falni njerëzve fajet e tyre, do t’jua falë edhe juve Ati juaj qiellor. Po nëse nuk ua falni njerëzve fajet e tyre, as Ati juaj nuk do të falë fajet tuaja» (v. 14-15)

Gjendemi në hyrje të Triodit. Në prag të Dyzetëditëshit të Madh e të Shenjtë. Pas dy shkallëve të para, të Përulësisë dhe të Pendimit, vijmë tek shkalla e tretë, ajo e Ndjesës. Pjesa e sotme e Ungjillit është një shkëputje e vogël e «fjalimit mbi mal» të Jisu Krishtit, menjëherë dhe si vazhdim i «Ati ynë që je në qiej…» «dhe falna fajet tona, sikurse edhe ne ua falim fajtorëve tanë».

Këtë kërkesë vjen tani që të përmbushë Mësuesi hyjnor.

* * *

Ati, siç e pamë të dielën e kaluar, ia dha gjykimin Birit. Dhe Biri, siç e shikojmë tani, jep masën e gjykimit tek ne. Ajo që na intereson, kur do të na gjykojë Perëndia; është t’i vijë keq për ne dhe të na falë.

Sepse përndryshe, siç e thotë psalmi, «kush mundet të qëndrojë?» -kush do të qëndrojë përpara Tij dhe kush do të durojë? Por ja pra se, që të na falë Perëndia, është në dorën tonë. Fal dhe do të falesh. Duaj dhe do të të dojë Perëndia.

* * *

I krishteri, në ecurinë e tij të përpjetë dhe me shikimin e kthyer drejt qiellit, kur ndien se e rëndon diçka, sipas porosisë së Perëndisë, e depoziton këtu në tokë. Dhe ngarkesa e tij e parë e rëndë është, midis të tjerave, edhe mërimbajtja, fryma e hakmarrjes. Kjo ngarkesë heq fuqitë e shpirtit, dhe kështu e bën atë të pamundur të hipë në shkallën drejt qiellit, por edhe nëse arrin deri në dyert e tij, do t’i paraqitet borxhi i pashlyer i mërimbajtjes ndaj vëllait të tij, i cili nuk i jep të drejtë mërimbajtësit dhe hakmarrësit të hyjë në Mbretërinë e Perëndisë, përderisa nuk ka shlyer borxhet e tij. Që të paguajë detyrimin personal, duhet të fshijë krejtësisht nga kujtesa, detyrimin e të tjerëve ndaj tij. Të japë pra faljen me zemër të hapur, në emër të dashurisë së Krishtit, ndaj atij që në çdo lloj mënyre ka bërë faj ndaj tij. Kështu, me një çiltërsi dhe pastërti morale, i lehtë nga pasionet, do mundet t’i drejtohet Atit Qiellor, që t’i kërkojë falje mëkatesh, duke i premtuar me sinqeritet dhe ndershmëri, se edhe ai vetë do të harrojë çdo padrejtësi apo ofendim personal që i bëri dikush tjetër, si njeri me dobësi edhe ai. Kjo është shkalla e parë dhe e qëndrueshme e shkallës qiellore, falja që dha Zoti nga Kryqi ndaj armiqve të Tij. Ashtu sikurse edhe Apostulli i Tij, martiri i parë Stefan, ndaj Judenjve që e godisnin me gurë.

* * *

Por ne, meqenëse egoizmi ynë është i shumtë dhe sedra jonë e madhe, mbajmë brenda nesh të keqen që na bënë të tjerët, dhe urrejmë. Po, por kryesisht në ditët e këtij Dyzetëditëshi të Madh, do ta vizitojmë shpesh atin tonë shpirtëror dhe do të rrëfehemi. Por nëse mbajmë mëri dhe nuk falim më parë ata që kanë bërë faj kundër nesh, i padobishëm do të jetë rrëfimi ynë. E padobishme kreshma e Dyzetëditëshit të Madh, lutja, Liturgjitë e Parashenjtëruara, Pasdarkat që do të ndjekim, dhe çdolloj e mirë tjetër që do të bëjmë. Perëndia e tha qartë: Nuk do t’i falë ata që nuk falin të afërmit e tyre.

* * *

Rrjedhimisht ekziston rreziku që, edhe gjatë periudhës së Dyzetëditëshit të Madh, por edhe çdoherë tjetër, të humbasim mundësinë për të detoksifikuar shpirtin tonë nga helmet dhe ta çlirojmë nga pesha e mëkatit dhe ta ndjejmë përsëri shpirtin tonë të rinovuar, të lehtë, të lumtur, nëse edhe ne të parët nuk përmbushim këtë kusht të veçantë por edhe shpëtues.

Sigurisht, të gjithë do të mendojmë se është shumë i marrë ai njeri, i cili nuk është në gjendje të vlerësojë interesin e vërtetë. Për shembull, dikë që nuk blen diçka e cila do t’i ofrohet ligjërisht dhe me një çmim shumë të ulët, pothuajse falas, do ta konsideronim se është me aftësi të kufizuara mendore apo i çekuilibruar mendërisht.

