Festa të tjera.
Në çdo ditë të vitit, përveç dymbëdhjetë festave të mëdha , Kisha Orthodhokse përkujton shenjtorë dhe ngjarje të caktuara të historisë së saj. E tërë Kisha Orthodhokse kremton edhe shumë ditë të tjera, me liturgji dhe me solemnitet shpirtëror të veçantë. Të parat, ndër festat e kremtuara universalisht nga të gjithë orthodhoksët, janë ato të Shën Joan Pagëzorit, për të cilin Krishti tha, se “ndër ata që janë lindur prej grave, asnjë nuk është më i madh se Joan Pagëzori” (Mattheu 11:11; Lluka 7:28). Gjithashtu, festat e Apostujve kremtohen në të gjitha Kishat, veçanërisht festa e Shën Pietrit dhe Shën Pavlit, e cila paraprihet nga një periudhë e caktuar agjërimi. Disa shenjtë të tjerë janë të nderuar në mënyrë të veçantë në tërë botën, si Shën Nikolla dhe Shën Gjergji, Profeti Ilia dhe Kryengjëlli Mëhill (Mihail), si edhe Tre Hierarkët, Shën Vasili i Madh, Shën Joan Gojarti dhe Shën Grigor Theologu.
Gjithashtu, çdo Kishë lokale ka shenjtin e saj të veçantë të ditës. Në Kishën Greke Shën Spiridhoni, Shën Dhimitri, Shën Nektari etj., nderohen në mënyrë të veçantë, si Shën Sergji, Shën Serafimi, Shën Tikoni dhe Shën Vladimiri në Kishën Ruse dhe çdo Kishë tjetër lokale ka shenjtët e saj të preferuar.* Përveç këtyre festave të kishave kombëtare të veçanta, gjithashtu, disa qytete dhe manastire, kanë kremtime liturgjike të veçanta për persona të shenjtë ose për ngjarje që lidhen me ta. Kështu për shembull, ka festa shenjtorësh lokalë, që festohen me solemnitet të madh në pak vende të Kishës, ndoshta vetëm në një vend të vetëm, ku ata kanë një rëndësi të veçantë për besimtarët.
Eshtë e rëndësishme të përmendet, se në Kishën Orthodhokse festat liturgjike nuk janë “institucione”, të cilat janë ligjëruar nga disa autoritete kishtare, veçmas prej interesit dhe pëlqimit të popullit. Festat e Kishës dhe kanonizimi i shenjtorëve ndjekin gjithmonë devotshmërinë e gjallë të popullit të krishterë. Nëse nuk do të kishte ndonjë interes popullor dhe nderim për ndonjë njeri të shenjtë, nuk do të kishte ndonjë kanonizim zyrtar dhe as ndonjë festival liturgjik të themeluar për nder të tij. Kur një njeri njihet si shenjtor dhe është pranuar që vetë Perëndia po e paraqet këtë njeri si një dëshmi të gjallë për veten e tij dhe për Mbretërinë e tij, atëherë hierarkia e Kishës cakton ditën e festës dhe do të hartojë shërbesën e përshtatshme liturgjike dhe himnet që do të përdoren në kremtim. Shpeshtësia dhe zelli i kremtimit do të varet vetëm në dëshirën e popullit dhe kur caktohet festa; ajo mund të mos kremtohet më, vetëm nëse kjo vjen organikisht në të njëjtën mënyrë si edhe u caktua. Ajo kurrë nuk mund të “hiqet” nga ndonjë dekret i autoriteteve të Kishës.
___________________
* Kisha jonë nderon në mënyrë të veçantë Shën Gjergjin e Shën Kollin, si edhe Shën Vlashin, Shën Joan Vladimirin, Shën Kozmain, Shën Marenën etj.