– Ungjilli – Llukai 2:20-21, 40-52.

 

Edhe barinjtë u kthyen duke lavdëruar e duke himnuar Perëndinë për gjithë ato që dëgjuan e panë, sikundër iu tha atyre.

Edhe kur u mbushën të tetë ditët për të rrethprerë djalin, emri i tij u quajt Jisu, siç ishte quajtur prej engjëllit para se të zihej në bark.

Edhe djali rritej e forcohej në frymë, duke u mbushur me urtësi; edhe hiri i Perëndisë ishte mbi të. Edhe prindërit e tij shkonin çdo vit në Jerusalem për të kremten e pashkës.

Edhe kur u bë dymbëdhjetë vjeç, ata u ngjitën në Jerusalem sipas zakonit të së kremtes. Edhe si mbaruan ditët, në kthim të tyre, djali Jisu mbeti prapa në Jerusalem; edhe Josifi dhe e ëma nuk e dinin. Po duke pandehur se ai ishte me bashkudhëtarët, ecën një ditë udhë; edhe e kërkonin nëpër farefis e nëpër të njohurit. Edhe pasi nuk e gjetën, u kthyen në Jerusalem duke kërkuar atë. Edhe pas tri ditësh e gjetën në tempull, duke ndenjur në mes të mësuesve e duke i dëgjuar ata e duke i pyetur ata. Edhe të gjithë ata që e dëgjonin mahniteshin për mençurinë dhe përgjigjet e tij.

Edhe kur e panë atë, u habitën; edhe e ëma i tha: O bir, ç’na bëre kështu? Ja, yt atë edhe unë me ankth po të kërkonim. Edhe ai u tha atyre: Pse më kërkonit? A nuk e dinit se unë duhet të jem në shtëpinë e Atit tim? Po ata nuk e kuptuan fjalën që u tha atyre.

Edhe zbriti bashkë me ta dhe erdhi në Nazaret; edhe u bindej atyre. Edhe e ëma i ruante gjithë këto fjalë në zemrën e saj. Edhe Jisui përparonte në urtësi dhe në moshë dhe në hir përpara Perëndisë e njerëzve.