Lindja e Hyjlindëses Mari

    Përveç kremtimit të Ungjillëzimit, janë edhe tre festa të tjera të mëdha për nder të Marisë Hyjlindëse. E para nga këto festa, është festa e Lindjes së saj, e cila festohet në 8 Shtator. Për Lindjen e Marisë nuk flitet në Shkrimin e Shenjtë. Tregimi tradicional i ngjarjes është marrë nga shkrimet apokrife, të cilat nuk janë pjesë e shkrimeve të Dhiatës së Re. Mësimi tradicional që kremtohet në himnet dhe vargjet e Meshës së festës, na mëson se Joakimi dhe Ana ishin dy bashkëshortë të devotshëm judej, të cilët ishin ndërmjet mbetjes* së pakët të besnikëve – “të varfërit dhe nevojtarët” – të cilët ishin në pritje të Mesias së premtuar. Ata ishin të moshuar dhe pa fëmijë. I luteshin vazhdimisht Zotit për një fëmijë, meqenëse tek judejtë shterpësia shihej si një shenjë dënimi nga Perëndia. Si përgjigje ndaj lutjeve të tyre dhe si shpërblim ndaj besnikërisë së patundshme te Perëndia, bashkëshortët e moshuar u bekuan me një fëmijë, që do të bëhej për shkak të mirësisë dhe shenjtërisë së saj personale, Nëna e Krishtit-Mesia.

     Lindja jote, o Hyjlindëse, gëzoi e ndriti tërë gjithësinë, se prej teje shkëlqeu Dielli i Drejtësisë, Krishti Perëndia ynë, që zgjidhi mallkimin dhe na dha bekimin, duke e prishur vdekjen dhe duke na dhënw jetën e amëshuar (Përlëshorja). Me lindjen tënde, o virgjëreshë e pastër, Joakimi dhe Ana u çliruan prej shterpësisë dhe Adami dhe Eva prej prishjes së vdekjes. Dhe ne, populli yt, të çliruar prej mëkatit, të kremtojmë dhe të këndojmë: Ajo që ishte shterpë lindi Hyjlindësen, Ushqyesen e Jetës sonë (Shkurtorja).

    Fakti që nuk ka asnjë pohim biblik në lindjen e Marisë, nuk ka shumë rëndësi për kuptimin e festës. Edhe sikur baza aktuale e ngjarjes, siç kremtohet në Kishë, të ishte e diskutueshme nga ana historike, kuptimi hyjnor i saj “për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë”, është më se i qartë. Duhet të ishte dikush e lindur nga mishi dhe gjaku njerëzor, e cila duhet të ishte shpirtërisht e aftë të bëhej Nëna e Krishtit dhe ajo vetë duhej të ishte lindur nga persona, të cilët duhet të ishin shpirtërisht të aftë për të qenë prindërit e saj. Prandaj, festa e Lindjes së Hylindëses është një lavdërim i lindjes së Marisë, i vetë Marisë dhe i prindërve të saj të drejtë. Ajo është një kremtim si edhe përgatitja e parë e shpëtimit të botës. Sepse “Ena e Dritës”, “Libri i Fjalës së Jetës”, “Dera e Lindjes” dhe “Froni i Urtësisë” u përgatit në tokë, me lindjen e vajzës së shenjtë Mari, nga vetë Perëndia. Vargjet e festës janë të mbushur plot me tituj të tillë, siç ato që u përmendën më sipër. Ato janë të frymëzuar nga mesazhi i Shkrimit të Shenjtë, i Dhiatës së Vjetër dhe të Re. Këndimet e veçanta të festës nga Bibla e tregojnë këtë.

    Në Mbrëmësoren, të tre këndimet nga Dhiata e Vjetër janë “mariologjike”, në interpretimin e tyre nën dritën e Dhiatës së Re. Kështu, Shkalla e Jakovit, e cila lidh qiellin me dhenë dhe vendi që u quajt “shtëpia e Perëndisë” dhe “Porta e qiellit” (Gjeneza 28:10-17), janë kuptuar që të tregojnë bashkimin e Perëndisë me njerëzit, gjë që është realizuar plotësisht dhe përsosmërisht – fizikisht e shpirtërisht – në Marinë, Hyjlindësen, Mbartësen e Perëndisë. Gjithashtu, vegimi i tempullit, me “derën e Lindjes” të mbyllur përgjithmonë dhe të mbushur me “lavdinë e Zotit”, simbolizon Marinë, e cila quhet në himnet e festës “tempulli i gjallë i Perëndisë, i mbushur me Lavdinë hyjnore” (Ezekieli 43:27-44:4). Maria është identifikuar gjithashtu, me “shtëpinë”, të cilën e ka ndërtuar Urtësia Hyjnore për vetveten, sipas Librit të Fjalëve të Urta 9:1-11. Ungjilli i Mëngjesit është po ai që këndohet në të gjitha festat e Hyjlindëses, i famshmi Madhërim prej Ungjillit të Shën Llukës, në të cilin Maria thotë: “Shpirti im madhëron Zotin dhe mendja ime u ngazëllua për Perëndinë, Shpëtimtarin tim, sepse pa përulësinë e shërbëtores së tij, sepse ja, që tani e tutje gjithë brezat do më lumërojnë (Lluka 1:47).

    Apostulli i Meshës Hyjnore është pjesa e famshme që flet rreth ardhjes së Birit të Perëndisë në “formën e një shërbëtori dhe i ngjashëm me njerëzit” (Filipianët 2:5-11) dhe Ungjilli është po ai i kënduar në të gjitha festat e Hyjlindëses: Gruaja nga turma lavdëron Nënën e Jisuit dhe Zoti vetë i përgjigjet, se e njëjta lumëri që po merr nëna e tij, i takon të gjithë atyre “që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe ruajnë atë” (Lluka 11:27-28). Kështu, në festën e Lindjes së Hyjlindëses, si në të gjitha kremtimet liturgjike të Nënës së Zotit, ne shpallim dhe kremtojmë, që me anë të dashamirësisë së Perëndisë ndaj njerëzimit, çdo i krishterë merr po atë që ka marrë Hyjlindësja, “mëshirën e madhe”, e cila i jepet personave njerëzore, për arsye të lindjes së Krishtit prej Virgjëreshës.

________________

* Mbetja është një term teologjik, i cili tregon pjesën e popullit të Izraelit që i ka mbetur besnik mësimeve dhe urdhërimeve të Perëndisë, ndërkohë që pjesa më e madhe e popullit e ka tradhtuar jetën e devotshme.