* * *

Por më të shumtët nga ne, kryejmë zakonisht një gabim, i cili na tregon shumë më të marrë edhe nga ata që do kishin rastin më të mirë. Sepse kur dikush nuk i shpenzon paratë e tij të pakta, me diçka të çmueshme që i ofrohet, i mbeten vetëm ato pak para që kanë një vlerë shumë të vogël. Ndërkohë që humbasim një thesar të tërë, faljen e mëkateve tona, që të ruajmë brenda shpirtit tonë mërimbajtjen, që nuk është vetëm ndjenjë pa vlerë por edhe e dëmshme. Në vend, pra, që duke lënë mërimbajtjen, të çlirohemi nga helmet dhe pesha e mëkateve tona, këmbëngulim të mbajnë brenda shpirtit tonë edhe një helm më tepër. Dhe gjëja më e frikshme është se bëhet fjalë për një helm, i cili ka cilësinë të shumëfishojë ndikimin e helmeve të tjera. Sepse, padyshim, çdo mëkat ushtron brenda shpirtit tonë ndikimin e tij. Por kur një mëkat kombinohet me mërimbajtjen, atëherë ndikimi i saj bëhet shumë më i fortë.

Duke këmbëngulur pra të mbajmë në shpirtin tonë këtë helm të tmerrshëm, humbasim rastin që të përfitojmë një lloj të veçantë thesari. Na ofrohet falas nga Perëndia, falja, çlirimi jonë nga ndjenja e fajit, nga pesha dëshpëruese e mëkatit dhe ne e refuzojmë. E përsërisim, le të mos mashtrohemi. Sado që T’i lutemi Perëndisë, çdo gjë tjetër që të bëjmë, nëse edhe nuk i falim të tjerët për ato që kryen kundër nesh, nuk bëhet fjalë të falemi as ne.

* * *

Shqetësimi nga faji do të vazhdojë të trondisë botën tonë të brendshme. Do të ndjejmë se mëkatet tona vazhdojnë të lodhin shpirtin tonë me peshën e tyre të papërballueshme. Paqe shpirtërore, qetësi të brendshme, nuk është e mundur të kemi. Madje edhe nëse supozohet se u afruam në misterin e Rrëfimit, madje edhe nëse u ushtruam në kreshmë të rreptë dhe në sakrifica të shumta e të mëdha, përderisa për një të keqe që na bënë, vazhdojmë të mbajmë në shpirtin tonë ligësi, nuk është e mundur të falemi nga Perëndia.

Ai e njeh botën tonë të brendshme më mirë edhe nga vetë ne. Nuk mundemi Ta mashtrojmë, sepse «Perëndia nuk përbuzet» (Gal. 6:7), nuk gënjehet, nuk vihet dot në lojë, nuk tallet, nuk përqeshet. Duhet që ne së pari, jo vetëm nga goja jonë, por nga zemra jonë, nga thellësitë e zemrës sonë, me gjithë shpirtin tonë, pa asnjë rezervë, të falim gjithë ata që na dëmtuan. Vetëm atëherë do të jetë shpirti ynë gati të pranojë faljen e Perëndisë dhe të shijojë paqen që Ai jep me faljen e Tij.

Për këtë pikë, fatkeqësisht, madje edhe ata që konsiderohen si “të krishterë të mirë”, nuk janë kujdesur mjaftueshëm dhe aq sa duhet. Megjithëse e përsërisim kaq herë, «dhe falna fajet tona, sikurse edhe ne ua falim fajtorëve tanë», prapëseprapë nuk kalon nga mendja jonë se Zoti, pa këtë kusht, nuk është e mundur të na japë faljen e mëkateve tona.

* * *

Shën Joani i Kronshtandit na rikujton në lidhje me këtë pikë, ndërhyrjen e apostull Pjetrit ndaj Krishtit: «Zot, sa herë duhet të bëjë faj ndaj meje im vëlla, dhe t’ia fal atij? Deri në shtatë herë? -numri shtatë është numër i hirshëm që tregon plotësinë- Jisui i thotë atij: Nuk të them deri në shtatë herë, po deri në shtatëdhjetë herë shtatë» (Mat. 18:21) që do të thotë herë të panumërta. Zoti, si zemërnjohës -vazhdon shën Joani- e di se njerëzit janë subjekt i rënieve të shpeshta por edhe se pendohen dhe ngrihen; prandaj edhe na porosit të falim shpesh fajet e tyre.

Por edhe ai vetë së pari përmbush fjalën e tij të shenjtë. Sa herë buron nga zemra jote fjala «pendohem» Ai menjëherë të fal.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Prandaj edhe ne le të përparojmë të parët dhe le të japim faljen ndaj të tjerëve; dhe duke u afruar me pendim përpara Mjekut të shpirtrave, le të kërkojmë edhe faljen e mëkateve tona. Atëherë do të arrijmë, sigurisht, të shijojmë gëzimin e dyfishtë, paqen e shpirtit tonë, dhe atje, në jetën e ardhshme, ta gjejmë listën e gabimeve tona krejtësisht të bardhë dhe të pastër.